Google po rikthen intervistat fizike për punësim, pas shqetësimeve në rritje për mashtrimet e mundësuara nga inteligjenca artificiale gjatë proceseve virtuale të rekrutimit. CEO i kompanisë, Sundar Pichai, pranoi se duhet gjetur një balancë mes efikasitetit dhe autenticitetit, duke sugjeruar një qasje hibride. Ky vendim erdhi pas diskutimeve të brendshme, ku punonjësit shprehën shqetësime se integriteti i intervistave ishte vënë në dyshim.
Në një takim të brendshëm në shkurt, punonjësit e Google kërkuan drejtpërdrejt rikthimin e intervistave në ambientet e kompanisë.
“Mund t’i rikthejmë intervistat në zyrë?”, pyeti një punonjës, sipas audios së siguruar nga CNBC. “Ka shumë diskutime mbi këtë temë. Nëse buxheti është problem, a mund t’i sjellim kandidatët në një ambient që e kontrollojmë?”
Brian Ong, nënkryetar i rekrutimit në Google, pranoi sfidën, duke thënë se “duhet ende shumë punë për të integruar faktin që AI është tashmë shumë e pranishme në proceset e intervistimit.” Ai shtoi se intervistat virtuale janë mesatarisht dy javë më të shpejta se ato fizike, por kompania duhet të gjejë ekuilibrin mes shpejtësisë dhe saktësisë.
Lexo edhe:Satya Nadella ndan 5 prompt-e të ChatGPT që përdor çdo ditë në punë
Pichai e mbështeti idenë e një modeli të kombinuar: “Duke qenë se të gjithë punojmë në mënyrë hibride, mendoj se ia vlen që një pjesë e intervistave të zhvillohen fizikisht. Kjo do t’i ndihmojë kandidatët të kuptojnë më mirë kulturën e Google dhe është e dobishme për të dyja palët.” Komentet e Pichai-t pasqyrojnë një sfidë që po përballet i gjithë sektori i teknologjisë. Ong theksoi se “ky është një problem që po e shohin edhe të gjitha kompanitë tona konkurrente”, teksa organizatat përpiqen të ruajnë standardet e rekrutimit në një kohë kur mjetet e AI bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe të vështira për t’u zbuluar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto