Prej katër vitesh, Marina Cooley është pedagoge në Fakultetin e Biznesit “Goizueta” pranë Universitetit Emory në SHBA. Më parë, ka punuar në kompani të mëdha si Coca-Cola dhe IBM. Gjatë një vizite pune në Danimarkë, një ndër vendet më të lumtura në botë, ajo zbuloi një nga sekretet më të thjeshta, por më ndikues të kësaj lumturie: hobit.
Në Danimarkë, aktivitetet e përditshme jashtë orarit të punës janë thelbësore për mirëqenien. Qytetarët gjejnë kënaqësi në gjëra të vogla si biçikleta, qepja apo sportet. Pasi u kthye në SHBA, Marina vendosi të eksperimentonte me këtë filozofi për një vit të tërë.
Eksperimenti i hobive: 17 aktivitete në 12 muaj
Gjatë një viti, ajo provoi 17 hobi të ndryshme: nga pjekja dhe DIY për shtëpinë, te sporte si tenisi, ngjitja në shkëmbinj dhe kalërimi, por edhe aktivitete krijuese si piktura, qëndisja apo punimi me dru. Rezultati? Ajo ndjeu se ishte bërë më e fortë, më e guximshme dhe më e sigurt në vetvete.
1. I dha fund zakonit të ‘doomscrolling’
Për të gjetur kohë për hobet, Marina hoqi dorë nga shprehia e përdorimit të telefonit për të parë lajme negative apo të qëndruarit pas ekranit në mbrëmje. Kur duart janë të zëna me miell apo furça, telefoni bëhet i panevojshëm. Ajo kuptoi se ndihesh më pak i stresuar kur përqendrohesh në mësimin e një aftësie të re.
2. Mësoi të ruajë kënaqësinë për më vonë
Edhe pse u dashurua me punimin e drurit, ajo e kuptoi se ky aktivitet nuk përshtatej me realitetin e saj si nënë e dy fëmijëve të vegjël. Por kjo nuk e ndaloi ta “ruante” këtë pasion për një të ardhme të afërt, kur kushtet do jenë më të përshtatshme. Mesazhi i saj është i qartë: Edhe nëse një hobi nuk përshtatet me kohën që po jetoni, ruajeni për më vonë.
3. Zbuloi se ajo që për një është punë, për tjetrin është relaks
Për Marinën, kuzhina ishte stresuese, por për një studente që takoi, pjekja ishte mënyra më e mirë për të çlodhur. Ajo vetë nisi të shijonte pjekjen si një akt të qetë dhe shpërblyes. Kuptoi se të gjithë kemi mënyra të ndryshme për të gjetur balancë, dhe nuk ka rregulla të njëjta për të gjithë.
Lexo edhe:Christian Canacaris: dy dekada, një vizion dhe bankingu digjital në Shqipëri
4. Riformuloi konceptin e ‘kujdesit për veten’
Ajo dikur i konsideronte manikyrin apo takimet estetike si mënyra për të kujdesur për veten. Por këto u kthyen në burim stresi për shkak të angazhimeve. Ndërsa hobet ishin fleksibël, argëtuese dhe e bënin të ndjehej më mirë me veten. Ajo gjeti formulën e saj: një hobi për mendjen (mahjong), një për kreativitetin (DIY), dhe një për trupin (tenis).
5. E ndjeu më pak vetminë
Gjatë këtij viti, Marina vuri re se komunitetet që krijohen rreth hobive janë shumë të lidhura dhe mikpritëse. Qoftë në stallat e kuajve apo në ngjitje shkëmbinjsh, njerëzit krijojnë lidhje të forta përtej profesionit apo përditshmërisë. Edhe grupi i saj i tenisit përbëhej nga nëna me mbi 50 fëmijë në total, por që gjithsesi gjenin kohë për pasionet e tyre.
6. Nuk e shmang më bisedat e vogla
Kur nisi të fliste për hobet e saj, Marina nisi të zbulonte pasionet e fshehura të të tjerëve – si p.sh. dekani i pranimeve në universitet që ishte pjesëmarrës në gara me varka në fundjavë. Kjo e ndihmoi të hynte në biseda më të thella dhe të kuptonte njerëzit përtej roleve të tyre profesionale.
Përfundimi: Balanca nuk vjen, krijohet
Shumë nga studentët e saj i thonë se do të merren me një hobi vetëm kur të kenë balancë në jetën e tyre. Por Marina thekson se ndodh e kundërta: nëse dëshiron balancë, fillo me një hobi. Ai do të të mësojë të vendosësh kufij dhe të ndërtosh identitetin tënd jashtë punës dhe familjes. Sot, hobit janë ende pjesë e përditshmërisë së saj: luan tenis me një ekip nënash, ka një takim të përjavshëm për mahjong, dhe po mëson golf me fëmijët. Kur djali i saj i vogël i tha: “Kam shumë hobi,” ajo kuptoi se po jepte një model të shëndetshëm për brezin tjetër.
Ky artikull është bazuar në përvojën e Marina Cooley, pedagoge në Emory University dhe autore e buletinit “Professor Off Duty.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.