Si të mposhtësh FOMO-n, frikën nga humbja e shanseve?

Si të mposhtësh FOMO-n, frikën nga humbja e shanseve?


Imagjino pak këtë skenar: Je shtrirë në divanin tënd dhe zgjat dorën tek telefoni, tashmë të është bërë instinkt, shkon menjëherë, hap një nga rrjetet sociale dhe ç’të shikosh: postime nga një shok që është në atë udhëtimin fantastik, nderkohë ish kolegu del live nga pushimet në Londër, ja dhe një tjetër që po tregon makinën e tij luksoze, kurse ai personi që je takuar vetëm një herë gjithsej, ai gjendet në stadium duke parë ndeshjen që ti ke dashur gjithmonë të shikosh.

Dhe këtu fillon një dallgë FOMO. E shikon? Vetem ti ke strese, mërzitje, probleme, të gjithë po jetojnë një jetë shumë të lumtur e të kënaqur.

FOMOPara disa minutash ishe i rehatur në shtëpinë tënde, në divanin tënd, ndërsa edhe tani po në të njëjtin divan je, por tashmë komforti i ka lënë vendin shqetësimit. Vallë çfarë po humb, po unë ç’bëj këtu ndërkohë që të gjithë dalin, shëtisin, darkojnë nëpër restorante të shkëlqyera, bëjnë pushime nëpër vende të mrekullueshme, kanë veshjet më të shtrenjta, takojnë njerëz të rëndësishëm, arrijnë suksese të medha…

Mik, le të jemi të sinqertë…Sa herë je ndjerë sikur po e çon jetën tënde dëm? Mos u shqetëso, nuk je i vetmi. Në kohën e Facebook, Twitter dhe Instagram të gjithëve na ka kapluar FOMO.  Po çfarë është kjo? FOMO është një akronim në gjuhën angleze për “Fear of missing out”, përshtatur në shqip mund të themi “Frika nga lënia jashtë loje” ose “ frika e të humburit të shanseve”.

Pryzybylski, një ndër studiuesit më të rëndësishëm të këtij fenomeni, thotë se tre të katërtat e të rinjve diagnostikojnë veten me FOMO. Në një studim nga JWTIntelligence publikuar në 2012, tregohet se afërsisht 40% e personave nga 12 deri 67 vjeç pranojnë se rrjetet sociale e kanë rritur frikën e të humburit të shanseve (FOMO).

Në fushën e ekonomisë, FOMO ngjason me “koston oportune”. Kostoja oportune është “heqja dorë nga një e mirë dhe zgjedhja e një të mire më të vlefshme”. Por, a bëjmë gjithmonë zgjedhjen e duhur? Pikërisht këtu fillon edhe frika apo ankthi. Pra, thënë ndryshe, duke zgjedhur që të jeni në shtëpi një të shtunë në mbrëmje, keni “sakrifikuar” opsionet e tjera ku ndoshta mund të kenaqeshit më shumë.

Duhet thënë se pikërisht ky ankth dhe kjo ndjenjë frike e parehatie përdoret më së miri nga bizneset, sidomos rrjetet sociale. A je i sigurt që nuk të duhet ky produkt? Ndoshta të duhet dhe ky aplikacion. Pastaj, miqtë e tu e kanë blerë këtë smartphone, a je i sigurt që nuk do ta blesh dhe ti? Po sikur të jesh duke humbur diçka meqë nuk ke të njëjtin smartphone?

Ndjenjat e forta që po të mungon diçka, kanë shumë influencë se çfarë ti mik vendos të blesh e konsumosh. Siç thotë dhe Dykman në artikullin e tij në vitin 2012, për shkak të presionit që të mos humbasësh asgjë, ti vendos të konsumosh diçka ose të bësh diçka që normalisht nuk do ta bëje, thjesht vetëm “për të mos e humbur atë shans, për të mos u ndjerë i përjashtuar”.

Lexo këtu: Hoqa dorë nga rrjetet sociale për një muaj dhe kjo ishte zgjedhja më e mirë që kam bërë ndonjëherë

Natyrshëm lind pyetja, pse e kemi këtë frikë? Kjo frikë vjen si pasojë e nevojës për të mos mbetur jashtë loje, për të mos u përjashtuar nga shoqëria, për të qenë pjesë e grupit që ai individ vlerëson. Ky sens përjashtimi nga shoqëria, qoftë real, qoftë imagjinar, si pasojë, ul cilësinë e jetesës. Një shpjegim vjen nga psikologjia e evolucionit, që thotë se cilido që është përjashtuar nga grupi apo klani i tij dhe si pasojë ka mbetur vetëm, ka qenë i destinuar të mos mbijetojë. Këtë frikë përjashtimi, qenia njerëzore e ka mbartur me vete deri sot. Pavarësisht se kur unë e ti nuk jemi të kërcënuar me jetë kur nuk jemi pjesë e një feste ditëlindjeje, truri ynë reagon në të njëjtën formë, sepse ndihemi të përjashtuar, të lënë jashtë loje.

Për ta mposhtur këtë frikë duhet të kuptosh që brezi ynë është rritur me frikën që ndoshta nuk po bën sa duhet, me dëshirën për të maksimizuar opsionet, për të optimizuar veten pa reshtur dhe me frikën se nuk po merr maksimumin nga jeta…

Po çfarë duhet të bësh nëse fillon të ndjesh këtë lloj ankthi e frike? Së pari të jesh i sigurt që çfarë sheh në rrjetet sociale është vetëm një fotografi, një moment, një pjesëz e jetës së atyre personave dhe nuk mund kurrësesi të arrish në konkluzione e rezultate për pushimet, për punën, për familjen e dikujt, bazuar vetëm në disa momente.

Së dyti, kujto që aplikacione si rrjetet sociale janë të ndërtuara në atë formë që të shfrytëzojnë frikërat më njerezore dhe të fitojnë para bazuar në këtë. Për dikë shërimi mund të jetë largimi nga rrjetet sociale, për dikë minimizimi, ndërsa për dikë tjetër është përdorimi i rrjeteve sociale si formë të shprehuri. Për sa kohë ti kujdesesh për shëndetin tënd fizik e mendor, çdo gjë është në rregull.

Së fundi, mund ta pranosh këtë ndjesi dhe mos e lufto, ndoshta në atë moment vërtet ky person po kalon mirë. Në një moment tjetër edhe ti do kalosh shumë mirë. Lumturia nuk është në sasi të limituar në botë, nuk do të thotë që nëse dikush është i lumtur, atëherë ti nuk mund të jesh më i lumtur, sepse lumturisë nuk i mbarojnë rezervat. Përkundrazi!

Kështu mund të jesh më tolerant me veten dhe t’i shijosh pushimet, arritjet, sukseset, familjen, punën dhe çdo element tjetër të jetës tënde.

Shkruar nga Anisa Tahiri, psikologe

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0