TEMU duket se në pak kohë është transformuar në një fenomen të vërtetë në Shqipëri.Platforma online e blerjeve e cila zotërohet nga kompania kineze e tregtisë elektronike PDD Holdings, ofron mallra konsumi me çmime relativisht të ulta. Modeli i veçantë i biznesit e ka lejuar Temu të bëhet popullor në mesin e konsumatorëve, por gjithashtu ka tërhequr shqetësime mbi privatësinë e të dhënave, punën e detyruar, pronësinë intelektuale dhe cilësinë e produkteve të saj në treg. Megjithatë, përpos dritë-hijeve që e shoqërojnë, platforma duket se gjithnjë e më tepër po fiton terren në vendin tonë, duke dominuar trafikun e porosive dhe blerjeve online.
Lidhur me shtrirjen që platforma ka marrë në Shqipëri dhe çfarë rezervon e ardhmja, ne kemi biseduar me Erand Sulën, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Tregtisë Online (AECA) dhe themelues i Ultra Post, një kompanie inovatore postare që ofron shërbime efikase dhe të përshtatshme në të gjithë Shqipërinë.
Cilat janë arsyet që mund të kenë ndihmuar në suksesin e shpejtë të Temu në tregun shqiptar? Ka qenë çmimi, mënyra e marketingut apo diçka tjetër?
Temu ofron një gamë të gjerë produktesh me çmime të ulëta, duke tërhequr konsumatorët që kërkojnë vlera të mira për paratë e tyre. Përdorimi i marketingut agresiv dhe fushatave promovuese ka ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për markën dhe në tërheqjen e një baze të gjerë klientësh.
Temu përdor algoritme të sakta për të analizuar sjelljen e konsumatorëve dhe për të ofruar rekomandime të personalizuara, duke përmirësuar përvojën e blerjes dhe normat e konvertimit.
Duke pasur një model të menaxhuar plotësisht, Temu iu ofron shitësve një zgjidhje të plotë që përfshin logjistikën, magazinimin dhe shërbimin pas shitjes, duke lehtësuar procesin për shitësit dhe duke siguruar një përvojë të qëndrueshme për klientët.
Një tjetër faktor është edhe koha e dorëzimit, e cila, ndonëse më e gjatë se ajo e tregjeve lokale (12-14 ditë nga momenti i blerjes), kompensohet nga çmimet e ulëta dhe larmia e produkteve.
Si ka ndikuar kjo rritje e menjëhershme te shërbimet postare dhe logjistike në Shqipëri? A ka pasur sfida për të përballuar volumin e lartë të porosive?
Shtimi i ndjeshëm i porosive online ka kërkuar nga shërbimet postare dhe logjistike të përballojnë një fluks më të madh dërgesash, duke testuar kapacitetet e tyre operacionale.
Një problem i vazhdueshëm për postat ka qenë dorëzimi i objekteve postare në adresat e paplota ose të pasakta. Mungesa e një sistemi të saktë adresash kanë komplikuar procesin e dorëzimit.
Për të përballuar rritjen e tregtisë elektronike, është e nevojshme që shërbimet postare dhe logjistike të investojnë në përmirësimin e infrastrukturës së tyre, duke përfshirë modernizimin e sistemeve të përpunimit dhe shpërndarjes së pakove.
Rritja e kapaciteteve të sektorit postar kërkon gjithashtu kualifikimin e stafit për të përmbushur kërkesat e reja dhe për të siguruar një shërbim cilësor ndaj klientëve.

Çfarë mundësish të reja hap ky model biznesi për shërbime si ULTRA dhe operatorë të tjerë logjistikë? A po shohim një ndryshim të modelit të operimit?
Ultra C.E.P. ka parë një rritje të ndjeshme të volumit të porosive për t’u dorëzuar, gjë që kërkon përmirësim të vazhdueshëm të kapaciteteve logjistike dhe menaxhimit të kohës.
Për të përballuar këtë fluks, Ultra C.E.P. është e detyruar të investojë më shumë në sisteme të automatizuara, siç është sistemi ekzistues i regjistrimit digjital të dërgesave dhe sistemi i përzgjedhjes automatike, për të ruajtur cilësinë e shërbimit.
Me rritjen e tregtisë online, operatorët ndërkombëtarë kanë hyrë më fuqishëm në treg, duke rritur konkurrencën. Kjo i ka detyruar kompani si Ultra C.E.P. të ofrojnë shërbime më fleksibile, si dorëzim të shpejtë, ndjekje në kohë reale dhe flotë elektrike për një qasje më të qëndrueshme.
Ky ndryshim ka hapur rrugën për bashkëpunime me platformat ndërkombëtare të tregtisë elektronike për të ofruar shërbime lokale të dorëzimit. Ultra C.E.P. mund të përfitojë nga ky trend për të zgjeruar rrjetin e vet.
Duke qenë se Temu dhe platforma të tjera funksionojnë kryesisht ndërkombëtarisht, ka pasur sfida me proceset doganore, transportin ndërkufitar dhe kohën e dorëzimit, të cilat kërkojnë koordinim të vazhdueshëm me autoritetet.
Për Ultra C.E.P., ky kontekst paraqet si sfida për t’u përballuar, ashtu edhe mundësi për rritje dhe inovacion në shërbimet postare dhe logjistike.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.