Më 1 shkurt 2024, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nxori për konsultim Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Agroturizmit. Sipas saj, deri në vitin 2027 parashikohen të jenë 100 sipërmarrje agroturizmi të çertifikuar, ndërkohë që ndikimi i tyre në ekonominë shqiptare do të jetë rritur.
Krahas sipërmarrjeve të çertifikuara, që do të katerfishohen, në krahasim me sa kemi sot, janë mijëra ferma në fshat, që synojnë aktivitetin e turizmit rural dhe po presin vizitorë vendas dhe të huaj në mjediset e tyre, duke ofruar edhe fjetje, krahas ngrënies.
Në bazë të praktikës botërore, xhiroja e një agroturizmi është rreth 142,000 euro në vit. Në vend kemi mbi dy mijë ferma që duan të zhvillojnë (dhe një pjesë e mirë po zhvillojnë), aktivitete pritëse për turistë.
Po ashtu, punësimi në fshat ndihmohet shumë, pasi punonjësit në një sipërmarrje agroturizmi janë deri në 9 vetë, ndërsa mesatarja e ndërmarrjeve të vogla tek ne është 4-5 punonjës.
Nga ana tjetër, agroturizmi si biznes bashkon, pasi madhësia mesatare e një agroturizmi si sipërfaqe toke është 10 ha, ndërkohë që kjo mesatare është 1,2 ha për fermat bujqësore tek ne. Një agroturizëm ka mesatarisht 6 dhoma për akomodim dhe 23 tavolina restoranti.
Me strategjinë për agroturizmin dhe masat për zbatimin e saj, qeveria shqiptare synon që deri në vitin 2027 të rrisë peshën dhe ndikimin që sektori i agroturizmit ka në tërësi në ekonominë tonë, por sidomos në zonat rurale ku ai zhvillohet. Agroturizmi është shumë i lidhur dhe me teknologjinë e informacionit dhe digjitalizimin e jetës në fshat. Të gjithë vizitorët e huaj mund të njoftohen dhe të pronotojnë përmes platformave online, si dhe faqeve online të fermave tona rurale.
Strategjia e Agroturizmit synon edhe përmirësimin e cilësisë së produkteve ushqimore dhe shërbimeve turistike në zonat rurale. Në dokumentin e publikuar nga Ministria Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, theksohet se “Objektivi i përfitimit të një klientele ndërkombëtare dhe vendosja në një pozitë konkurruese në sferën e turizmit rural kërkon arritjen e disa standardeve minimale specifike për agroturizmet e çertifikuara”.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me atë të Turizmit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të përgatisë një udhëzues për standardet minimale që do të zbatohen për sektorin e ushqimit dhe të veprimtarive pritëse, për të ofruar mbështetje të qartë dhe të menjëhershme për bizneset agroturistike. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) profesori i asociuar i Universitetit Bujqësor të Tiranës Shpresim Domi komenton rëndësinë e kësaj strategjie
Profesor Domi, me Strategjine Kombetare të Zhvillimit të Agroturizmit në Shqipëri, të publikuar këto ditë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për konsultim publik, qeveria synon që deri në vitin 2027 të rrisë peshën dhe ndikimin që sektori i agroturizmit ka në tërësi në ekonominë tonë. A mund ta bëjë këtë një strategji?
Shpresim Domi: Së pari, shumë faleminderit që i krijoni një hapësirë kohore një diskutimi të tillë.
Sigurisht, sepse lidhet edhe me këtë fushë, me studimet, angazhimet e mia, por në tërësi mendoj që është shumë e rëndësishme. Agroturizmi është një filozofi, një qasje, një politikë apo edhe instrument gati katalizator i zhvillimit të një dimensioni që është shumë i rëndesishëm për Shqipërinë, që është zhvillimi rural në tërësi dhe agroturizmi në veçanti.
Gjykoj se ishin pjekur kushtet për të ardhur ky moment, në sensin që agroturizmi tashmë është fenomen i konsoliduar për Shqipërinë. Është një inovacion për bujqësinë, është një gjë që duhet të ndihemi krenarë, krahasuar me vendet e rajonit, sepse jemi në hapa shumë të shpejta dhe të avancuar.
Kur them me rajonin, flas krahasuar edhe me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Kroacinë.
Ishte e nevojshme një strategji. Duhet të jetë e qartë për publikun, se strategjia është mishërimi i filozofisë dhe politikëbërjes në tërësi. Ishte e nevojshme, pasi jo vetëm politikbërësit, por edhe të gjithë aktorët e lidhur direkt apo indirekt me agroturizmin, synojnë për t’i dhënë jetë Shqipërisë agroturistike.
Pra, jo vetëm turizëm i thjeshtë në Shqipëri, jo vetëm turizëm i suksesshëm. Jo thjesht ajo Shqipëria, një vend për t’u zbuluar për turizëm, por Shqipëria agroturistike.
E them këtë, sepse, ne duhet të gjykojmë për politika zhvillimore, për të krijuar avantazhe krahasuese me vendet e rajonit, për të tërhequr sa më shumë vizitorë, për të zhvilluar turizmin dhe zhvillimin social ekonomik.
Kjo është një strategji jo si shumë të tjera, pasi prandaj quhet ndryshe edhe “SMART” strategji. Domethënë, është strategji e matshme, specifike, e besueshme dhe reale, në atë çfarë synon dhe me objektiva. Pra, ka një afat kohor për t’u realizuar.
Gjykoj se fjala strategji është një fjalë shumë e madhe dhe ka qënë problem ndër vite, që të përpilosh një strategji, e cila nuk gjen zbatim në terren, por të flasesh për një strategji “SMART’ për të cilën synohet, gjykoj se ka një propabilitet të lartë në terren dhe do japë efektet e veta.
Vitin e kaluar patëm një turizëm shumë të suksesshëm në Shqipëri. Sa është zhvilluar vitin e kaluar turizmi rural, së bashku me format e tjera të turizmit tek ne?
Shpresim Domi: Mënyra si e ndërtuat pyetjen ju, kuptohet që falë turizmit po zhvillohet agroturizmi. Mund të mos jetë plotësisht kështu. Mund të jetë edhe vetë agroturizmi një motor i rritjes së fluksit të turistëve drejt Shqipërisë.
E them këtë, sepse nga studimet, vëzhgimet apo edhe kontaktet në terren me subjektet, rezulton se agroturizmi është ai subjekt biznesi, ai mjet për të tërhequr turistët e huaj drejt terrritorit. Ndërkohë mos të harrojmë, se turizmi në përgjithësi, shumicën e vizitorëve e tërheq drejt Shqipërisë por më së shumti drejt bregdetit.
Prej shumë vitesh ka qënë shqetësim: a shkojne vizitorët drejt zonave të brendshme të Shqipërisë, që kanë shumë nevojë për qarkullim vizitorësh, për zhvillim ekonomik dhe rritje të standarteve dhe mirëqënies?
Dhe pikërisht agroturizmi e ka luajtur këtë rol. Shifrat prej 10.1 milionë vizitorë të huaj që u mbyllën për vitin e kaluar, një rritje eksponenciale që vazhdon prej dy vitesh, duke tejkaluar edhe vitin më të mirë para pandemisë që është 2019, janë rrjedhojë e nje kontributi shumë domethënës nga agroturizmi.
Analizohet, nga të dhënat që kemi në bashkëpunim me Shoqatën e Agroturizmit të Shqipërisë, që mbi 1.2 milionë turistë janë mirëpritur vetëm nga kompanitë agroturistike në vitin 2023.
Kjo shifër, po të shikosh numrin e shtretërve, do ishte me pak mospërputhje. Kjo tregon që kompanitë agroturistike mirëpresin edhe vizitorë ditorë, pa nevojën e fjetjes, të akomodimit.
Kjo nxjerr në pah gjithashtu, nevojën e mbështetjes për këtë sektor. Pra, rritjen e kapaciteteve, siç e synon kjo strategji, që vizitori mos të rrijë disa orë, për të parë fermën, për të shijuar ushqimin në restorant, por të rrijë edhe ditë të caktuara. Ky është objektivi edhe i strategjisë, për të rritur ditët dhe netët e qëndrimit në firmat e agroturizmit.
Lexo: Nuk do ta besoni se çfarë pasurie fshihet në minierën e Kromit në Bulqizë. Depozita më e madhe në botë
Sa mund të ndihmojë strategjia dhe vetë zhvillimi i vrullshëm i turizmit rural, në kufizimin e largimit masiv të të rinjve dhe popullsisë në tërësi, nga zonat rurale?
Shpresim Domi: Pyetje shumë me vend, sepse një nga dy objektivat strategjikë të vetë strategjisë janë si të mbahen dhe të fuqëzohen kapacitetet ose burimet njerëzore në zonat rurale.
Të mos harrojme. kjo është një çështje jo vetëm shqiptare, por në të gjithë kontinentin e Europës. Kjo, sepse zonat rurale nuk preferohen shumë nga të rinjtë, pasi të rinjtë janë në kërkim të një jete më dinamike dhe më të shpërblyeshme. Sidomos në Shqipëri, është një fenomen shumë problematik i burimeve njerëzore dhe agroturizmi ka rol të jashtëzakonshem në këtë aspekt.
Pse e them këtë?. Në shifra, një agroturizem punëson 9 njerëz mesatarisht. Ka edhe shumë më shumë, por mesatarisht, krahasuar me SME-të (Sipërmarrjet e Vogla dhe të Mesme), të cilat përbëjnë mbi 98 përqind të sipërmarrjeve në Shqipëri, e kanë mesataren 6.2 punonjës të punësuar. Pra, flasim për një sipërmarrje fitimprurëse, në zona problematike për t’u zhvilluar biznesi. Agroturizmet punësojnë më shumë sesa SME-të dhe jo vetëm ne zonat rurale, por edhe ato urbane.
Ky është një tregues shumë i rëndësishëm, që agroturizmi është një katalizator i zhvillimit rural, i ripopullimit të zonave, i mbajtjes së familjeve fermere të angazhuara dhe fitimprurëse. Dhe kur është biznesi fitimprurës, njerëzit kanë arsye objektive për t’u angazhuar. Pra, agroturizmi rivitalizon zonat rurale, punëson njerëz, fuqizon gratë, duke reduktuar ndasitë gjinore.
Ky është problem në sektorin e bujqësisë. Me të dhënat që kemi, rezulton që mbi 60 përqind e stafit në agroturizëm janë vajza dhe gra, pasi agroturizmi ofron shërbim tek ushqimi dhe tek ushqimi janë amvisat, që janë lider.
Një tjetër tregues i rëndësishëm i rolit katalizues të agroturizmit është që këto bashkëpunojnë, pra blejnë produkte mesatarisht nga 21 ferma të tjera lokale. Agroturizmi bashkëpunon edhe me agjensi turistike, me resorte, me hotele, me bashkinë, me akademinë, OJF-të, etj. Pra, me aktorë të ndryshëm.
Kryesorja, është që bashkëpunon dhe ferma agroturistike blen produkte me 21 fermerë të zonës dhe mban me të ardhura 21 familje fermere. Kjo është një arsye që themi, se agroturizmi është inovacion në bujqësi. Ai po e transformon bujqësinë, po e bën më atraktive, më interesante.
Kur them atraktive, them për të rinjtë. Mosha mesatare e sipërmarrësve, të menaxhereve të agroturizmit në Shqipëri është 40 vjeç. Je i ri, në sensin e moshës. Pra, është një tregues shumë i rëndësishëm në zhvillin rural në Shqipëri, por edhe në shifra konkrete, në aspekte konkrete që i intereson zonave rurale.
Sa e ndihmon digjitalizimi turizmin rural tek ne dhe sa akses në digjitalizim kanë agroturizmet e sotme në vend? A duhet rritur ky akses dhe a mund të ndihmojë qeveria dhe Buxheti i Shtetit në rritjen e aksesit në digjitalizimin e sektorit?
Shpresim Domi: E ndihmon dhe anasjelltas. Çfarë është agroturizmi?, për ta lidhur me pyetjen.
Është një fermë e transformuar, e hapur, për të pritur vizitorë atje, ku, përveç aktiviteteve të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, që është natyra tradicionale e saj, ferma ofron edhe shërbime turistike.
Ofron shërbime në tërësi. Kjo ka bërë që fermat të digjitalizohen. Sepse, kur transformohen në agroturizëm, ato përdorin teknologji, që janë të nevojshme në proçeset e shërbimit. Flas këtu, në menaxhimin e njësisë akomoduese, që e kanë të nevojshme teknologjinë e informacionit, të rezervimeve online, të check-in dhe check-out.
Fermat agroturistike digjitalizohen në aspektin e përdorimit të mediave sociale. Po të shikosh mediat sociale për agroturizmin, krahasuar me shumë biznese të tjera, çfarëdolloj qofshin ata, të gjithë sipërmarrësit e tyre janë ndikues (në anglisht influencers).
Pra, kompanitë agroturistike që ata drejtojnë, janë më të ndjekurat. Ka agroturizme me mbi 350 mijë ndjekës. Mediat sociale janë instrument digjital i komunikimit aktiv mes kompanisë dhe audiencës së gjërë, konsumatorit më specifik. Kjo ka sjellë intensitet të flukseve të vizitorëve drej tyre. Këto janë disa elementë të digjitalizimit që kanë ndodhur në këto agroturizme.
Nga ana tjetër, edhe vetë agroturizmi nxit digjitalizimin në sektorin e bujqësisë. Nga studimet e Organizatës Botërore të Ushqimit, FAO-s, por edhe ne si staf akademik, në kuadër të projekteve të financuara nga Ministria e Arsimit, shikojmë në të njëjtën shifër. 3-7 përqind është digjitalizuar bujqësia. Shifër mjaft minimale kjo.
Por, po të shikosh kalimin nga fermë tradicionale në agroturizëm, kjo rrit ndjeshëm digjitalizimin në proçeset e punës dhe shërbimeve që agroturizmet ofrojnë.
Sigurisht që ka hapësirë shumë për të punuar dhe ky është një ndër objektivat e strategjisë. Kjo arrihet nëpërmjet sinergjive, mes akademisë, donatorëve dhe, sigurisht, të udhëhequr, iniciuar dhe ofruar nga qeveria. Vetë digjitalizimi është sinergji që sjell aplikimet e teknologjisë, të cilat automatikisht reduktojnë kostot dhe rrisin efektivitetin.
Janë të kënaqur vizitorët që shkojnë në fermat e agroturizmit, dhe, sigurisht, përsëritja e vizitës është një garanci për rritjen e të ardhurave të këtyre kompanive të zonës. Kjo, nga ana tjetër, rrit mirëqënien e zonës se ky është edhe qëllimi i çdo politike, në fund të fundit. Marrë nga albanian.cri.cn
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.