Suedia: 10 milion banorë, por një fuqi globale në startup-e - Business Magazine Albania

Suedia: 10 milion banorë, por një fuqi globale në startup-e

ySuedia: 10 milion banorë, por një fuqi globale në startup-e

Suedia nuk është një vend i madh ,vetëm rreth 10 milionë banorë. Por në hartën globale të startup-eve, ajo është një superfuqi. Vetëm Silicon Valley prodhon më shumë unicornë për frymë se Stokholmi. Në kryeqytetin suedez, idetë kthehen në kompani miliardëshe me një ritëm që ka befasuar botën.

Mjafton të përmendim disa emra që i njeh çdo njeri me një smartphone në dorë: Spotify, Klarna, Northvolt, iZettle, King (Candy Crush). Nuk janë thjesht kompani lokale, janë marka që kanë transformuar industri të tëra, nga muzika e deri tek pagesat online dhe lojërat mobile.

Si lindi kjo “mrekulli” suedeze?

Historia nuk është një rastësi, por një kombinim unik i kulturës, politikës, edukimit dhe investimeve të hershme digjitale.

Investimi i hershëm në internet – Në vitet ’90, qeveria suedeze vendosi të krijojë akses të shpejtë kombëtar. Deri në vitin 2000, mbi 50% e suedezëve ishin online, një nga përqindjet më të larta në botë. Kjo krijoi një terren pjellor për gjeneratën e parë të sipërmarrësve digjitalë.

Një brez i rritur me kompjuterë – Shkollat futën herët edukimin teknologjik, prindërit inkurajuan fëmijët të mësonin kodimin dhe përdorimin e kompjuterëve. Kjo solli një brez të tërë gati për të ndërtuar startup-et e së ardhmes.

Mbështetje nga shteti dhe biznesi – Qeveria financoi edukimin, kërkimin shkencor dhe bëri më të lehtë hapjen e bizneseve. Pa një risk të madh social, të rinjtë mund të provonin idetë e tyre pa frikë nga dështimi. Në të njëjtën kohë, kompani si Ericsson, IKEA dhe H&M shërbyen si shkolla gjigande për profesionistët që më vonë themeluan startup-e.

Mendësi globale – Anglishtja e rrjedhshme dhe një kulturë që sheh përtej kufijve i bëri startup-et suedeze të lindin me DNA ndërkombëtare. Shumë prej tyre mendojnë afatgjatë, jo për “exit” të shpejtë, por për rritje të qëndrueshme. Shembulli më i madh? Spotify, që mori vite për të gjeneruar fitim, por ndryshoi përgjithmonë mënyrën si dëgjojmë muzikë.

Më shumë se ekonomi, është kulturë

Suedia ka një sistem që mbështetet tek besimi dhe transparenca. Kjo frymë bashkëpunimi i jep guxim themeluesve për të marrë rreziqe dhe investitorëve për të investuar herët. Rezultati? Mbi 35 unicornë nga një vend i vogël në popullsi, por i madh në vizion. Sot, shumë prej themeluesve të parë janë kthyer në investitorë dhe mentorë për gjeneratën e re. Kështu, rrethi vazhdon: çdo sukses gjeneron një tjetër.

Nga ABBA tek Spotify, nga IKEA tek Klarna

Suedia gjithmonë ka ditur të “luajë më madh se pesha e saj”. Në kulturë, në dizajn, në muzikë dhe tani në teknologji. Nga ABBA që pushtoi botën e muzikës në vitet ’70, tek Spotify që e revolucionarizoi atë 40 vite më vonë. Nga IKEA që ndryshoi mënyrën si mobilojmë shtëpitë, tek Klarna që po transformon mënyrën si paguajmë online. Në botën e startup-eve, Suedia nuk është më thjesht një vend nordik. Është një shembull global i asaj se çfarë ndodh kur teknologjia, edukimi dhe vizioni bashkohen. Dhe nëse historia ka treguar diçka, është se ky vend i vogël do të vazhdojë të frymëzojë botën.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0