Rasti i grupit fiktiv Velvet Sundown, i cili vjen me muzikë, tekste dhe kopertina albumesh të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, ka nxitur debat rreth mënyrës se si teknologjia po i fshin kufijtë mes krijimtarisë njerëzore dhe asaj sintetike në industrinë muzikore. Pyetja që shtrohet gjithnjë e më shumë është: a duhet që krijuesit të jenë transparentë me publikun për përdorimin e AI-së?
Softuerët kompjuterikë janë përdorur prej kohësh në prodhimin muzikor, por inteligjenca artificiale është mjeti më i fundit në duart e DJ-ve dhe producentëve. Me ngritjen e platformave si Suno dhe Udio, çdo kush mund të krijojë një këngë me disa fjalë kyçe, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si bëhet muzika. Ndërkohë që një pjesë e dëgjuesve nuk shqetësohen nëse një këngë është krijuar nga AI, të tjerë janë kuriozë ta dinë. Nëse keni dëgjuar një këngë të re dhe dyshoni nëse është e krijuar tërësisht nga inteligjenca artificiale, ja disa mënyra që mund t’ju ndihmojnë ta zbuloni:
1. Kontrolloni informacionin rreth krijuesit
Metoda më e thjeshtë është kërkimi klasik online. Sipas Manuel Mousallam, drejtues i kërkimit dhe zhvillimit në platformën Deezer, “shenjat më të dukshme vijnë nga faktorët e jashtëm”. A ka grupi apo artisti një profil në rrjete sociale? Mungesa e prezencës online mund të jetë tregues se pas tij nuk qëndron një person real. Nëse ekziston një prani online, shikoni çfarë përmbajtje shpërndajnë dhe sa kohë më parë ka nisur aktiviteti i tyre. A ka ndonjë provë që ky artist ekziston në jetën reale? A organizojnë koncerte dhe a mund të blini bileta për ta? A ka video të performancave të tyre në YouTube? Apo ndoshta një shtëpi diskografike e njohur ka publikuar albumin apo këngët e tyre? Një tjetër mënyrë është të kërkoni drejtpërdrejt në burim. Shumë krijues i publikojnë këngët e tyre të gjeneruara në platformat si Suno apo Udio, të cilat ofrojnë kërkim sipas emrit të këngës, zhanrit ose pseudonimit të autorit, megjithatë duhet të regjistroheni për të pasur akses.
2. Kërkoni për tags identifikues
Platforma si Deezer kanë nisur të etiketojnë albumet që përmbajnë këngë të krijuara nga AI. Përdoruesit njoftohen në ekran me një shënim si “Përmbajtje e gjeneruar nga AI”, për të qenë sa më transparentë dhe për të luftuar mashtrimet në rrjetet e shpërndarjes së muzikës. CEO i Deezer ka bërë të ditur se kjo teknologji e brendshme analizon modele të dallueshme në audio-të e krijuara nga AI, megjithëse nuk është sqaruar sa këngë janë etiketuar deri tani. Sipas tyre, deri në 18% të këngëve që ngarkohen çdo ditë në platformë janë të krijuara nga inteligjenca artificiale.
Lexo edhe:Apple do të rrisë ndjeshëm investimet në AI, thotë Tim Cook
3. Përdorni detektorë të jashtëm
Disa platforma të pavarura online premtojnë të zbulojnë nëse një këngë është krijuar nga AI apo njeriu. Për shembull, mjeti i analizës nga IRCAM Amplify – pjesë e institutit francez për kërkime muzikore IRCAM – arrin të japë një probabilitet të lartë për këngët e krijuara nga Suno, duke i dalluar me saktësi nga krijimet njerëzore. Megjithatë, ky mjet kërkon të ngarkoni skedarin e këngës, pasi nuk lejon të analizoni lidhje nga platformat si Spotify. Disa faqe të tjera ofrojnë edhe analizë nga linku, por rezultatet shpesh janë të pasakta ose të paqarta.
4. Analizoni tekstin
Shumë përdorues seriozë preferojnë të shkruajnë vetë tekstin dhe më pas të përdorin AI për muzikën, pasi tekstet e gjeneruara automatikisht shpesh janë të dobëta. Nëse tekstet e një kënge janë shumë të përsëritura, kanë rimime të dobëta ose përdorin fjalë të çuditshme në mënyrë të përsëritur, mund të jetë një shenjë. Për shembull, sipas disa përdoruesve, Suno ka tendencë të përdorë fjalë si “neon”, “hije” apo “pëshpëritje”. “Po dëgjuat ‘neon’, është pothuajse gjithmonë një këngë nga AI,” thotë Lukas Rams, një banor në Filadelfia që ka krijuar tre albume me grupin e tij AI, Sleeping with Wolves.
5. Dëgjimi nuk mjafton më
Ekspertët bien dakord se me përmirësimin e teknologjisë, dallimi me vesh është gjithnjë e më i vështirë. “Sot është shumë e vështirë të dallosh nëse një këngë është krijuar nga AI vetëm duke e dëgjuar,” shpjegon Mousallam nga Deezer. “Modelet gjenerative si Suno dhe Udio janë në zhvillim të vazhdueshëm, çka do të thotë se shenjat e dikurshme si efekti specifik i zërit apo reverbi nuk janë më tregues të sigurt.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto