Me një model të ngjashëm me atë që aplikohet në Gjermani, nga viti i ri shkollor, në arsimin profesional do të funksionojë Sistemi Dual.
Sipas këtij sistemi, nga viti i dytë, nxënësit, gjysmën e orëve javore të mësimit i zhvillojnë në ambientet e shkollës dhe pjesën tjetër në ambientet e një biznesi, ku dhe do të paguhen me një pagë minimale, ndërkohë që bëjnë praktikën mësimore.
Për kryeministrin, ky është një model që shërben si investim për vetë sipërmarrjet, për të pasur burime njerëzore të kualifikuara. Sipërmarrjet që do të bëhen pjesë e këtij sistemi kanë detyrimin të punësojnë një mentor, që të mbikëqyrë praktikantët, ndërsa do të përfitojnë ulje taksash.
Ndërkohë kryeministri lajmëron se qeveria po shikon mundësinë e një fondi të posaçëm për aftësimin, për të cilin do të kontribuojnë të gjitha bizneset. Një detyrim tjetër që do të kenë sipërmarrjet që do të bëhen pjesë e Sistemit Dual është që në bizneset e tyre, si hotele apo restorante, të kenë ambiente të posaçme për mësimdhënien.
“1% e shpenzimeve totale të bizneseve të mëdha në Shqipëri do të shkojë për arsimin profesional dual”, kështu është shprehur kryeministri i vendit Edi Rama teksa ka prezantuar reformën e re.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se është krijuar Fondi Kombëtar i Arsimit që do të shërbejë për arsimin profesional dual. Në reformën e re parashikohet që nxënësit e këtyre shkollave, ta bëjnë mësimin pranë sipërmarrjeve në vend.
Edi Rama: Ne kemi ende një problem të madh në botën e sipërmarrjes, por e kemi problem kulturor dhe në sektorin publik. Nëse shohim sipërmarrjet e mëdha dhe nëse futemi tek investimet që ata bëjnë në burimet njerëzore: Sa më shumë investojnë tek to, aq më shumë rritet norma e suksesit të tyre në aspektin e pozicionit në treg. Përveç faktit që sipërmarrësit ankohen se nuk janë mirë ekonomikisht, menjëherë fillojnë dhe thonë “nuk kemi njerëz, vijnë e ikin”.
Kjo kërkon një adresim kulturor në radhë të parë për të kuptuar të gjithë se ashtu si bëhet plani për të ndërtuar hotelin, bëhet plani për të ndërtuar burimet njerëzore që do të mbajnë hotelin. Ashtu si bëhet gjithë volumi i investimit, duhet bërë dhe plani që të investosh që të jenë edhe njerëzit që ato materiale të shtrenjta të dinë t’i menaxhojnë dhe harmonizojnë me kulturën e shërbimit. Ne jemi përgatitur të hyjmë në këtë fazë me një vit pilotimi. Ne nuk mund të presim që ndryshimi kulturor të ndodhë kur të ndodhë.
Që sot, punëdhënësit e mëdhenj, të gjitha bizneset e mëdha të Republikës së Shqipërisë duhet ta dinë që 1% e shpenzimeve të tyre totale do të shkojë për këtë punë, ose do ju merret për këtë punë dhe do të krijojmë Fondin Kombëtar të Aftësimit, i cili do të mbështesë gjithë këtë proces duke mos e lënë në vullnetin e sipërmarrjeve, mbi një bazë sistemi koatash dhe kontributesh që do të shkojnë për të financuar zhvillimin e kapitalit njerëzor, si dhe gjithë këtë skemë të arsimit profesional dual.
Opsioni më i mundur është që ky 1% duhet të investohet për trajnimin në vazhdim të personelit dhe për pjesëmarrjen në këtë skemë të arsimimit dual. Shpenzimet e bëra në kuadër të pagesës së nxënësve që do të marrin pjesë në arsimin dual, do konsiderohen shpenzime të zbritshme nga taksat. Kush nuk do të futet në këtë proces, do duhet ta derdhë këtë si kontribut plus taksës, mbi këtë 15%, do të jetë një kontribut ekstra që sipas madhësisë së kompanive që do të shkojë deri në 0.5-1% të shpenzimeve totale vjetore dhe do të derdhet në Fondin Kombëtar të Arsimit.
Do të jetë një fond publik, do të menaxhohet bashkë me përfaqësuesit e sipërmarrjes dhe do të shpenzohet vetëm për këtë punë. Nuk do të jenë të ardhura siç vijnë nga taksat, por do të jenë në këtë fond dhe do të shpenzohen vetëm për këtë punë. Fondi do të shërbejë për të nxitur kompanitë e mesme dhe të vogla që të përfshihen në skemat e arsimit profesional dual.
Investimi që duhet bërë për këtë fond, duhet krijuar mjedisi i shkollës në mjedisin e sipërmarrjes. Do të kemi mjedis të dedikuar. Natyrisht që kjo gjë nuk mund t’i kërkohet hoteleve ekzistuese, por hotelet ekzistuese do të duhet të përfshihen në këtë skemë. Në të gjitha proceset e reja që do të lidhen me lejet e ndërtimit, do të fusim komponentin për arsimin dual dhe për zhvillimin profesional.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.