Si të mos e “vrisni” biznesin tuaj? Disa këshilla nga Makwana dhe Morrow në seminarin “The Start up Business & Access to Finance”

Si të mos e “vrisni” biznesin tuaj? Disa këshilla nga Makwana dhe Morrow në seminarin “The Start up Business & Access to Finance”


Nëse jeni një sipërmarrës, a e keni pyetur veten sa mund të mbijetojë biznesi juaj pa praninë tuaj?! Kjo ishte një nga pyetjet e Këshilltarit të ish kryeministrit britanik, Ketan Makwana në seminarin “The Start up Business & Access to Finance”, që vuri në mendime të gjithë sipërmarrësit e rinj të pranishëm në Universitetin “Marin Barleti”.

Ketan Makwana, nga Enterprise Lab, folës ndërkombëtar, theksoi gjatë takimit me dhjetëra të rinj se një nga bazat për biznes të suksesshëm është ndërtimi i sistemit në sipërmarrje. Çdo biznesmen, që mendon se sipërmarrja e tij nuk mund të mbijetonte pa të më shumë se 6 muaj, nuk ka ngritur sistemin e duhur.

Edhe nëse flisni në vetën e parë, unë, unë, unë, nuk jeni aspak në rrugën e duhur sipas tij. “Ego është armiku i biznesit tuaj, ai e vret biznesin tuaj”, tha Makwana.

Sipas Ketan, një sipërmarrës i suksesshëm duhet të arrijë në atë nivel menaxhimi sa të vlerësojë kohën e tij dhe jo produktin. Ngritja e sistemeve, si në menaxhim, administrim, etj, nënkupton në mënyrë të pashmangshme fuqizimin e punonjësve, ndarjen e qartë të përgjegjësive të tyre dhe formimin e vazhdueshëm të tyre.

Bill Morrow, nga Angels Dan, një tjetër folës në seminarin e organizuar në bashkëpunim me New Media Communications, mendon se gjëja më e vështirë në një biznes, është pikërisht të qëndruarit në biznes. Ekspert në fushën e financave, ai u tregoi të rinjve sipërmarrës, se çdokush ka nevojë për financim, por mundësitë e financimit janë pikërisht atëherë kur pritshmëritë për rritje janë të mëdha. Por ka të tjera nevoja bazë për sipërmarrje të suksesshme, sipas Morrow, a) mentorim, b) përvojë. “Ajo çfarë ju vret në biznes, është pikërisht ajo çfarë nuk njihni” sipas tij.

Në këtë event, sipërmarrësit e rinj morën njohuri për ndërtimin e një startup-i dhe tërheqjen e investimeve. Disa nga pikat e seminarit ishin: vështrimi mbi udhëtimin sipërmarrës, vlerësimi i idesë dhe procesi i lançimit, procesi i auditimit se sa efektiv është startup-i juaj, procesi i kuptimit të gatishmërisë për investime, marrëveshje të sukesshme për të marrë investime si dhe investimet ëngjëll dhe financa alternative.

Çfarë është Enterprise Lab?

Enterprise Lab është një agjenci dinamike që mbështet bizneset dhe udhëheqësit e saj në përcaktimin e strategjive kyçe për rritje dhe prosperitet. Duke punuar në arenën e inovacionit, ajo ofron shërbime dhe zgjidhje për bizneset e të gjitha madhësive dhe liderëve të tyre, në mënyrë që të mund të vazhdojnë dhe të zhvillohen në industritë e tyre. Si agjenci vepron në shumë vende përmes rrjetit të ekspertëve, profesionistëve dhe partnerëve lokalë e ndërkombëtarë.

Në një botë konkurruese, ju duhet një avantazh konkurrues, sipas Enterprise Lab.

Ketan Makwana
Folës i mirënjohur dhe strateg biznesi, Ketan Makwana ka mbështetur fillimin e mbi 3500 bizneseve anembanë botës; si një autoritet kryesor në strategjinë e biznesit, Ketan ka punuar me qeveritë dhe ministritë në të gjithë botën në zhvillimin e ekosistemeve të ndërmarrjeve dhe programeve për prosperitet. Ketan ka qenë ish Këshilltar Special i Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Politikat e Rinisë dhe Sipërmarrjes dhe bën pjesë në shumë borde këshillimore të bizneseve dhe institucioneve si MIT dhe British Council.

Bill Morrow
Që nga fillimi në fushën e financave brenda “Virgin”, Bill hyri në Bankën e Investimeve, në të cilën ka shitur biznesin e tij të parë në “Wall Street Bank”; pasi u tërhoq, zbuloi energjinë dhe pasionin për biznesin dhe financimin. Bill krijoi “Angels Den” në vitin 2007, i cili ka qenë rrjeti më i madh i Investitorëve Ëngjëll në Britaninë e Madhe. Mbi 92% e të gjitha bizneseve ku është investuar, janë ende aktive dhe në rritje. City AM e quajti Bill si figurën më të fuqishme të botës në financat alternative. Sot Angels Den ndihmon më shumë se 5,000 nisma në vit në 10 vende.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0