Në shumë kompani, ndryshimi trajtohet si një proces teknik, vendime të reja, rregulla të reja dhe strategji të reja. Ndërsa përfshirja dhe diversiteti shpesh vendosen në një plan tjetër, si një çështje kulture. Por sipas ekspertes së lidershipit dhe kulturës së punës Julie Kratz, këto dy gjëra nuk mund të ndahen.
Lexo gjithashtu: Psikologia paralajmëron, këto 3 shenja tregojnë se fëmija po humbet vetëbesimin
Në realitet, liderët që arrijnë të drejtojnë me sukses transformimet në kompani janë pikërisht ata që e bëjnë këtë proces në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Këtë ide e thekson edhe ekspertja e lidershipit Jennifer Brown, autore e librave How to Be an Inclusive Leader dhe The Shape of Change. Sipas saj, ndryshimi është gjithmonë i vështirë dhe shpesh i dhimbshëm, por është i domosdoshëm për zhvillim.
Ajo sjell një krahasim të thjeshtë nga natyra: vemja duhet të shkatërrojë formën e saj të vjetër për t’u kthyer në flutur. Edhe pyjet, pas një zjarri, shpesh rilindin më të forta. Pra, ndryshimi rrallëherë është i qetë dhe i rregullt. Shpesh është kaotik, por në fund sjell rritje.
Sipas Brown, gabimi që bëjnë shumë drejtues është se përqendrohen vetëm te strategjia dhe harrojnë njerëzit. Ndërsa liderët gjithëpërfshirës bëjnë të kundërtën: krijojnë hapësirë që punonjësit të shprehin shqetësimet, frikën apo pasiguritë që sjell çdo transformim.
Pyetje të thjeshta si:
– Si ndiheni për këtë ndryshim?
– Çfarë informacioni ju mungon?
– Çfarë mbështetjeje ju duhet?
mund të bëjnë diferencën mes një ndryshimi që dështon dhe një ndryshimi që pranohet nga ekipi.
Brown e përshkruan këtë proces si kalimin e një lumi të panjohur: lideri mund të mos dijë saktësisht çfarë e pret në anën tjetër, por është në të njëjtën varkë me ekipin dhe duhet ta drejtojë përpara.
Në fund, mesazhi është i qartë: në kohë pasigurie, organizatat kanë nevojë jo vetëm për strategji të mira, por për liderë që dëgjojnë, përfshijnë dhe ndërtojnë besim. Sepse ndryshimi nuk bëhet vetëm me plane, por me njerëz.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto