Si të shmangim zhgënjimin nga blerjet online në rrjetet sociale, si Facebook dhe Instagram? - Business Magazine Albania

Si të shmangim zhgënjimin nga blerjet online në rrjetet sociale, si Facebook dhe Instagram?

Blerjet online kanë patur një bum në të gjithë botën. I ndihmuar dhe nga pandemia, ky sektor ka patur një rritje të jashtëzakonshme. E njëjta gjë ndodhi dhe në Shqipëri. Ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri shumë pak blerje bëhen nga faqe interneti ose platforma të dedikuara e-commerce. Pjesa më e madhe bëhen nga rrjetet sociale si Facebook dhe Instagram. Kjo gjë i ka dhënë mundësinë personave të ndryshëm ta keqpërdorin besimin e konsumatorit shqiptar, duke i lënë atyre një shije të keqe nga kjo eksperiencë. Të shtuara si kërpudhat pas shiut, shumë faqe mashtrojnë nga mënyrat më të ndryshme, duke filluar nga reklamimi i një produkti dhe dërguar një tjetër, nga përshkrimi dhe karakteristikat e produktit, dërgimi i një produkti të dëmtuar ose me defekt, etj., dhe duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi më pas.

Si një njohës i kësaj industrie në 3 vitet e fundit, dua t’ju tregoj çfarë hapash ndjek para se të bëj një porosi në rrjetet sociale dhe çfarë përshtypjesh më lë një faqe në Facebook apo Instagram.

Së pari, kur klikoj një faqe në Facebook shkoj te seksioni i Review (Vlerësimeve), negativet të parat. Këtu mund të lexojmë vlerësimet e bëra për biznesin/kompaninë/shërbimin e ofruar, produkteve të ndryshme që ofrojnë dhe çfarë eksperience kanë pasur nga porositja në këtë faqe klientët e mëparshëm. Këtu mund të krijoj një ide të përgjithshme rreth kësaj faqe. Po nëse kjo faqe i ka të mbyllura Review? Unë personalisht i qëndroj larg. Shumica e faqeve në Facebook nuk i kanë produktet e prodhuara vetë dhe skanë pse t’ju vijë keq kur i kritikojnë për cilësinë, fundja ne marrim çfarë paguajmë.

Gjërat janë të shumë të thjeshta nëse jemi të sinqertë. Ky është produkti, ka këtë çmim. Të pëlqen? E blen. S’të pëlqen? Nuk e blen. Të erdhi me defekt? Ta ndërrojmë ose kthejmë lekët. Nuk të pëlqeu kur e more apo kishe krijuar përshtypje tjetër nga fotot? Pa problem, ma dërgo siç të erdhi, paguaj tarifën e transportit, të kthej kusurin.

Sipas mendimit tim mbyllja e Review-ve vjen si pasojë e vlerësimeve negative kundrejt shërbimit të ofruar nga kjo faqe. Siç mund të jetë mos dërgimi i produktit në kohë, shërbim i keq i klientit, dërgimi i produktit me defekt dhe më pas nuk ju përgjigjen për ndërrimin ose kthimin e tij, dërgim të produktit të ndryshëm nga çfarë kanë reklamuar ose përshkruar, etj. Të gjithë këto janë përgjegjësi e kësaj faqe ose biznesi.

Në instagram nuk është sistemi i vlerësimeve, por mund të kërkojmë për të njëjtin emër në Facebook dhe shohim aty.

Lexo: Covid-19/ Rriten kërkesat, ja çfarë po blejnë shqiptarët ONLINE

Së dyti, shikoj informacionet kryesore rreth këtij biznesi. Tek Home, seksioni About mund të shikojmë nëse biznesi ka një adresë fizike apo jo. A ka faqe interneti? Numër Telefoni? Kontakte të tjera? Të gjithë këto kanë të bëjnë me transparencën e një biznesi dhe rritjen e besueshmërisë së klientit. Nëse një biznes nuk është transparent, qëndroi larg.

Së treti, shkoj tek profili i kompanisë në Facebook, te Home, Seksioni Page Transparency. Këtu mund të shikojmë datën e krijimit, emrat e mëparshëm që mund të ketë patur faqja si dhe vendndodhjen e personave që menaxhojnë faqen.

Ndërsa në Instagram shkoj tek profili. Lart në të djathtë klikoj 3 pikat, About This Account dhe këtu mund të shikoj informacione si Data e hapjes së Llogarisë, vendin nga menaxhohet ose është hapur, si dhe emrat e mëparshëm të llogarisë. Nëse ka patur ndryshime të shpeshta të emrit të llogarisë, atëherë mendoj se përse ka ndodhur kjo dhe sigurisht që ndikon në vendimmarrjen time për të blerë ose jo në këtë faqe.

Së fundi, shikoj postimet. Shumë prej tyre nuk kanë të shkruar çmimin apo informacione të tjera rreth produktit. Përse nuk shkruhet çmimi kur produkti që reklamohet është për t’u shitur? Përse çmimi duhet të jetë sekret?

Disa faqe tek pjesa e komenteve nuk kthejnë përgjigje ose komentojnë tek postimet e bëra. Pse? Ka njerëz që pyesin dhe janë të interesuar për të blerë, ndërkohë që reklamuesi nuk i kthen përgjigje askujt. Në disa raste i shkruajnë “Ju kemi kontaktuar në Inbox”.

A janë këto papërgjegjshmëri apo fshehin diçka? A duhet t’i besojmë dhe të blejmë nga këto faqe? Vlerësimet po jua lë juve !

Nëse keni diçka të paqartë, mos ngurroni të pyesni dhe të kërkoni informacione shtesë rreth produktit apo shërbimit që dëshironi. Fundja po e blini me lekët tuaja, nuk po jua falin. Nëse keni dyshime atëherë ju sugjeroj të mos blini, por të shikoni diku tjetër.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0