Robotaksit po afrohen me realitetin, pasi Tesla ka nisur një shërbim taksie me drejtim të plotë autonom (FSD – Full Self-Driving) të mbikëqyrur, në qytetin Austin të Teksasit dhe në zonën e Gjirit të San Franciskos, për një grup të përzgjedhur punonjësish.
“Kemi përfunduar mbi 1,500 udhëtime dhe 15,000 milje të përshkuara,” thuhet në postimin në rrjet. “Ky shërbim na ndihmon të zhvillojmë dhe verifikojmë rrjetet FSD, aplikacionin mobil, shpërndarjen e mjeteve, qendrën e komandës dhe operacionet e asistencës në distancë.”
Sipas agjencisë Reuters, prodhuesi amerikan i automjeteve elektrike është i vendosur ta lançojë zyrtarisht këtë shërbim në Austin deri në qershor. CEO i Teslës, Elon Musk, gjatë thirrjes së fundit mbi fitimet e kompanisë, deklaroi se mjetet autonome do të “kenë ndikim të ndjeshëm financiar” deri në fund të vitit të ardhshëm. Në këtë komunikim, Musk tha se Tesla do të përdorë fillimisht modelet ekzistuese Y të pajisura me softuer të drejtimit autonom. Po ashtu, kompania është duke zhvilluar një model të dedikuar për drejtim autonom, të quajtur Cybercab, prodhimi i të cilit pritet të nisë vitin tjetër.
Lexo edhe:5 mësime lidershipi nga Papa Françesku që çdo CEO duhet t’i lexojë
Musk parashikon që teknologjia e drejtimit autonom do të fillojë të “ndikojë në bilancin financiar të kompanisë dhe të bëhet thelbësore” nga gjysma e dytë e vitit 2026. “Parashikoj që miliona Tesla do të funksionojnë plotësisht në mënyrë autonome në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm,” u shpreh ai. Ndërkohë që aktiviteti bazë i prodhimit të makinave po përballet me sfida – shitjet e automjeteve ranë me 13% në tremujorin e parë – pritshmëritë janë të larta për Teslën që të tregojë se mund të kapërcejë pengesat teknologjike të drejtimit autonom dhe të ofrojë një model të qëndrueshëm biznesi për shërbimet pa shofer.
“Siguria është aspekti që ata e kontrollojnë më shumë, ndaj dua prova që kjo pjesë është e garantuar,” tha analisti Anderson për Reuters. “Vetëm atëherë do kem një vizion më të qartë për zgjerimin në nivel kombëtar.”
Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur nga parashikimi i Musk se robotaksit do të ndikojnë ndjeshëm në të ardhurat deri në fund të vitit të ardhshëm. Musk deklaroi se nisja në Austin do të përfshijë fillimisht 10 ose 20 mjete Model Y, duke shtuar se Tesla planifikon ta “shkallëzojë shpejt këtë shërbim” dhe të zgjerohet në tregje të tjera të SHBA-së gjatë vitit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto