Si kanë ndikuar rishikimet ligjore në zhvillimin e industrisë imobiliare vitin e fundit - Business Magazine Albania

Si kanë ndikuar rishikimet ligjore në zhvillimin e industrisë imobiliare vitin e fundit

industri imobiliare

Në 27 Janar 2022, Parlamenti votoi ligjin e ri për Profesionin e Ndërmjetësimit të Pasurive të Paluajtshme.

I jemi drejtuar Drejtorit të Kompanisë më të madhe të industrisë imobiliare në Shqipëri, zotit Jonian Antoni nga Century21 Albania, për të marrë një opinion të zgjeruar mbi impaktet dhe risitë që sjell ky ligj për publikun shqiptar dhe për Tregun e Pasurive te Paluajtshme.

  1. Antoni thekson se ky ligj ka qenë një hap shumë i rëndësishëm në formalizimin dhe strukturimin e tregut të pasurisë së paluajtshme. Sipas ligjit të vjetër, prej më shumë se 12 vitesh agjencitë imobiliare kanë detyrimin të regjistrojnë çdo transaksion dhe relativisht të raportojnë rastet e dyshimta pranë DPPP, (Departamenti Parandalimit dhe Pastrimit të Parave). Ndërmjet këtij ligji, ky detyrim qëndron i njëjtë, por nëse agjencitë ose agjentët nuk regjistrojnë dhe nuk raportojnë siç parashikohet në ligj, nuk do rrezikojnë më vetëm gjobat e larta, por do rrezikojnë edhe liçensat e tyre dhe vazhdimësinë e punës. Pra, agjentët dhe agjencitë imobiliare duhet të jenë edhe më të kujdesshëm sepse përveç gjobave rrezikojnë edhe liçensën.

Pas 32 vitesh në tregun imobiliar, më së fundmi kemi “Liçensime” të profesionistëve të fushës. Liçensat do sigurojnë që aplikanti të plotesojë disa kërkesa personale si: arsimi, mosha, vërtetime statusit ligjor etj, por edhe ndjekjen nga ana tij të 60 orëve trajnimesh. Këto trajnime janë të domosdoshme  për të ngritur nivelin e shërbimit dhe për të përmirësuar industrinë në përgjithësi.

 

Sipas z. Antoni brenda një hapësire kohore 2-3 vjeçare, standardi i shërbimit dhe cilësia e shërbimeve të përfituara nga klienti fundor do rriten ndjeshëm pa kosto shtesë për klientin. Gjithashtu ligji për herë të parë njeh kontratat, formatet e kontratave dhe detyrimet e klientëve të agjencive imobiliare. Një element shumë i rëndësishëm për industrinë. Ndër të rejat më të rëndësishme që sjell ky ligj është përqasja për herë të parë me kodin e etikës disiplinore dhe kodin e sjelljes për agjentët imobiliar.

Jo vetëm që ata do trajnohen, por do kenë edhe një komision që i ndjek kur ata keqpërdorin besimin, të dhënat e klienteve apo shkelje të tjera.

Ky komision do jetë esencial për të përmirësuar shërbimin e dhënë nga agjencitë imobiliare dhe për ta drejtuar atë në një shërbim të barabartë dhe profesional si në vendet perëndimore. Në kriteret kryesore të këtij komisioni do jetë detyrimi i agjentit imobiliar për të arritur qëllimet e klientit dhe mos-animi i agjentit nga njeri apo tjetri klient.

Thënë kjo, është maksimalisht e rëndësishme që Ministria përkatëse që do të mbulojë këto liçensa të sigurojë tregun e lirë dhe prurjet e reja. Duhen marrë masa të menjëhershme që të krijohen hapësirat për këdo që vjen nga brenda apo jashtë vendit për të hyrë në treg dhe të liçensohen në kohë për të mos krijuar monopole liçensash.

Kujtojmë që shërbimi i agjencive imobiliare është dhe duhet te mbetet një shërbim i lirë, të cilin Shtetasit Shqiptar (bleresit ose shitesit) e zgjedhin me deshirë dhe kundrejt një tregu që ofron shërbime të ndryshme me çmime kompetitive.

Rritja e standardit të shërbimeve do vazhdojë të vijë në një treg kompetitiv me të njëjtat kosto si më parë.

Së fundmi, Z. Antoni thekson se për agjenci me perqasje Globale si Century 21 rritja e këtyre standardeve dhe përmiresimi i kuadrit ligjor është shume i rëndësishëm si për tregun aktual ashtu edhe për tregun në vitet në vijim. Kërkesat nga klientët vendas dhe të huaj çdo ditë po vijojnë të rriten duke e bërë “Ndërmjetësimin e Pasurive të Paluajtshme” një element shumë të rëndësishëm në zhvillimin e tregut të përgjithshëm.

Sipas statistikave që kanë agjencitë imobiliare tregu i përgjthshëm i pasurive të paluajtshme në Shqipëri në vitin 2021, ka patur një qarkullim prej 1.2 Miliard Euro në vit (shifër e parashikuar pasi nuk ekzistojnë të dhënat nga ASHK për këtë statistikë) dhe nga kjo pjesë vetëm 15-20% e tregut ndërmjetësohet nga agjencitë imobiliare. Krijimi i këtij ligji do i hapë rrugë rritjes profesionale të Agjentëve dhe agjencive dhe si rrjedhojë brenda pak vitesh edhe agjencitë Shqiptare do kenë një ‘market share’ 70-80% të tregut imobiliar ashtu siç e kanë në vëndet e zhvilluara perëndimore të Botës.

 

Një ligj tjetër që ka ndikuar shumë në zhvillimin e Industrisë Imobiliare Ligji i Ri Tatimor ka ndikuar më së shumti kategorinë e biznesit të vogël, të vetëpunësuarit ose siç quhen teknikisht “NIPT Persona Fizik”.

Kjo kategori u prezantua në 2020, për vitin tatimor 2021 e deri në 2029, si një kategori që do të taksohej zero deri në një xhiro (turnover) vjetore prej 10 milionë lekësh.

Si rrjedhojë, bizneset e vogla, kryesisht bujqësia, por edhe shërbimet e vogla si avokatia,freelancer-at, IT, ndërmjetës, konsulentë etj, pra biznese që nuk kalojnë pragun e 10 milionë lekëve në vit do të formalizoheshin, duke deklaruar më shumë xhiro, sepse supozohej që këto ishin biznese me informalitet të lartë. Për këtë u premtua një taksim zero për 8 vite.

Ne gjykojmë që kjo masë fiskale pati sukses të madh për institucionet, sepse u rrit deklarimi dhe u formalizua ekonomia. Njëkohësisht kjo rriti besimin te programi i Qeverisë në fuqi dhe te mënyrat inovative që ky program solli për të rritur PPB-në dhe formalizimin në vend.

Për shembull, në sektorin e ndërmjetësimeve të pronave ne vemë re shumë ndryshim në deklarimin e atyre operatorëve që më parë operonin të paregjistruar dhe përbënin një konkurrent jo të barabartë për kompanitë e mëdha që operonin sipas ligjit dhe taksimit të asaj kohe. Jemi të bindur që kjo ka funksionuar në çdo biznes dhe çdo sektor.

Ky ligj ndikoi pozitivisht për gjithë rrjetin e Real Estate në Shqipëri. Ne si Century 21 Albania, si markë ndërkombëtare me strukturë franchise e vlerësuam shumë këtë ligj, sepse ndikon në partnerët tanë franchise dhe agjentët ndërmjetësues për shkak të taksimit zero.

Nisur nga taksimi zero dhe mbi të gjitha nga pragu i ri i bizneseve me TVSH apo pa TVSH, ne kemi zhvilluar trajnime motivuese për gjithë rrjetin dhe stafin tonë për t’i orientuar ata të mbajnë mirë librat deklarues dhe për të qenë sa më korrekt, normalisht në çdo biznes sidomos tek të vetëpunësuarit deklarimi sa më i madh krijon mundësi zhvillimi sepse “biznesi i vetëpunësuar” lëshon gjurmë financiare dhe si rrjedhojë nesër mund të përdorë instrumente financiarë për të kredituar biznesin ose personin fizik në blerje të aseteve të mëdha, si: shtëpi, makinë etj.

Lexo: Konfindustria: Gjysma e dytë e vitit financiar 2022 parashikohet të jetë i vështirë për ekonominë

Ky ligj na ka dhënë mundësinë të afronim shumë agjentë të rinj (rreth 120 në 2 vitet e fundit) të cilët më parë operonin në treg të paafirmuar me një markë, për shkak të taksave të larta që duhet të paguanin nëse punonin me kompaninë e madhe.

Si rezultat në treg u zhvilluan edhe më tej 4-5 operatorët më të mëdhenj, sepse prej taksimit zero tashmë shumë ndërmjetësues të pasurive të paluajtshme mund të afroheshin në kompanitë e mëdha pa frikë se duhet të paguanin edhe taksa në shtet edhe komisionin kundrejt markës ndërkombëtare.

Taksimi zero vërtet na ka ndihmuar në rritjen e kompanisë sonë, por jo vetëm ne, kjo ka ndodhur me shumicën e kompanive në gjithë sektorët që kanë pasur informalitet të lartë.

Jemi të bindur nga studimi i tregut që ky ligj ka rregulluar dhe shumë sektorë të tjerë që më parë operonin me deklarime parciale ose në informalitet. Fatkeqësisht, në javët e fundit kemi ndjekur me vëmendje taksimin e ri për të vetëpunësuarit dhe jemi të revoltuar me faktin se pas vetëm 18 muajsh në operim ka filluar të diskutohet një ndryshim në këtë ligj.

Sipas draftit të projektit taksimi për bizneset e vetëpunësuar nuk do të jetë më zero, por do të jetë = xhiro vjetore – 50% shpenzime në rastin e shërbimeve = baza e taksueshme.

Baza e taksueshme taksohet me 15% për xhiron deri në 14 milionë lekë. Konkretisht në ndërmjetësimin e pasurive të paluajtshme kur një ndërmjetës faturon mesatarisht 2,000,000 lekë/vit do të zbritet 50% si shpenzime dhe ndërmjetësi do të taksohet për 15% të diferencës së mbetur prej 1,000,000 lekë.

Theksojmë se iniciativa sërish i mbron nga taksimi duke njohur 50% si shpenzime, por nuk është zero, ashtu si programi i prezantuar që nga 2020 dhe që merrte efekt në 2021 për 8 vite.

Ky ndryshim ndikon ndjeshëm në programet e stafit tonë dhe ne rrezikojmë që një pjesë e konsiderueshme e agjentëve ose zyrave ndërmjetësuese të largohen nga ne për shkak të shpenzimeve ekstra nga taksimi.

Ajo çka është për t’u përmendur është se këto ndryshime prishin shumë besueshmërinë e institucionit, le të themi që taksa prej 15% nuk është shumë e madhe si tatim fitim sepse vërtet krahasuar me vende të tjera të Europës dhe botës 15% është shumë pak, duke konsideruar se edhe njohja e shpenzimeve deri 50% nga shteti ndihmon ne taksim dhe praktikisht në sektorin e shërbimit të vetpunësuarit do të taksohen me 50% të 15% = 7,5% të xhiros.

Duke diskutuar në këto norma, sërish themi që Shqipëria nuk përmban taksim të lartë dhe jemi shumë mirë krahasuar me standardet ndërkombëtare si në rajon ashtu edhe në Evropë, por problemi më i madh që ne evidentojmë është ndryshimi i shpeshtë i normave dhe ligjit të taksimit. Ne e mirëkuptojmë që kjo bëhet për të përmirësuar, por duhet pasur parasysh që kompanitë dhe njerëzit bëjnë plane afatgjate dhe nuk mund të kemi ndryshime në afate kohore kaq të shkurtra.

Për të përmbledhur gjithë kjo lëvizje do të inicionte si më poshtë dy gjera themeltare:

1) rënien e besimit tek politikat e taksimit nga institucionet shtetërore prej ndryshimeve të shpeshta

2) rritjen e informalitetit në shumë fusha të biznesit për të evituar taksimin.

Me këto ne do te ktheheshim disa vite pas dhe kjo nuk i bën aspak mirë ekonomisë së vendit, por sidomos një sektori në zhvillim siç është ndërmjetësimi i pasurive të patundshme.

Shpresojmë shumë që kjo të konsiderohet në muajt në vijim dhe gjatë procesit të konsultimit ky projekt të ketë ndryshimet e duhura, sepse vërtet do të përbëjë një problem për gjithë strukturat e mirë organizuara, duke i dhënë mundësi strukturave më të vogla të mos deklarojnë dhe të bëhen një konkurrent agresiv dhe jo i barabartë për ata që deklarojnë.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0