Takohemi në Budva: Aty ku biznesi takon Inovacionin Dixhital - Business Magazine Albania

Takohemi në Budva: Aty ku biznesi takon Inovacionin Dixhital


Vladimir Vulic: Drejtor Programi i Spark.me

Vladimir, i njohur me emrin Vanja për miqtë e tij, është një nga pionerët e sipërmarrjes së internetit në Mal të Zi. Vanja është një konsulent menaxhimi, inovacioni dhe i mediave sociale.

Ai është Drejtori i Programit ‘Spark.me,’ një nga konferencat më të mëdha të teknologjisë/biznesit të Europës Juglindore. Konferenca organizohet në Budva, Mal të Zi nga Domain.ME, një kompani private në ngarkim të domainit kombëtar të internetit tё Malit të Zi -.ME.

1. Përshëndetje Vladimir. Bashkë jemi takuar vitin e kaluar në konferencën AllWeb në Shkup, Maqedoni. Kisha kënaqësinë të dëgjoja një fjalim tepër interesant prej teje mbi “Reinventing Management for the Social Era.”

Shiko Videon: (https://www.youtube.com/watch?v=nDVuDK0V7SI)

Në profilin tënd në LinkedIn është shkruar shumë, por do të kisha dëshirë të të pyesja drejtëpërdrejtë: Cili është Vladimir Vulic në një përshkrim të shkurtër me 1 fjali?

Vanja 8

Përshëndetje Gerti. Të falenderoj për fjalët e përzemërta. Nëse më duhet të përshkruaj veten në një fjali, do të ishte – “Një strategjist nga Mali i Z i cili është në ndjekje të vazhdueshme për të sfiduar status quo-në.”

2. Ti ke një background shumë të gjërë si këshillues dhe folës në shumë prej eventeve të lidhura me Sipërmarrjen dhe “Stilin e Menaxhimit në Epokën Sociale”. Nëse flas rreth Shqipërisë, hapat e parë drejt zhvillimit të një Ekosistemi të Sipërmarrjes filluan në 2014 dhe viti 2015 ishte një nga vitet më të frytshëm duke përfshirë konferencat, konkurset, komunitetet, inkubatorët dhe aktivitetet e tjera që lidhen me këtë zhvillim. Çfarë mund të na thoni për Malin e Zi? Çfarë po ndikon nё trendet e zhvillimit të këtij Ekosistemi?

Do të thosha se Domain.ME, ishte një nga aktorët kryesorë që qëndronte pas zhvillimeve të industrisë së re të internetit në vend. Në 2011-n, ajo pati një partneritet me një kompani nga Serbia dhe themeloi WebFest.ME, konferencën e parë të mirëfilltë të internetit në këtë rajon. Në 2013-n, Domain.ME vendosi të vazhdojё rrugën e vetme dhe të startonte konferencën Spark.me. Ne jemi duke punuar fort për pozicionimin e Spark.me si qendrën e gravitetit për startupet dhe njerëzit e marketingut /biznesit përsa i përket rajonit të Ballkanit.

Vanja 7

Një tjetër katalizator për zhvillimin e sektorit të internetit në Mal të Zi ishte edhe Organizata Jo Qeveritare Digitalizuj.me, në të cilën jam bashkëthemelues. Digitalizuj.me është një komunitet dixhital, i cili përpiqet t’u vijë në ndihmë qytetarëve të Malit të Zi, që këta të fundit të kuptojnë dhe të vendosen në dijeni të mundësive të reja për ndryshime sociale dhe në ndihmë të bizneseve në mjedisin dixhital duke përqafuar mediat sociale dhe modelet e bizneseve inovative. Digitalizuj.me ka implementuar në mënyrë të suksesshme shumë projekte në bashkëpunim me UNDP Montenegro, Institutin East West Management, Coca-Cola Hellenic, Crnogorski Telekom (një kompani bijë e Deutsche Telekom), Telenor Montenegro. Që prej dhjetorit 2011, Digitalizuj.me mirëpret Speakers Series, një event i përmuajshëm në të cilin marrin pjesë folës inspirues dhe të apasionuar, të cilët ndajnë idetë e tyre mbi tema që përfshijnë lidershipin, inovacionin social, zhvillimin urban, ndryshimet në menaxhim, mediat sociale, startup-et, monitorimin dhe mbrojtjen e mjedisit.

3. Ne, si Business Magazine, kemi si mision mbështetjen e shpirtit të sipërmarrjes dhe të qëndrimit #ThinkBusiness në Shqipëri dhe rajon. Duket se në rajon ka shumë zhvillime…Çfarë mendon rreth ballkanasve? Sipas eksperiencës tënde, cila pjesë e Ballkanit është më shumë e zhvilluar ose le të themi që ka një qasje më shumë të orientuar nga startupet?

Kur vjen fjala për startupet, Bullgaria dhe Rumania janë kategori më vete – ato janë shumë më përpara nga të gjitha shtetet e Ballkanit.

Vanja 6

Sllovenia, Kroacia dhe Serbia gjithashtu kanë një ekosistem të fortë të startupeve, me disa aktorë të mirënjohur si Talking Tom, Nordeus, Rimac Automobili, Bellabeat, Nanobit, ManageWP, Seven Bridges Genomics, Frame, Content365.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 69 të numrit 10 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 10 të saj.

Pjesa tjetër e rajonit po vonohet, por, ashtu siç ti e përmende tashmë, ka pasur shumë aktivitete që kanë pasur të bëjnë me startupet vitet e fundit, kështu që jam vërtet i emocionuar të shikoj se çfarë startupesh do të prodhojnë së shpejti këto vende.

4. Le të kthehemi te Konferenca Spark.me. Pse e konsideron si një nga konferencat më të mëdha të teknologjisë / biznesit në Europën Juglindore?

Misioni i Spark.me që nga fillimi ishte të përmirësonte cilësinë e jetës së njerëzve në Europën Juglindore duke rritur ndërgjegjësimin rreth mundësive që Interneti dhe teknologjitë e reja ofrojnë, nëpërmjet edukimit, konkurrimit dhe mundësive të rrjetëzimit. Spark.me sjell histori nga teknologjitë ‘disrupting’*, modelet inovative të biznesit, strategji angazhuese në marketing dhe iniciativa që ndryshojnë botën, të prezantuara nga disa prej njerëzve dhe brandeve më influencues në botë.

Vanja 5

Ne nuk jemi konferenca “më e madhe” kur vjen puna te numri i të ftuarve, folësve ose startupeve, dhe nuk po përpiqemi të jemi një e tillë. Ne po organizojmë një konferencë të moderuar, me një axhendë të kuruar plotësisht, ndërkohë që çdo folës është i përzgjedhur prej nesh. Po i kushtojmë vëmendje të veçantë çdo detaji dhe po përpiqemi ta bëjmë Spark.me një eksperiencë ta paharrueshme konferenciale.

Qëllimi ynë, nuk është të jemi konferenca më e madhe në rajon, por ajo që do të bëjë ndryshimin më të madh pozitiv në këtë drejtim.

5. Cilët janë organizatorët kryesorë dhe nga vijnë spikerat kryesisht?

Kompania Domain.ME organizon Spark.me si pjesë të saj të Programit të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës. Janë rreth 30 njerëz që ndodhen “pas perdes” së Spark.me, dhe ata përfshijnë skuadrën e Domain.ME, OJQ Digitalizuj.me, ME-net (agjenci e shërbimeve të marketingut dixhital malazeze dhe provider i hosteve për web), dhe një numër vullnetarësh.

Gjatë tri viteve të kaluara, folësit e Spark.me vinin nga më shumë se 15 vende, përfshirë këtu SHBA, Kanadaja, Gjermania, Italia, Danimarka, Finlanda, Islanda, India, Australia, Izraeli, Estonia, Polonia, Bullgaria, Rumania, Sllovenia, Kroacia dhe Serbia.

Folësit e Spark.me përfshinin Pankaj Ghemawat (një nga autoritetet botërore mbi strategjinë globale, dhe një prej 12 mendimtarëve më të mirë të menaxhimit në mbarë botën nga Thinkers50), Cristopher Fabian (bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues në Njësinë e Inovacionit të UNICEF, dhe një prej njerëzit më me influencë të ‘TIME Magazine’ për vitin 2013), Scott Berkun (autor bestseller), Alf Rehn (një hulumtues i njohur ndërkombëtarisht i biznesit, një autor dhe spiker), David Armano (Drejtor i Strategjisë Globale: Key Accounts nё Edelman Digital), Tony Conrad (bashkëthemelues dhe CEO i about.me, dhe partner financimi te True Ventures), dhe Peter Sunde Kolmisoppi (hakerues/artist i cili merret me çështjet e të drejtave të pronës intelektuale, i njohur më së miri si bashkëthemelues i The Pirate Bay).

Vanja 3

6. Është një event për Teknologjinë/ Biznesin; Pjesëmarrësit duhet të jenë njerëz të teknologjisë apo biznesit? Çfarë mund të presim ne atje?

Slogani i Spark.me është –“Aty ku biznesi takon Inovacionin Dixhital”.
Ditët e sotme, shoqëria po transformohet thellësisht nga impakti i internetit, me rregullat e të bërit biznes të cilat nga një industri në tjetrën po rishkruhen. Shpejtësia në rritje e ndryshimit po kapërcen aftësinë e pjesës dërrmuese të kompanive që të mbajnë ritmin. Transformimi dixhital është një prej katalizatorëve më të mëdhenj për evoluimin e biznesit dhe të shoqërisë.

Ne, në Spark.me, besojmë fort se teknologjia dhe bizneset po shkrihen, dhe që duhet të punojnë bashkarisht në mënyrë që të krijojnë një botë më të mirë për këdo.

Spark.me 2016 do të mirëpresë disa prej personaliteteve më influencues të mediave online, drejtues lider të marketingut, dhe aktorë kyç në ekosistemin europian dhe global të startupeve.

Veronica Belmont është një personalitet i medias online, një këshilluese e startupeve, spikere dhe krijuese e podcast-eve nga San Francisco, me më shumë se 1.7 milionë ndjekës në Twitter! Scott Morrison është ish-Drejtor i Marketingut për Diesel, Levi’s dhe Activision, ndërsa Sara Rosso është Drejtore e Marketingut në Automattic (provider i shërbimeve online si WordPress.com, Akismet, Gravatar dhe shumë të tjerë), dhe themeluese e Ditës Botërore të Nutella, tashmë një ditë pushimi e njohur zyrtarisht e zotëruar dhe menaxhuar nga marka Nutella.

Vanja 2

Spikerave të Spark.me u shtohet një folëse interesante, Annie Machon, ish-oficerja e inteligjencës për Shërbimin e Sigurisë së Mbretërisë së Bashkuar, MI5, gjatë viteve ’90, përpara se të dorëhiqej.

Për këdo që interesohet në startupe, spikerat tanë përfshijnë Tony Conrad (një nga bashkëthemeluesit dhe CEO i about.me, dhe një partner në themelimin e True Ventures, një firmë ‘venture capital’ me bazë në Silicon Valley, e cila investon në fazat e hershme të startupeve të teknologjisë), Marvin Liao (partner në firmën globale VC dhe akselerator i startupeve, 500 Startups, bazuar në Silicon Valley), Jon Bradford (themeluesi F6S dhe Tech.eu, dhe ish-Drejtor i Menaxhimit në Techstars në Londër), një akselerator startupesh i orientuar nga mentorimi, i konsideruar si një nga akseleratorët e startupeve më të mira në botë), dhe Dave Haynes (pjesë e skuadrës investuese në Seedcamp, skuadra lider e financimeve të raundeve të para bazuar në Londër).

7. Sipas dijenisë sime, do të ketë edhe një Konkurs Startupesh gjithashtu. A mund të konkurrojnë edhe Startupet nga Shqipëria atje? Ndonjë kriter që dëshiron të përmendësh?

Konkursi i Startupeve Spark.me është një pjesë integrale e konferencës, dhe një aktor i rëndësishëm i zhvillimit të ekosistemit të startupeve në rajon. Konkursi i Startupeve do të mbledhë 10 startupet e reja më të mira nga kjo pjesë e botës, dhe do t’i japë skuadrës fituese një mundësi unike për të prezantuar projektin e saj para investitorëve dhe mediave lider në TechCrunch Disrupt San Francisco 2016 Startup Alley, më 12-14 Shtator 2016. Të gjithë startupet e themeluar pas 20 Shtator 2014 dhe që kanë marrë më pak se 2.5 milionë $ financime, kanë mundësi të aplikojnë, pavarësisht se ku janë regjistruar. Për fat të keq, thirrja për aplikime për këtë vit është mbyllur, por ne ftojmë të gjithë startupet e interesuar që të vijnë në Spark.me dhe të përdorin mundësinë për të komunikuar me disa prej njerëzve kyç të ekosistemeve të startupeve amerikane dhe europiane, të cilët do të jenë folës në Spark.me. Dhe sigurisht, ne i inkurajojmë ata të aplikojnë për Konkursin e Startupeve të Spark.me vitin e ardhshëm.

Vanja 1

8. Ky ishte viti i parë ku ne si Business Magazine filluam partneritetin me Spark.me. Ne besojmë se ky do të jetë një bashkëpunim i vazhdueshëm dhe do të influencojë zhvillimin e të gjithë rajonit për prosperitet. Cila është perspektiva juaj rreth saj?

Në mënyrë që i gjithë rajoni të ketë prosperitet, ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim dhe integrim.

Ne po kontaktojmë partnerë potencialë në vendet fqinjë në mënyrë që të rritemi bashkë dhe të arrijmë më shumë. Jemi shumë të lumtur që ky është vitit i parë që kemi partnerë media nga Shqipëria – Business Magazine dhe infoalbania.al – gjithashtu edhe një bloger zyrtar nga Shqipëria, Vasken Spiru.

Të falemnderit ty Gerti për këtë bashkëpunim. Shpresojmë që bashkëpunimi të vazhdojë në vitet në vazhdim.

9. Dhe së fundmi, një mesazh për audiencën tonë?

Vizitoni Malin e Zi, ejani në Spark.me, dhe le ta bëjmë Ballkanin një vend më të mirë për të gjithë ne. Bashkojuni liderëve të biznesit, teknologjisë dhe inovacionit, marketerëve, startupeve dhe entuziastëve dhe bëni qejf në plazh!

Shihemi në Budva, më 28-29 Maj!

SparkMe Team

 

/Artikulli u publikua më parë në faqen 69 të numrit 10 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 10 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0