Imagjinoni sikur të mos ecnit me hapa një nga një, por hapat të shumëzoheshin mes tyre. Kjo është rritja eksponenciale që po përjeton teknologjia. Kësaj rritjeje duhet t’i përshtatemi edhe ne.
Kompania Smartwork solli në Tiranë në një konferencë për teknologjinë e së ardhmes, presidentin e Altea Federation, Andrea Ruscica. Smartwork, e cila është pjesë e Altea Federation, mblodhi bashkë krijues e përdorues të risive në fushën e teknologjisë. Objektivi është të përqafohet qasja pozitive për të ardhmen. Rritja në mënyrë eksponenciale e teknologjisë na vë para një të ardhme “surprizë”.
Mjafton të themi vetëm që kapacitetet e pajisjeve dyfishohen çdo 18 muaj, për të kuptuar ku po shkon teknologjia.
Në panel sollën risitë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës dhe drejtues të disa sipërmarrjeve startup, model në tregun vendas e jashtë.
Artikulli u publikua më parë në faqen 50 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.
Gjergj Robo, CEO i Smartwork në Shqipëri tha se, “Teknologjia është mundësuesi i rritjes eksponenciale i çdo organizate. Një teknologji që përmirëson menaxhimin e të gjitha proceseve dhe lehtëson bashkëpunimin në kohë reale mes njerëzve në mbarë botën. Njerëzit sot kanë një mundësi unike: të çlirojnë idetë dhe t’i japin hapësirë eksplorimit, duke përjetuar mundësitë e pafundme të inovacionit”.
Ruscica: zhvilloni aftësitë gjykuese
Andrea Ruscica, president i Altea Federation, (një grup kompanish inovative në fushën e teknologjisë), na çoi për më shumë se një orë, në të ardhmen dhe bashkëjetësën tonë me teknologjinë. Botë, të cilën ne e sjellim më poshtë përmes fjalëve të tij:
Nëse rrimë të përqëndruar në çfarë bëjmë çdo ditë, është e vështirë të shohim të ardhmen. Kam bërë një sforco 5 vitet e fundit për të spostuar vizionin tim në një udhëtim mesatar teknologjik. Nuk është e lehtë. Njerëzit janë mosbesues. Duket teprim, por nuk është kështu. Në shumë vende të botës deri edhe në Bangladesh, (që konsiderohet vendi më i varfër në botë), ky ndërgjegjësim po sjell përmirësime të mëdha në shumë fusha: energji, ushqim, studim, trupin e njeriut, kurimet. Pse po ndodh?! Pse çdo ditë përballemi me përvojën dixhitale duke aksesuar në kanale. Mbi 4 miliardë njerëz kanë akses të vazhdueshëm në inteligjencën kolektive që po rritet ditë pas dite në mënyrë eksponenciale në planet.
Lexo: Cilët janë inovatorët shqiptarë të teknologjisë këtë vit?
Nuk duhet të pretendojmë të dimë gjithçka. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për këtë.
Ka diçka tjetër të rëndësishme. Duhet të jemi të përulur për të pranuar që nuk njohim gjithçka. Rrjetet e lidhjes prodhojnë inteligjencë. Ashtu si neuronet, edhe ne, njerëzit, mund të jemi më efikasë në të ardhmen.
Kjo që po ndodh është provuar. Laboratorë të mëdhenj, që bashkojnë kompetenca të ndryshme në një shpirt përulës, prodhojnë rezultate të mëdha. Arroganca nuk është e modës e nuk do të jetë as në të ardhmen.
Progresioni për të cilin ju flas po transformon nivelin e teknogjisë. Pas 30 vitesh, kemi një paradigmë tërësisht të ndryshme. Është si studenti që përballet fillimisht me universitetin.
Njerëzit e lidhin Inteligjencën Artificiale me terminator, por kush do të jetë SkyNet i ardhshëm, Google, Amazon, Facebook?! Nuk e dimë. Duhet thjeshtë të jemi më të hapur. Ne kemi disa filtra në tru dhe është mirë të stërvisim trurin tonë për t’i hedhur poshtë muret.
Sot po jetojmë në një gjendje që mund ta quajmë Protopia. Duhet ta përballim jetën me optimizëm. Nuk duhet të jemi pesimistë. Nëse përqafojmë një stil pesimist për jetën që do të përshkojmë, thjeshtë do ta kemi më të vështirë. Kemi parasysh librin “E pashmangshmja”. Nëse shkoj kundër diçkaje që do të ndodhë, çfarë më pret? Një jetë e vështirë. Është sikur të shkosh kundër rrymës. Mund të përplasesh, të vritesh. Utopia është negative. Distopia- pozitive. Protopë janë ata të një progresioni të vazhdueshëm të ndryshimeve përmirësuese. Këtë po jetojmë!
Realiteti sot është shumë më e mirë se dje. Duhet të përqafojmë atë që vjen. Fillimin! Ndërgjegjësimi që të gjithë jemi të zhytur në një fillim të ri. Është një fazë fillestare që nuk është përjetuar asnjëherë në historinë e njerëzimit. Prindërit tanë, nuk kanë përjetuar diçka të tillë. Kemi lindur me televizor bardh e zi disa prej nesh. Sot kemi gjithçka në pëllëmbë të dorës, të gjithë informacionin e nevojshëm nga Kina, Amerika e Jugut, SHBA etj. Por, çfarë po krijon në Botë kjo gjendje prej fillestari? Po krijojmë një botë dixhitalisht të lidhur. IoT, Big Data, që po lidhin qindra miliona njësi. E gjitha bëhet e lidhur. Arrijmë të mbledhim gjithçka. Pas pak do t’i nënshtrohemi një gjurme biometrike. Do të kemi veshje që na ndihmojnë në të gjithë aspektin fizik në orare të ndryshme të ditës. Ato mund të na bëjnë në orare të caktuar edhe matjen e glicemisë. Shtëpitë e mëdha farmaceutike po punojnë në këtë drejtim.
Lexo: Shqipëria, e fundit në Europë për inovacion
Gjithçka vjen në mënyrë eksponenciale në një botë ku jemi mësuar të rrimë në mënyrë linerare.
Nëse bëj shtatë hapa një nga një po ndjek një linjë lineare. Nëse bëj 7 hapa në mënyrë eksponenciale, ku çdo hap dyfishohet në mënyrë eksponenciale, arrij të bëj xhiron e botës. Teknologjia po udhëton në mënyrë eksponenciale. Çdo vit dyfishohet kapaciteti. Kjo do të ketë pasoja shumë të rëndësishme. Nuk po flasim për diçka që do të ndodhë. Është duke ndodhur.
Ka një dyfishim periodik të aftësisë llogaritëse. Ndodh çdo 18 muaj. Chip-i më i mirë i 18 muajve më parë, sot dyfishon aftësinë e tij llogaritëse. Për matjen e nivelit tuaj të gjakut në pak sekonda, qëndron pas një motor me aftësi llogaritëse që e “shpërthen” këtë analizë. Mat lidhjet, siguron një përgjigje të shpejtë. Çdo gjë i detyrohet informacionit. Mbledhja e të dhënave, përpunimi, falë rrjetit të sensorëve IoT, falë Big Data po transformon këtë konsolidim. Thuhet edhe se ky dyfishim nuk ndalon. Po e masim në botë prej 30 vitesh.
Çdo teknologji që është e dixhitalizuar, i nënshtrohet këtij dyfishimi eksponencial. Ligji i kthimit të përshpejtuar aplikohet tek të gjitha.
Çfarë po ndodh?! Një sërë teknologjish po ndjekin këtë rritje potenciale dhe po zhvillohen në të gjitha fushat, në të gjithë sektorët edhe software. Mjediset e programimit po bëhen gjithnjë e më të thjeshta dhe bashkëpunimi me pajisjen përmirësohet në mënyrë të vazhdueshme.
Koncepti i inovacionit ka bukurinë e kombinimit. Një murator ndërton murin duke përdorur tulla. Përbërësi themelor, tulla, përmes kombinimit bën të mundur ndërtimin e objekteve të ndryshme, deri tek qiellgërvishtëset që shohim sot. Sepse, kombinojnë elementin bazë: tullën. Me teknika të ndryshme ndërtimi, në të njëjtën mënyrë teknologjitë bazë janë disa tulla, që duke i kombinuar së bashku sigurojnë inovacion. Ky inovacion i kombinuar është i fuqishëm. E mund të aplikohet në shumë skenarë, në shumë sektorë, në shumë nivele biznesi. Ndërgjegjësohuni për këtë e filloni të shikoni botën me këtë këndvështrim të ri, me këtë filtër të ri. Do të shikoni që edhe disa gjëra të paperceptueshme për ju, mund të kenë një kuptim ndryshe falë këtij koncepti.
Kur diçka dixhitalizohet, ka skepticizëm. Të flasim për fotografinë. Fillimisht ishte analogjike. Më pas u dixhitalizua. Shumë analistë nuk ishin të ndërgjegjshëm që do të ecte. Për nga cilësia e fotos, nuk besonin se do ta hedhë poshtë aparatin analog.
Por, çfarë ka në celularin tuaj Apple? Keni dy mikroprocesorë. Njëri zhvillon detyrat e llogaritjes, tjetri është neural, merret me njohjen e fytyrës. Është një motor i inteligjencës artificiale që udhëton 10-11 MB. 15 vite më pare, në këto përmasa do të duhej të kishim një kompjuter që nuk e zë një sallë. Por sot, është në pëllëmbën e dorës me konsum qesharak të energjisë. Nëse ankoheni për baterinë…po përmirësohet, bazuar pikërisht në zhvillimin e përshpejtuar.
Pasi e kemi provuar foton dixhitale, fillojmë ta përdorim, bëhet e fuqishme. Pas kësaj, kalon në një tjetër fazë. Dematerializohet plotësisht. Syri optik bëhet një mikrochip, makina që bën llogarinë e thellësisë, bëhet një mikrochip. Filtrat nuk janë më ato të mëparshmit. Janë mikrochip, të mbështetur nga çfarë?! Nga Inteligjenca Artificiale që interpreton dritën, largësinë. Pra, bën gjithçka vetë. Aty brenda është më e mira e teknologjisë eksponenciale.
Pas mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave nga pajijsjet, do të jetë detyra jonë të shprehim gjykimin. Ndaj duhet të kemi aftësi të mëdha analitike, përmbledhëse, intuitive. Të tillë janë liderët e së ardhmes.
Lexo: 9 inovacionet që duken “tmerruese” thjesht kur i mendojmë
Sot kemi asistentë dixhitalë si Alexa. Alexa nuk njeh vetëm të folurën. Ajo njeh timbrin e zërit. Alexa analizon edhe sjelljen. Ajo fillon të jetë parashikuese, e di ditën kur kthehesh nga palestra. Është proaktive. Pyet nëse do të bësh një dush dhe si do që të jetë temperatura e ujit.
Alexa bën edhe analizë sentimentale. Ajo arrin të kuptojë nëse jam i tensionuar dhe vendos një muzikë.
Në të ardhmen e afërt nuk do të përplasim më duart në tastierë. Do të jemi duke dialoguar me kompjuterët. U japim urdhra kompjuterëve. Kompjuteri do të interpretojë atë që duam gati para se t’ia kërkojmë, falë IA. Kjo është e ardhmja e afërt. Nuk është nesër. Është sot. Këto produkte janë gati. Nuk janë trende teknologjike. Janë realitet.
Një tjetër zhvillim është përmirësimi i produktivitetit të proceseve të ndërmarrjes. Kemi mundësi të vëmë disa procese nën monitorim përmes AI, t’i dizenjojmë këto procese, të eleminojmë gabimet, dhe t’ia ‘kushtojmë’ njeriun më shumë fazës së gjykimit të proceseve operative.
Nëse keni vizituar sipërmarrje të mëdha. Nëse hyni në zyrën e prokurimeve në një kompani ndërkombëtare, gjeni 30-40 persona. E dini çfarë bëjnë këta njërëz? Janë robotët humanë. Marrin faturën, e interpretojnë, e fusin në kompjuter, bëjnë kontroll dhe kalojnë në fazën tjetër. Mendoni se do të zgjasë shumë? Sa do t’i duhet një algoritmi të IA ta kuptojë këtë proces apo ta automatizojë? 24 orë 0 gabim dhe sinjalizon përjashtimet. Do të jenë 2 persona që merren me rastet e veçanta. Çfarë do të bëjmë me 38 të tjerët? Të shkojnë në fermën bio të Wallmart?! Jo.
Duhet t’i lëvizim këta njerëz drejt punëve të tjera, pasi po krijohen plot. Këtu është optimizmi. Kur kemi bërë revolucionin industrial, shumë fshatarë punonin tokën me dorë. Mbërritën makineritë, fshatarët u transferuan në qytetet dhe punuan në fabrika. Ndërruan punë. Kjo do të ndodhë. Revolucioni i IV-t industrial do të sjellë një ndryshim të madh. Njeriu duhet të përgatitet të jetë i ndërgjegjshëm për këtë. Është e kotë t’u mësojmë fëmijëvë tanë punë përsëritëse. Mësojuni fëmijëve filozofi, psikologji, inteligjencë emocionale. Të jenë persona të fortë, të zotët për të marrë vendime. Mësojuni të analizojnë të dhënat jo t’i përgatisin, pasi i përgatit dikush tjetër.
Ne duhet të përgatitemi të kemi kolegë që quhen Bot 1, Bot, Bot 3. A je ekspert të gjykosh?! Jemi orientuar për të bërë. Kështu që, duhet të bëjmë një ndryshim në mendje dhe të fillojmë të kemi këtë tip mendësie: të analizojmë të dhëna për të marrë vendim. Të marrim përsipër rrezikun. Në dhjetë vitet e ardhshme kjo do të jetë. E gjithë kjo do të bëhet duke formuar njerëzit. Soft skills, intuitë, empati, aftësi analitike, pasi për të shprehur një gjykim duhet të kemi nevojë të komunikojmë. Ka një skemë të thjeshtë. Tipikisht ne kemi aftësi (kompetenca) vertikale. Imagjinoni një I. Duhet të zhvillojmë kokën e I-së e të bëjmë një T. Pra, të kemi vizionin e përmirësimit për të gjithë aftësinë vertikale. Vetëm nëse jam në gjendje të krijoj shumë T kam mundësi të krijoj grupe pune me rendiment të lartë.
Të vetëm nuk mund të bëjmë asgjë. Nuk ia dalim. Unë vetë gjithnjë kam kërkuar të krijoj një rrjet personash komplementarë që më pasurojnë. Duhet t’i njoh pak në thellësi, jo shumë. Nëse i kuptoj, i bëj bashkë këto aftësi. Pra, duhet të jem një person që zhvillon aftësi empatike.
Problemi i komunikimit është se disa gjëra i kuptojmë në mënyrë të ndryshme, pasi çdonjëri ka historitë e tij. Si komunikues i mirë duhet të jem sa më afër jush më atë që dua t’ju them. Pse kam një grup të bashkuar?! Së bashku mund të ndajmë detyra nesër dhe mund t’ju besoj juve.
Pra, duhet bërë përpjekje për t’u kuptuar. Dëgjo, përpiqu të kuptosh para se të kërkosh të kuptohesh. Kjo është baza. Dialogu njerëzor mundëson bazën për ndërtime të mëdha. Shumë mbledhje ndërpriten, pasi askush nuk kupton asgjë.
Dhe askush nuk është aq i përulur të thotë që “nuk kuptova asgjë”. Ka nje proces pyetësor. Duhet të bazohesh në pyetje. Ai që bën pyetje duhet të mendohet mirë.
Hiqni frikërat. Duhet të jemi të përulur. Nuk është e vështirë. Progreset shkencore, laboratorët e mëdhenj bombardohen me pyetje, pavarësisht çmimeve Nobel.
Pyetja ime shërben për të eksploruar më shumë perimetrin e njohjes. Kush nuk është në lojë, më mirë të ikë. Jemi në gjendje të luajmë së bashku? Ndërmarrja rritet mes jush. Por, çdonjëri prej jush karikon vetë bateritë e tij me energji.
U mbetet juve si individë të veçantë të vendosni nëse do të punoni në grup. Por, nesër kur vendosni të ndryshoni rrugë, kjo energji është e juaja. Është vlerë e juaj. Investoni tek vetja me leximin. Duhet eksperimentuar, zhvilluar projekte të reja. Duhet provuar edhe një lloj adoptimi i këtyre teknologjive. Provoni të fusni pak IA në disa procese. Mund të bëhet. Nuk është kaq larg. Ka platforma ku mund të krijohen motorrë të machine learning, pa qenë ekspertë të IA. Unë e kam bërë për të njohur muzikën.
E shohim si diçka të frikshme, por IA sot ka interpretuar teknikën e pikturave dhe ka krijuar objekte të reja, të cilat kur u janë prezantuar studiuesve, nuk i kanë njohur me pikturat origjinale.
Stile të reja lidershipi, është një tjetër detyrim për të përqafuar të ardhmen. Çdokush duhet të jetë lider në jetën e tij dhe në fushën profesionale.
Profesioni i tij, nuk është më rol. Është aftësi.
Përshtatuni me aftësinë për të qënë lider. Çfarë do të thotë: një personi i zoti për të afruar njerëz rreth vetes. të aftë për të komunikuar, empatikë. Lider nuk është një rol. Unë jam lider nëse edhe ju rreth meje jeni.
Një lider duhet të krijojë liderë të tjerë, një kulturë lidershipi: udhëheq, frymëzon. Është një injeksion pozitiv. Duhet të jesh i disponueshëm, të pranosh njohje të reja. Unë mësoj shumë nga platformat teknologjike dixhitale të komunikimit. Duhet të shohim përpara dhe të mund të ecim pak në pasiguri. Pasi askush nuk e tregon të ardhmen. Duhet të kemi mentalitetin e fillestarit. Si një fëmijë, pa filtra. Çdo ditë është e ndryshme. Të inkurajojmë veten të marrim vendime.
Asnjë ndërmarrje, pa aksion, nuk mund të shkojë përpara. Merrni vendime, mos kini frikë të gaboni, analizoni gabimin e përsëriteni!
Kini grintë: pasion dhe kokëfortësi. Me këmbëngulje ditë për ditë, me disiplinë. Vendosni objektiva: Duhet të lexoj një orë në ditë. Duhet të shoh TED-x. Duhet të kuptoj çfarë ndodh rreth meje. Këtë duhet ta bëni përmes një disipline reflektuese. Sepse niset nga ju. Sot disiplina duhet të lindë nga ju dhe duhet ushqyer nga një pasion i madh.
Smartwork, skuadra e teknologjisë në Tiranë
Smartwork është një kompani që ofron shërbime konsulence në IT që nga viti 2017, me mbi 135 punonjës me seli në Shqipëri dhe anëtare e Altea Federation, një grup kompanish italiane të specializuara në IT Consulting.
Me produkte të ndryshme dhe njësi të dedikuara, Smartwork po shquhet në ofrimin e zgjidhjeve teknike me kënvështrim 360°, duke mbështetur rritjen dhe konkurrueshmërinë e kompanive në Shqipëri, Kosovë, Itali dhe më gjerë, duke i shoqëruar ato në rrugën e transformimit dixhital.
Për më tepër, Smartwork ka krijuar skuadra të përkushtuara AMS për SAP, aplikacionet e Microsoft, si dhe shërbimet 24/7 NOC, që mbështesin klientët në operacionet e tyre të përditshme.
Falë ekspertizës dhe një metodologjie të kualifikuar të zbatimit nga eksperienca disa vjeçare në Vertical Industries, Smartwork është në gjendje të udhëheqë projektet brenda buxhetit dhe kohës së vlerësuar, nëpërmjet ndarjes së objektivave të zbatueshëm dhe të besueshëm dhe përmes menaxhimit të ndryshimeve në tërësi. Nga fazat paraprake të organizimit dhe konsulencës së IT-së deri në implementimin dhe parametrizimin e zgjidhjeve të aplikimit, deri në hedhjen në prodhim, përshtatur sipas kërkesave të klientit.
Artikulli u publikua më parë në faqen 50 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.