Shtohet vëmendja ndaj misioneve hapësinore - Business Magazine Albania

Shtohet vëmendja ndaj misioneve hapësinore

Të premten, raketa gjigante Falcon 9 e kompanisë SpaceX u lëshua nga Kepi Kanaveral i Floridës, me 57 satelitë në bord për instalimin e një sistemi interneti në hapësirë. Raketa mbante gjithashtu dy anije hapësinore për klientin e fluturimeve BlackSky. Po gjatë javës që po mbyllet, dy astronautë të NASA-s u ulën me sukses në Tokë pas një udhëtimi drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Udhëtimi historik me njerëz në bordin e anijes komerciale të kompanisë SpaceX, i pari i këtij lloji, ka shtuar shpresat për të ardhmen.

Një verë plot zhvillime për kërkimet hapësinore kulmoi me zbritjen në Tokë të astronautëve Bob Behnken dhe Doug Hurley. Kjo ishte zbritja e parë në oqean e astronautëve amerikanë në 45 vjet. Astronauti amerikan Bob Behnken tregoi mbi eksperiencën gjatë një konference shtypi. “Ndërsa zbritëm përmes atmosferës, motorët punonin pothuajse papushim. Zhurma që bënin, dhe kam regjistruar disa momente, nuk tingëllon si zhurmë makine, por si një bishë”, tha zoti Behnken.

Në konferencën e shtypit foli edhe kolegu i tij në këtë mision, astronauti Doug Hurley. “Futja në atmosferën e Tokës ishte shumë dinamike. Nga kapsula shihet vetëm një pamje e përgjithshme dhe është një mjedis që kërkon shumë punë. Flitet për flakët që pushtojnë anën e jashtme të kapsulës dhe padyshim edhe dritaret nuk u kursyen nga zjarri”, tha zoti Hurley.

Të dy udhëtuan në kapsulën “SpaceX Dragon” duke shënuar udhëtimin e parë në një mjet komercial të ndërtuar nga një kompani private në historinë 20 vjeçare të Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Suksesi nënkupton një udhëtim së shpejti të një ekuipazhi me anijen SpaceX dhe ndoshta fluturime turistike vitin që vjen. Ditë më parë, NASA nisi drejt planetit Mars mjetin hapësinor “Perseverance” për kërkime mbi mundësinë e gjurmëve të jetës. Shkencëtarja Bethany Ehlman jep sqarime për misionin. “Do të jemi në gjendje, sikurse me mjetet e tjera robotike, të studiojmë shkëmbinjtë që kanë rëndësi dhe të marrim kampione me madhësi sa një copë shkumës”, thotë dr. Ehlman.

Profesori i Universitetit “Stony Brook”, Scott McLennan thotë se për të studiuar më mirë mostrat e mbledhura nga automjeti robotik, ato do të sillen në Tokë. “Mostrat janë dhurata që vazhdojnë të na befasojnë sepse ato janë aty ndërsa aftësitë tona për matje do të evoluojnë. Me kalimin e kohës ato përmirësohen. Gjithmonë mund të kthehemi mbrapa dhe të shqyrtojmë këto mostra të sjella në Tokë”, thotë profesor McLennan.

Mostrat mund të kenë të dhëna nëse jeta ka ekzistuar ndonjëherë në planetin e kuq. NASA dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës do të bashkëpunojnë për sjelljen e tyre në Tokë rreth vitit 2031.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0