Si e nisi krijimin e perandorisë së tij Donald Trumpit? - Business Magazine Albania

Si e nisi krijimin e perandorisë së tij Donald Trumpit?


Si e nisi?

Me një shtytje të fortë nga babai i tij. Fred Trump fitoi rreth 300 milionë dollarë duke ndërtuar “fshatra” me apartamente që i jepte me qera, në lagjet jashtë Nju Jorkut. Donald u bashkua me biznesin e familjes pas diplomimit në shkollën e biznesit, në vitin 1968, por pothuajse menjëherë i hodhi sytë nga pasuritë e paluajtshme, më joshëse e fitimprurëse, në Manhattan.

Në vitin 1971, në moshën 25 vjeç, ai nisi një projekt ambicioz për të zëvendësuar një hotel të rrënuar pranë Grand Central Terminal, me një Grand Hyatt. Babai i tij ishte shumë i rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes: Ai i dha Trumpit 1 milionë dollarë, i garantoi 70 milionë në kredi bankare dhe përdori kontaktet e tij politike, për të ndihmuar të birin që ta realizonte projektin. Kur përfundoi në vitin 1980, ndërtimi i solli Trumpit miliona dollarë, duke e vendosur atë si një lojtar të rëndësishëm në biznesin e pasurive të patundshme Manhattan. “Mua më duhej t’i provoja – komunitetit të pasurive të paluajtshme, shtypit, babait – se unë mund të kryeja projekte”, ka shkruar ai në librin bestseller, “Arti i Ujdisë”.

Cili ishte projekti i radhës?

Trumpi përdori fitimet nga marrëveshja e Grand Hyatt, për financimin e Kullës Trump në Fifth Avenue, një rrokaqiell 58-katësh, ku ai ende jeton dhe ku e ka qendrën sot organizata e tij. Por sipërmarrja e ardhshme pothuajse i shkaktoi falimentin. I etur për të lëvizur në botën fitimprurëse të bixhozit, ai hapi dy kazino në Atlantic City, që po konkurronte për t’u bërë Las Vegasi i bregdetit lindor. Nisur në 1984 dhe 1985, Sheshi Trump dhe Kështjella Trump fillimisht ishin të suksesshme. Por manjati i pasurive të paluajtshme e shtriu më tepër se sa duhej perandorinë e tij me Taj Mahalin Trump, një kazino gjigante 1 miliardë dollarëshe, që “thithte” klientët nga Sheshi dhe Kështjella. Për të paguar kredinë që kishte marrë për ta ndërtuar, Taj Mahalit të Trumpit i nevojiteshin 1.4 milionë dollarë në ditë – më shumë se çdo kazino tjetër në histori.

Çfare ndodhi?

“Taj” humb sasi të mëdha parash dhe perandoria e kazinove të Trumpit u zhyt në një spirale rënieje të pakthyeshme. Mes viteve 1991 dhe 2009, kompania e tij aplikoi katër herë për Kapitullin 11 të falimentimit. Por Trumpi u shpëtua nga fuqia e statusit të vet si figurë e famshme, që ai kishte ndërtuar përmes librave të tij, intervistave në media, si dhe “rrjedhjet” e llogaritura të informacionit, për tabloidët e Nju Jorkut. Sa herë që kreditorët kërcënonin ta falimentonin Trumpin personalisht, ai i bindte ata, se duke bërë kështu, do të shkatërronin markën e tij, duke bërë të pavlerë atë që kishte mbetur nga perandoria e tij e kazinove. Në fund, sipërmarrja e kazinove të tij ishte një dështim që kushtoi mijëra vende pune, si dhe la pa paguar dhjetëra biznese të vogla, për punën e tyre në ndërtimin ose shërbimin e kazinove. Por Trumpi sërish fitonte miliona dollarë, duke i dhënë vetes miliona në paga e shpërblime. “Unë bëra shumë para në Atlantic City,” tha ai vitin e kaluar. “Dhe jam shumë krenar për këtë”. 

Po pasuritë e paluajtshme?

Këto sipërmarrje kanë qenë shumë më të suksesshme. Projektet e tij të mëdha të ndërtimit përfshijnë Kullën Trump në Manhattan dhe Kullën Trump në Çikago, ndërtesa e katërt më e lartë në SH.B.A. Por, pas dështimit të tij në Atlantic City, bankat u bënë gjithnjë e më pak të prirura, për t’i dhënë hua. Kështu, Trumpi filloi të përqëndrohet në monetizimin e markës së tij personale. Në vend që të ndërtonte hotelet dhe banesat e tij, Trumpi filloi licensimin e ndërtuesve të tjerë nën emrin e tij. Tani ka Kulla Trump dhe Sheshe Trump kudo, duke përfshirë Florida, Vancouver, Panama, dhe Stamboll, por Trumpi në fakt zotëron vetëm disa prej tyre.

Ku tjetër e ka vendosur emrin e tij?

Si shkruan biografi i tij, Michael D’Antonio: “Pothuajse çdo gjë që mund të shitet si cilësi e lartë, kosto e lartë dhe klas i lartë”. Disa prej këtyre sipërmarrjeve – Koleksioni Donald J. Trump i këmishave dhe kravatave, të cilat janë bërë jashtë vendit, kanë patur sukses të moderuar. Por shumë të tjera – biftekët Trump, revista Trump dhe vodka Trump – u fundosën pa lënë gjurmë. Dështimet e tjera të profilit të lartë përfshijnë Universitetin Trump tashmë të mbyllur, i cili është duke u paditur nga mijëra ish-studentë për mashtrim, si dhe Trump Airlines, kompani e cila zgjati vetëm tre vjet. Por Trumpi ka gëzuar sukses të konsiderueshëm në një treg: fushat e kushtueshme të golfit. Që nga viti 1997, ai ka blerë ose zhvilluar 17 kurse në mbarë botën, në vende që përfshijnë Nju Xhersin, Skocinë dhe Irlandën.

Sa vlen Trumpi?

Bloomberg.com e vlerëson pasurinë e tij aktuale, 3 miliardë dollarë; sipas Forbes ajo është 4.5 miliardë. Vetë Trumpi pretendon se vlen 10 miliardë, ndonëse ka pranuar se kjo shifër “ rritet dhe ulet sipas tregjeve, sjelljeve dhe ndjenjave, madje edhe ndjenjave të mia”. Refuzimi i tij i përsëritur për të nxjerrë pagimin e taksave ka nxitur spekulimet se vlen shumë më pak nga sa pretendon dhe se ai përfiton prej ligjit të taksës mbi pronën, për të raportuar një të ardhur prej zero dollarë – një marifet që dikur e përdorte për të mos paguar taksë mbi të ardhurat për disa vite, në 1970 dhe 1980. Kompanitë e tij gjithashtu kanë rreth 650 milionë dollarë borxhe – disa prej tyre të marrë në Bankën e Kinës. Por Trumpi këmbëngul se vlera e tij neto nuk mund të shkëputet nga vlera unike e markës së tij personale. “Duhen tru për të nxjerrë miliona dollarë”, thotë Trumpi. “Duhet Trumpi për të bërë miliarda”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0