10 vite Startup Grind Tirana – Një dekadë inovacioni, frymëzimi dhe bashkëpunimi
Startup Grind Tirana festoi një dekadë të përkushtimit ndaj sipërmarrjes, inovacionit dhe komunitetit! GrindX, eventi që shënoi përvjetorin e 10-të, mblodhi themelues, startup-e, vizionarë dhe profesionistë për të reflektuar mbi rrugëtimin e përbashkët, për të ndarë historitë e suksesit dhe për të projektuar kapituj të rinj të rritjes dhe ndikimit në ekosistemin shqiptar të sipërmarrjes. Kjo festë solli në një mbrëmje rrjetëzimi, dy panele të pasura me diskutime dhe momente frymëzimi, që forcuan vizionin tonë për të ardhmen.
Që prej themelimit në 2014, Startup Grind Tirana ka qenë në ballë të transformimit të ekosistemit shqiptar. Duke krijuar një hapësirë për ndarjen e njohurive dhe mbështetjen e themeluesve të rinj, ky rrugëtim ka sjellë startup-e të reja në skenë, investime vendimtare dhe një komunitet të ngushtë profesionistësh që nxisin zhvillimin e përbashkët. Me 10 vite përvojë dhe angazhim, ky përvjetor nuk ishte vetëm një festë retrospektive, por edhe një vend për të përgatitur një udhëtim të ri. GrindX shërbeu si ura që lidh të shkuarën e suksesshme me vizionin e guximshëm për të ardhmen. Ne patëm edhe një komunikim live nga Amerika me Endri Mataj, themeluesin e Startup Grind Tirana. Mataj ndau përvojën e tij se si lindi kjo iniciativë, sfidat e fillimit dhe rrugëtimin drejt ngritjes së një komuniteti që sot është një nga shtyllat kryesore të ekosistemit shqiptar të startup-eve. Mesazhi i tij frymëzues përvijoi se si pasioni dhe bashkëpunimi kanë qenë çelësi i suksesit gjatë kësaj dekade.
Lexo edhe:Kevin Sekniqi, sipërmarrësi i teknologjisë në SHBA, sjell një fond privat financimi për startup-et
GrindX organizoi dy panele frymëzuese, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë nga ekspertët më të njohur të ekosistemit shqiptar dhe të përfitojnë nga përvojat e tyre të pasura.
Paneli i parë – Paneli i startupeve
Moderuar nga Aneida Bajraktari Bicja, paneli solli në skenë profesionistë që kanë kontribuar në inovacionin dhe zhvillimin e teknologjisë në Shqipëri:
- Jonilda Filipi, Head of Corporate Affairs në One Albania, e cila me mbështetjen e saj ishte një ndër arsyet që ky event u bë i mundur. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes korporatave dhe startup-eve për të zhvilluar më tej ekosistemin.
- Kushtrim Shala, Konsulent Inovacioni dhe entuziast i teknologjisë, ndau vizionin e tij për rëndësinë e inovacionit në ndërtimin e së ardhmes.
- Ardian Hoxha, sipërmarrës dhe investitor me përvojë ndërkombëtare, ndau mësimet e nxjerra nga sfidat dhe sukseset e tij në tregjet rajonale dhe globale.
- Arlind Haxhiaj, Themelues dhe Drejtor Menaxhues i Coolab, tregoi se si bashkëpunimi mes aktorëve të ndryshëm të startup-eve mund të gjenerojë inovacion dhe zhvillim afatgjatë.
Paneli i dytë – Paneli i sipërmarrësve
Moderuar nga Gerti Boshnjaku, paneli i dytë fokusohej te rrugëtimet e suksesshme të sipërmarrësve shqiptarë. Bisedimet ishin të mbushura me frymëzim, ndërsa pjesëmarrësit ndanë përvojat dhe strategjitë e tyre për të përballuar sfidat dhe për të zhvilluar bizneset:
- Vasil Naçi, CEO dhe President i Agna Group, i njohur për përkushtimin e tij ndaj sipërmarrjes sociale dhe zhvillimit ekonomik, ndau rrugëtimin e tij të suksesshëm ndër vite.
- Arbër Çepani, sipërmarrës energjik dhe themelues i disa bizneseve, ndau përvojën e tij se si ka rritur aktivitetet dhe ndikimin në komunitetin lokal.
- Silvana Kulla, Themeluese dhe CEO e Si-Mac Group, tregoi për sfidat që ka përballuar si një grua sipërmarrëse në një industri meshkujsh dhe vizionin e saj për të ardhmen.
Një falënderim i veçantë iu kushtua Eva Çotës, e cila u kujdes për të frymëzuar të vegjlit e pranishëm përmes aktiviteteve krijuese dhe argëtuese, duke nxitur shpirtin e tyre inovativ dhe kreativ.
Asnjë festë nuk mund të mbyllej pa ushqim të shijshëm, dhe Adams Chips bëri që kjo mbrëmje të ishte akoma më e veçantë me produktet e tyre cilësore. Pjesëmarrësit patën mundësinë të shijonin ushqim të mirë ndërsa rrjetëzoheshin dhe shkëmbenin ide për projekte të reja.
GrindX nuk ishte vetëm një moment për të festuar të kaluarën, por një pikënisje për të ndërtuar kapitullin e ardhshëm të sipërmarrjes në Shqipëri. Startup Grind Tirana synon të thellojë ndikimin e tij në ekosistem, duke ofruar më shumë mundësi për themelues, startup-e dhe investitorë që duan të bëjnë ndryshime të prekshme. Kjo dekadë e parë ka treguar se Tirana dhe Shqipëria mund të shndërrohen në qendra të rëndësishme për sipërmarrjen dhe inovacionin në rajon. Me mbështetjen e komunitetit dhe bashkëpunëtorëve tanë, ne besojmë se ky është vetëm fillimi.
Linku i fotove nga eventi!
Bashkohuni me Startup Grind Tirana për të shkruar dekadat e ardhshme të suksesit së bashku!
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.