Si të ndryshosh mendimin e të tjerëve? Ja disa truke të thjeshta q... - Business Magazine Albania

Si të ndryshosh mendimin e të tjerëve? Ja disa truke të thjeshta që funksionojnë

A mund të ndryshojmë mendimin e dikujt pa shkaktuar përplasje apo tension? Filozofi Karl Popper thoshte se “rritja e dijes varet tërësisht nga mospajtimi,” duke theksuar se debati është thelbësor për evolucionin e ideve. Por mënyra si e zhvillojmë atë debat mund të bëjë ndryshimin mes një bisede të frytshme dhe një debati të ashpër pa përfundim.

Hulumtime të fundit në psikologji sugjerojnë se disa teknika të thjeshta mund të na ndihmojnë të kemi diskutime më konstruktive për çështje të ndjeshme dhe madje të ndikojmë në mendimin e të tjerëve pa i detyruar ata të mbrohen.

Lexo gjithashtu: Ky rregull 10-minutësh do t’ju ndihmojë të mësoni më shpejt dhe përmirësoni kujtesën

Kureshtja është çelësi

Një nga arsyet kryesore pse debatet shndërrohen në përplasje është supozimi i gabuar që bëjmë për qëllimet e tjetrit. Sipas një studimi të fundit mbi miqësinë, pjesëmarrësit priren të mbivlerësojnë dëshirën e të tjerëve për t’i bindur ata dhe nënvlerësojnë gatishmërinë e tyre për të dëgjuar një perspektivë tjetër.

Në një eksperiment në Universitetin e Stanfordit, studiuesit zbuluan se vetëm një pyetje e thjeshtë, “Më intereson mendimi yt, mund të më tregosh më shumë rreth arsyetimit tënd?”, mund të ndryshonte rrënjësisht tonin e një debati. Ata që u përballën me këtë pyetje u treguan më të hapur ndaj argumenteve të kundërta dhe më të gatshëm për të reflektuar mbi pikëpamjet e tyre.

Përdor përvojën personale, jo vetëm faktet

Shumë njerëz besojnë se për të bindur dikë, duhet të mbështeten vetëm te faktet dhe logjika. Megjithatë, hulumtimet tregojnë se ndarja e përvojave personale mund të jetë më bindëse se një listë statistikash.

Në një eksperiment tjetër, pjesëmarrësit kishin më shumë respekt dhe e konsideronin më racional një person që shpjegonte një pikëpamje bazuar në përvojën e tij sesa dikë që mbështetej vetëm te të dhënat numerike. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në çështje të ndjeshme si kontrolli i armëve, aborti apo emigracioni.

Sigurisht, faktet mbeten të rëndësishme, por një kombinim i të dhënave dhe historive personale krijon një ndikim më të madh.

Lexo gjithashtu: 3 këshilla që do t’ju ndihmojnë të pasuroheni!

Ruaj qetësinë dhe respektin

Gjatë debateve, sjellja jonë ka po aq rëndësi sa përmbajtja e argumenteve tona. Studime të shumta kanë treguar se agresiviteti dhe mungesa e respektit e bëjnë një person më pak të gatshëm të ndryshojë mendim, madje edhe nëse faktet janë në favor të kundërshtarit të tij.

Ky fenomen njihet si “Parimi Montagu,” bazuar në shprehjen e aristokrates britanike Lady Mary Ëortley Montagu: “Mirësjellja nuk kushton asgjë, por blen gjithçka.” Nëse duam të ndikojmë te të tjerët, duhet të shmangim përbuzjen dhe të tregojmë mirëkuptim.

Edhe bisedat e shkurtra mund të bëjnë ndryshim

Një studim mbi zgjedhjet e mesmandatit në SHBA në 2018 tregoi se edhe një bisedë 11-minutëshe mund të ndryshojë perceptimin e një personi për një çështje politike. Pjesëmarrësit që u përfshinë në një shkëmbim të ndërsjellë përvojash personale dhe faktesh treguan një prirje më të madhe për të rishqyrtuar bindjet e tyre.

Edhe pse ndikimi mund të jetë i vogël në nivel individual, në shkallë më të gjerë mund të ketë pasoja të rëndësishme sociale.

Mëso të dëgjosh për të ndikuar

Nëse duam të ndryshojmë mendimin e të tjerëve, duhet të fillojmë duke dëgjuar, jo duke sulmuar. Duke treguar kureshtje të sinqertë, duke ndarë përvoja personale dhe duke ruajtur respektin në debat, ne mund të krijojmë një hapësirë ku të gjithë ndihen të dëgjuar, dhe më të hapur ndaj ndryshimit.

Ndoshta, siç thoshte edhe Karl Popper, rritja e dijes vërtet varet nga mospajtimi, por vetëm nëse dimë si ta menaxhojmë atë me mençuri.

BBC

 

 

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0