Steve Jobs përdorte këtë metodë për të menduar më qartë - Business Magazine Albania

Steve Jobs përdorte këtë metodë për të menduar më qartë

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Steve Jobs njihej për krijimtarinë e jashtëzakonshme dhe mënyrën e të menduarit jashtë kornizave. Një nga thëniet e tij më të famshme është: “Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është duke e shpikur atë.”

Ecja ishte pjesë thelbësore e jetës së Steve Jobs-it

Jobs ishte i njohur për rregullin e 10 minutave: sa herë që ngecej në një problem për më shumë se 10 minuta, largohej nga tavolina e punës dhe dilte për një shëtitje. Edhe takimet e tij shpesh nuk zhvilloheshin ulur, por duke ecur, si biseda në lëvizje. Shkenca moderne e psikologjisë dhe e trurit e mbështet plotësisht këtë qasje: ecja nuk është vetëm e shëndetshme, por rrit krijimtarinë, ndërsa ecja me një person tjetër forcon lidhjen mes njerëzve. Ja pse.

Ecja rrit krijimtarinë

Studimet bashkëkohore tregojnë se strategjia e Steve Jobs-it për t’u ngritur dhe për të ecur kur nuk i vinte zgjidhja ishte shumë e zgjuar. Krijimtaria mbështetet në bashkëveprimin e tre sistemeve kryesore të trurit:

Rrjeti i gjendjes së lirë: aktivizohet kur je i relaksuar, ëndërron me sy hapur ose mendja endet. Ndihmon në krijimin e ideve të reja dhe lidhjeve të reja mes tyre.

Rrjeti drejtues: lidhet me funksione më të larta mendore si arsyetimi logjik, planifikimi dhe marrja e vendimeve. Kërkon përqendrim dhe kontroll.

Rrjeti i rëndësisë: ndihmon në kalimin nga një rrjet tek tjetri dhe filtron informacionin, duke vendosur çfarë bëhet e vetëdijshme dhe çfarë jo.

Në metodën e Jobs-it, ai fillimisht aktivizonte rrjetin drejtues duke analizuar problemin për rreth 10 minuta. Kjo i lejonte të kuptonte detajet dhe të mblidhte informacionin e nevojshëm, duke krijuar bazën për krijimtarinë.

Më pas, ai dilte për shëtitje. Kjo bënte që rrjeti i rëndësisë të zbehte kontrollin e rrjetit drejtues dhe të aktivizonte rrjetin e gjendjes së lirë, duke lejuar një rrjedhë më të lirë idesh. Shkencëtarët e quajnë këtë një “gjendje të shkëputur”, ideale për zbulime krijuese spontane.

Një studim i Universitetit të Stenfordit tregoi se njerëzit që ecnin prodhonin më shumë ide krijuese sesa ata që rrinin ulur, kur u kërkohej të gjenin përdorime të pazakonta për objekte të zakonshme. Rrjeti drejtues rikthehet më vonë, për të vlerësuar dhe përzgjedhur idetë më të mira.

Pa e ditur shkencën pas kësaj metode, Steve Jobs po bënte gjithçka siç duhet për të arritur kulmin e krijimtarisë. Ai krijoi produkte aq revolucionare, sa njerëzit as nuk mund t’i imagjinonin. Siç thoshte vetë: “Disa thonë: ‘Jepu klientëve atë që duan.’ Por kjo nuk është qasja ime. Detyra jonë është të kuptojmë çfarë do të duan ata, para se ta dinë edhe vetë.”

Lexo edhe: Shtatë ushqime që duhet t’i konsumoni më shumë (nisur nga tani)

Ecja së bashku forcon lidhjen mes njerëzve

Jobs nuk ecte gjithmonë vetëm. Ai preferonte bisedat duke ecur. “Një shëtitje e gjatë ishte mënyra e tij e parapëlqyer për biseda serioze,” ka thënë biografi i tij, Walter Isaacson. Përveç nxitjes së krijimtarisë, ecja me një person tjetër rrit ndjenjën e afërsisë. Në një studim, çifte njerëzish që nuk njiheshin më parë dolën për një shëtitje së bashku. Ata jo vetëm sinkronizuan hapin, por edhe e vlerësuan njëri-tjetrin më pozitivisht pas shëtitjes, edhe kur nuk u lejohej të flisnin. Ndërkohë, çifte të tjera që thjesht qëndronin ulur në të njëjtën hapësirë nuk treguan të njëjtin efekt.

Pra, çelësi ishte ecja së bashku, jo thjesht ndarja e të njëjtit ambient. Jobs-i e kuptonte fuqinë e kësaj, si për biseda serioze, ashtu edhe për shkëmbim idesh në heshtje.

Jony Ive, ish-drejtues i dizajnit në Apple dhe një nga miqtë më të afërt të Jobs-it, ka thënë: “Të folurit shpesh pengon të dëgjuarin dhe të menduarin. Ndoshta për këtë arsye, një pjesë e madhe e kohës sonë kalonte duke ecur në heshtje.”

Studimet tregojnë vazhdimisht se njerëzit që lëvizin në të njëjtin ritëm krijojnë lidhje më të forta, edhe pa folur. Shëtitjet e shpeshta së bashku, shumë prej tyre në heshtje, mund të shpjegojnë lidhjen e jashtëzakonshme mes Jobs-it dhe Ive-it. Shëtitjet nuk e shpjegojnë plotësisht gjenialitetin e tij, por kanë kontribuar ndjeshëm në të. Edhe mendje të tjera të mëdha, si Friedrich Nietzsche apo Immanuel Kant, njiheshin për shëtitjet e rregullta.

Herën tjetër që ndihesh i bllokuar nga një problem, provo të dalësh për një shëtitje. Ka shumë gjasa të të vijë një ide e mirë.

Toi

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Mos qaj për shkak se mbaroi, por buzëqesh sepse ndodhi.”
— Dr. Seuss
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0