Absolut Vodka zbulon boshllëqet në mënyrën si ChatGPT flet për markat! - Business Magazine Albania

Absolut Vodka zbulon boshllëqet në mënyrën si ChatGPT flet për markat!

Kur Absolut Vodka deshi të kuptonte se si konsumatorët po përdorin ChatGPT për të kërkuar këshilla mbi miksimin e koktejve (mixology), zbuloi diçka të habitshme: pothuajse 70% e përgjigjeve që ChatGPT jepte nuk përmendnin asnjë markë. Ky është një moment i madh mundësie për të ndërtuar histori rreth markës, për të pozicionuar më qartë markat dhe për të shfrytëzuar burime si Reddit për më shumë ndikim.

Këto të dhëna u prezantuan nga Mathilde Guinaudeau, drejtoreshë menaxhuese në Ipsos, gjatë Kongresit ESOMAR 2025, ku ajo theksoi se optimizimi për kërkimet gjenerative (Generative Search Optimization – GSO) po transformon rrënjësisht mënyrën si markat ndërtojnë imazhin e tyre në mendjet e konsumatorëve. “Kërkimi nuk do të jetë më kurrë si më parë,” – tha Guinaudeau.

Sipas të dhënave të Ipsos:

  • Google mbetet motori më i përdorur i kërkimit, por ChatGPT është tashmë faqja e pestë më e vizituar në botë, duke lënë pas X (ish-Twitter) dhe Wikipedia.

  • ChatGPT pritet të arrijë 1 miliard përdorues deri në fund të vitit 2025, me 700 milionë përdorues unikë në javë.

  • 39% e konsumatorëve francezë (fokusi i hulumtimit) tashmë përdorin inteligjencën artificiale gjenerative, dhe ky numër arrin në 74% te të rinjtë 18–24 vjeç.

  • Kërkimi i informacionit është arsyeja kryesore pse përdoruesit i drejtohen AI-së, duke zënë mbi 50% të përdorimeve.

Lexo edhe: Think Big – AADF dhe vizioni për të rinjtë dhe të ardhmen!

Si e portretizon ChatGPT markën Absolut?

Qëllimet e studimit përfshinin:

  • Të kuptohej si e përshkruan ChatGPT markën Absolut në krahasim me konkurrencën;

  • Të zbulohej çfarë lloj informacioni konsumatorët po marrin për markën;

  • Të identifikoheshin burimet që mund të ndikojnë për të rritur praninë e Absolut në rezultatet e kërkimeve.

Metodologjia: U përdorën mbi 4,500 pyetje testuese (proxy), u analizuan afro 10,000 përgjigje dhe u identifikuan 3,000 burime të ndryshme nga ku ChatGPT merr informacionin. Ndër to, Wikipedia dhe Reddit rezultuan ndër burimet kryesore. Rreth 42% e pyetjeve ishin për si të përgatitesh kokteje.

Guinaudeau shtroi pyetjen thelbësore: “A ka një boshllëk midis pozicionimit të pavarur që kemi ndërtuar si markë dhe mënyrës si ChatGPT e përshkruan Absolut?”

Boshllëqe në mënyrën e përshkrimit të markës

Studimi tregoi se ChatGPT shpesh nuk përmendte disa tipare kyçe të identitetit të Absolut, si:

  • trashëgimi e fortë e markës (brand heritage),
  • progresivitet dhe gjithëpërfshirje (inclusivity),
  • lidhje me kulturën muzikore.

Tipare të tjera, si kreativiteti, përmendeshin vetëm në kontekstin e dizajnit të shishes – jo në mënyrë më të gjerë. Elena Franceschini, drejtore globale e analizave të konsumatorit për Pernod Ricard (kompania që zotëron Absolut), pranoi se ky është një problem, por edhe një mundësi reale. “Lajmi i mirë është se burimet nga të cilat AI po merr informacionin janë burime që ne mund t’i ndikojmë.” Konkluzioni i saj ishte i qartë:“Duhet patjetër të jemi në kontroll të narrativës. Është diçka bazike. Duhet të dimë çfarë po thotë AI për markën tonë.”Ajo sugjeroi që markat duhet të aktivizojnë dhe shfrytëzojnë burimet e AI-së, dhe ta bëjnë këtë në mënyrë të saktë, të kujdesshme dhe strategjike. Mjetet ekzistojnë për të ndikuar, por është në dorën e markave t’i përdorin.

Mësime për një strategji të fortë GSO (Generative Search Optimization)

  1. Parashiko pyetjet, zotëro fjalët kyçe.

  2. Shiko markën tënde me sytë e AI-së – rregullo, përshtat dhe monitoro imazhin që krijon.

  3. Krijo përmbajtje të besueshme e autoritative që AI ta marrë seriozisht dhe t’i japë peshë.

  4. Fokusohu te burimet që AI i beson, si Wikipedia dhe Reddit – aty duhet të jesh i pranishëm dhe aktiv.

warc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0