Teknofeudalizmi: Bashkëudhëtar i luftës! - Business Magazine Albania

Teknofeudalizmi: Bashkëudhëtar i luftës!

Teknofeudalizmi: Bashkëudhëtar i luftës

Perëndimi është në një gjendje gatishmërie për luftë. Qeveria gjermane po zhvillon një aplikacion që ndihmon njerëzit të gjejnë strehimin më të afërt. Në Suedi është publikuar një broshurë 32-faqëshe me titull Nëse ndodh një krizë apo luftë, ndërsa një udhëzues i ngjashëm është shkarkuar pafundësisht në Finlandë. Gazeta të njohura botërore publikojnë skenarë lufte, ku Rusia, me mbështetjen e Kinës, pushton ishujt arktikë të Norvegjisë.

Në Bashkimin Evropian, zyrtarët e lartë argumentojnë se çelësi për të zhbllokuar nivelin kronikisht të ulët të investimeve të Evropës qëndron tek industria e armëve. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump flet me një ton të çuditshëm për marrjen nën kontroll të Grenlandës dhe Kanalit të Panamasë. Për ta kompletuar këtë panoramë, një furtunë është në formim mbi Tajvanin, Filipinet dhe Detin e Kinës Jugore.

Trump dhe kundërshtarët e tij politikë nuk pajtohen për pothuajse asgjë. Por, për një gjë janë dakord: Amerika është e bllokuar në atë që Graham Allison, profesor në Harvard, e quan Kurthi i Tukididit – fati i një hegjemonie që përballet me një fuqi në rritje, siç është Kina. Nga ana tjetër, Perëndimi rrezikon të bjerë në kurthin e Edipit: përkeqësimin e një krize pikërisht përmes veprimeve të ndërmarra për ta parandaluar atë – ashtu siç Edipi përfundoi duke vrarë babanë e tij, Laio, vetëm sepse ky i fundit ndërmori masa të ashpra për të parandaluar profecinë e Orakullit të Delfit. Cilido nga këta kurthe mund të çojë në një luftë katastrofike.

Ndërkohë, jemi gjithnjë e më të dominuar nga kapitali i “cloud” – një formë e re kapitali që përbëhet nga rrjete të ndërlidhura makinerish që përdorin algoritme për të na njohur aq mirë sa të ndryshojnë atë që duam dhe ta shesin jashtë çdo tregu tradicional. Ndryshe nga motorët me naftë apo robotët industrialë, të cilët janë mjete të prodhimit, kapitali i “cloud” krijon një aftësi të pakufizuar për të ndikuar në sjelljen tonë, duke u dhënë pronarëve të tij – teknofeudalëve tanë – një pushtet të pashembullt. Kjo përforcon kurthin e Tukididit dhe kurthin e Edipit në katër mënyra kryesore.

Lexo edhe:Innovation Hub, një HUBitat për çdo krijesë!

Së pari, veçanërisht kur fuqizohet nga inteligjenca artificiale, kapitali i “cloud” ul ndjeshëm pragun për përdorimin e armëve të shkatërrimit masiv, edhe pse në mënyrë të synuar. Është shumë më lirë të dërgosh një tufë dronësh mikro, të pajisur me njohje të fytyrës përmes AI-së, në zonat urbane për të eliminuar në mënyrë autonome objektiva specifikë, sesa të dërgosh bombardues të rëndë. Po aq e lehtë është edhe për presidentët apo kryeministrat që të gjejnë arsyetime morale për të dhënë urdhrin. Prandaj, vlera e tregut e një kompanie si Palantir, e cila bazohet në kapitalin e “cloud”, tashmë ka tejkaluar atë të një gjiganti tradicional si Lockheed Martin.

Së dyti, për të maksimizuar të ardhurat, kapitali i “cloud” që fuqizon rrjetet sociale është programuar për të rritur angazhimin, një qëllim që arrihet më lehtë duke nxitur zemërimin, përçarjen dhe urrejtjen mes njerëzve. Helmimi i debatit publik që rrjedh nga ky model biznesi gërryen institucionet demokratike, të cilat më parë kishin aftësinë për të frenuar politikanët dhe gjeneralët më luftënxitës.

Së treti, kapitali i “cloud” e ka dobësuar Evropën deri në atë pikë sa ajo nuk mund të luajë më rolin moderues që dikur kishte gjatë Luftës së Ftohtë. Kjo ndodh sepse shumica e kapitalit të “cloud” është e përqendruar në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë. Ndërsa përqendrimi i lartë i këtij kapitali është bërë një parakusht për pushtet ekonomik dhe politik të konsiderueshëm, Evropa ka rrëshqitur në një gjendje të parëndësishme relative.

Së katërti, në Kinë, kapitali i “cloud” ka krijuar një sfidues të vërtetë ndaj monopolizimit amerikan të sistemit ndërkombëtar të pagesave, një faktor historikisht vendimtar që u ka dhënë qeverive amerikane mundësinë për të vendosur sanksione ndaj çdo vendi apo individi. Ky është një zhvillim shumë më i rëndësishëm sesa çdo shqetësim në SHBA për rritjen e DeepSeek, firma kineze e inteligjencës artificiale, produkti më i fundit i së cilës ka shkaktuar humbje prej 1 trilion dollarësh në tregjet amerikane të aksioneve.

Sfidat kryesore të Kinës burojnë nga një asimetri e thellë në raport me SHBA-në, e cila nuk lidhet fare me teknologjinë: Wall Street e sheh Silicon Valley-n si një rival që mund t’i cenojë të ardhurat financiare, një përplasje në të cilën mund të llogarisë në mbështetjen e Federal Reserve-it. Ndërkohë, sektori financiar kinez, banka qendrore dhe kompanitë e mëdha të teknologjisë punojnë në harmoni të plotë, duke krijuar një sistem të unifikuar pagesash dixhitale, falas dhe publik-privat, të cilin Perëndimi nuk mund ta konkurrojë.

Megjithëse aktualisht ky sistem ngjan me një autostradë moderne, por të papërdorur jashtë vendit, ai paraqet një kërcënim serioz afatgjatë për dominimin global të sistemit të pagesave në dollarë. Kjo i jep qeverisë kineze dhe aleatëve të saj alternativa që ulin frikën nga sanksionet amerikane. Në një cikël të pafund negativ, kjo vetëbesim e re e Kinës rrit gatishmërinë e Amerikës për t’u “ashpërsuar” ndaj saj.

Sot, era e luftës ndihet më e fortë se ajo e paqes. Kjo nuk është vetëm pasojë e kurtheve të njohura strategjike, por edhe e ngritjes së fuqisë teknofeudale, e cila po na çon drejt tyre.

Yanis Varoufakis është ish-ministër i Financave të Greqisë, lider i partisë MeRA25 dhe Profesor i Ekonomisë në Universitetin e Athinës.

Copyright: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0