Dy ish-studentë të Harvard-it po lançojnë një palë syze inteligjente me AI, të cilat dëgjojnë, regjistrojnë dhe transkriptojnë çdo bisedë, duke i shfaqur përdoruesit informacion në kohë reale.
“Qëllimi ynë është të krijojmë syze që të bëjnë super inteligjent në momentin që i vendos,” – tha AnhPhu Nguyen, bashkëthemelues i startup-it Halo, kompania që po zhvillon teknologjinë. Ndërsa bashkëthemeluesi tjetër, Caine Ardayfio, e përshkruan produktin si një mjet që “të jep kujtesë të pafundme”. Syzet e quajtura Halo X përdorin mikrofon për të regjistruar çdo fjalë, e më pas transkriptojnë dhe e fshijnë audion. Informacioni i përpunuar i shfaqet përdoruesit në lente, duke dhënë përgjigje ose shpjegime të menjëhershme. Për shembull, nëse dikush pyet për një përllogaritje komplekse, përgjigjja shfaqet automatikisht në ekranin e syzeve. Për të realizuar këtë funksionalitet, Halo përdor chatbot-et Gemini (për llogaritje dhe arsyetim) dhe Perplexity (për kërkime në internet). Për momentin, syzet nuk kanë kamera, por themeluesit po eksplorojnë mundësinë e shtimit në versionet e ardhshme. Ato lidhen me një aplikacion në smartphone për të kryer përpunimin që pajisja nuk arrin ta mbajë vetë.
Halo ka siguruar një investim prej 1 milion dollarësh, i udhëhequr nga Pillar VC, me mbështetje nga Soma Capital, Village Global dhe Morningside Venture. Syzet do të kushtojnë 249 dollarë dhe do të jenë të disponueshme për porosi paraprake duke filluar nga kjo javë. Ardayfio e quan këtë produkt “hapin e parë drejt vibe thinking”, ndërsa dy themeluesit e kanë zhvendosur bazën e tyre në një “Hacker Hostel” në San Francisco Bay Area.
Ndryshe nga Meta Ray-Ban smart glasses, të cilat kanë dritë paralajmëruese kur regjistrojnë, Halo X nuk ka indikator të jashtëm. Kjo e bën produktin më diskret, por ka ngritur shqetësime të mëdha për privatësinë. Eva Galperin, drejtore e sigurisë kibernetike në Electronic Frontier Foundation, paralajmëron: “Normalizimi i një pajisjeje që regjistron gjithmonë, në shumë rrethana kërkon pëlqimin e të gjithë personave të pranishëm. Kjo e minon pritshmërinë për privatësi në bisedat tona të përditshme.”
Në disa shtete amerikane është e paligjshme të regjistrohen biseda pa pëlqimin e të gjitha palëve. Ardayfio thotë se “është përgjegjësi e përdoruesit të marrë pëlqimin” në këto raste. Nguyen shton se në versionin final të produktit të dhënat do të jenë të kriptura fund-me-fund, megjithëse nuk dha prova konkrete. Startup-i synon gjithashtu të marrë certifikimin SOC 2 për sigurinë e të dhënave, pa dhënë një afat përfundimtar. Dyshja nuk janë të panjohur me teknologjitë që ngrejnë shqetësime mbi privatësinë. Më herët ata zhvilluan I-XRAY, një demo që shtonte funksionalitet të njohjes së fytyrës tek syzet Meta Ray-Ban. Në testime, ata demonstruan se si mund të gjendej informacion personal i kalimtarëve brenda sekondave, një projekt që u kritikua ashpër për potencialin e abuzimit. Halo X paraqitet si një hap i guximshëm drejt integrimit të AI në jetën e përditshme, por shoqërohet me dilema serioze etike dhe ligjore. Pyetja që mbetet është: a do ta pranojë publiku normalizimin e një pajisjeje që mund të regjistrojë fshehurazi çdo bisedë?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto