Foto: Emiliano Abedini (Udhëtarë në aeroportin e Tiranës, Shqipëri)
Autore: Xhensila Demollaj, Dallandyshe Xhaferri
Emigrimi gjatë demokracisë duket si eksodi i dytë i shqiptarëve, që pas diktaturës. Histori dhe rrëfime të rinjve të emigruar, që nga Gjermania e Kanada. Të dhënat që tregojnë trend në rritje të largimit nga vendi. Arsyet e të rinjve flasin për mundësi më të mira jetese dhe meritokraci të munguar në vend
Qyteti thuajse nuk fle. Ka përherë diçka që gumëzhin në Tiranë. Qosheve mund të shohësh grupe të moshuarish që çoç bisedojnë me njeri-tjetrin, diku dëgjon të qarat e të qeshurat e fëmijëve në rrugë dhe nuk mungojë asnjëherë boria e mjeteve automobilistike e ulërimat e drejtuesve të tyre. Sytë të dallojnë kudo kafene, populluar nga të rinj, që qendrojnë gjatë hapur, edhe 24 orëshe për të mbajtur qytetin zgjuar. Ka kalime me vija të bardha, por duhet pak përpjekje heroike për t’u hedhur në anën tjetër të rrugës. Është kaotike, por edhe e bukur. Tirana është si qytet i shumë dimensioneve, por edhe i një të vetmi, atij të zhvillimit metropolitan. Konsiderohet në opinion njerëzor si epiqendra më e madhe e punësimit. Ndaj edhe pjesa më e madhe e popullsisë ka vërshuar drejt saj. Megjithatë, kryeqyteti i Shqipërisë është shumë afër, se sa mijëra kilometrat përtej tij, që janë kthyer në aspiratat dhe destinacionet e shumë të rinjve, tashmë emigrantë përtej kufijve. Dhe kjo është ndër sfidat më të mëdha, që ka mbërthyer vendin. Rreth 32 vite më parë, pas rënies së sistemit komunist, toka përtej detit u kthye në shpëtimin e shqiptarëe, ku të gjithë me shpresën e një të ardhmeje më të mirë, vrapuan drejt anijeve të stërmbushura për t’i shpëtuar gjithë hamullisë që solli diktatura. Sot, tre dekada më vonë, duket se historia përsëritet!
Foto: Emiliano Abedini ( Qytetarë në rrugët e Tiranës, Shqipëri)
Histori, “ik dhe hajde” me Shqipërinë
Infermierë në Gjermani
Vera Dardha është infermiere. Në korrik të vitit 2017 u largua nga Shqipëria drejt Gjermanisë.
“Jam ndër grupet e para të infermierëve që nisën rrugëtimin për në Gjermani. Ideja nuk lindi rastësisht, por thjesht duke jetuar në Tiranë dhe punuar në kushte shumë të vështira siç dihet tashmë në vendin tonë, dëgjova për një kompani, që kërkonte dhe ofronte punë për infermierë të kualifikuar në Gjermani. U regjistrova në kursin e gjuhës që ata ofronin falas dhe e fitova”,-tregon Vera, ndërsa rrokatet në mendime mes kujtimeve të para të nisjes së rrugëtimit që sot është destinacioni i saj i jetesës.
Foto: Vera Dardha, infermiere shqiptare në një spital në Gjermani
“Fillimi ishte i vështirë për ne pasi ishte një gjuhë e padëgjuar shpesh në vendin tonë, saqë mendoja se nuk do e mësoja dot. Pasi koha dhe ngarkesa në punë nuk më lejonte të përqendrohesha sic duhet, por ja ku ja arrita. Mbështetja ime më e madhe ishte familja, atëherë, kur kisha nevojë për vlerë monetare, pasi me rrogën që kisha në Shqipëri nuk ja dilja dot në fund të muajit. Ardhja ime në Gjermani ishte thjesht me një valixhe dore dhe sigurisht, një kontratë pune.”
Megjithatë, sot, 5 vite më pas, Vera nuk e mendon rikthimin.
“Tani ndihem shumë mirë le të themi. Megjithëse, gjithmonë do të më mungojë vendi ku jam lindur e rritur asgjë nuk do të më kthente pas. Unë kam bërë këtë rrugëtim, të cilin nuk do e sakrifikoja për një ndjenjë malli. Në vendin tim nuk e kam gjetur asnjëherë të drejtën time si infermiere e kualifikuar, as vlerësimin, siç e gjej këtu”, përfundon Vera.
Financiere në Kanada
Nuk është e vonë dita kur është larguar. Vjola Bushaj, financere me një eksperiencë disa vjeçare në Tiranë në shtator të vitit 2022 është shpërngulur së bashku me bashkëshortin e saj, avokat në Toronto, Kanada.
Foto: Vjola Bushaj, financiere
“Ideja për t’u shperngulur ka qenë e bashkëshortit tim, që në vitin 2017. Kjo dëshire e tij erdhi për shkak të gjendjes sonë ekonomike të momentit, e cila dhe pse ishim të dy të punësuar në atë kohe, ishte e pamjaftueshme për jetën që apironim. Unë sapo kisha nisur punë dhe isha shume energjike dhe e vendosur për të krijuar një karrierë në Shqipëri, ndaj në fillim nuk e kam mbështetur dëshirën e tij për t’u larguar, por pas disa kohësh e punësuar në tregun shqiptar fillova të vija re shumë mangesëi te tij, ku perveç mungesës së shpërblimit monetar, linte shumë për të dëshiruar dhe në mënyrën e trajtimit dhe të drejtat e punonjësve”, tregon Vjola, ndërsa na njeh edhe me momentin kur vendosi të niste përpjekjet për largimin nga vendi.
Lexo: Samiti i Tiranës, do të ndahen 2.6 mld euro mbështetje për energjinë në rajon, emigrimi në fokus
“Rastësisht në atë periudhe, fati me ndeshi me një të njohur, e cila sapo ishte shpërngulur në Kanada. Pas shume bisedave me të, fillova në mënyrë të pashmangshme të bëja krahasime dhe vendosa të filloj aplikimin për rezidencën kanadeze, deri sa ja dola”.
Pavarsisht se gjendet në muajt e parë të shpërnguljes, Vjola thotë se diferencat mes vendeve janë të dukshme. “ Paçka se jemi ne kuptimin e fjalës nga cdo cep i botës, ekziston një mirësjellje, e cila reflektohet kudo. Në asnjë moment nuk kemi ndjerë diskriminim apo racizëm, gjë e cila realisht më ka bërë përshtypje, sidomos prej faktit që në vendin tonë gjykohesh dhe diferencohesh prej cilës krahinë apo qytet të Shqiperise vjen”, na rrëfen financierja, teksa tregon se ndonëse fillimi është i vështirë, e gjithmonë do jetë mungesa e familjes e miqve, vendimi është tashmë i marrë.
“Nuk ka asgjë që na shtyn të mendojmë, se në Shqipëri na pret një e ardhme më e mirë. Arrijmë të kuptojmë qe ky vend funksionon me meritokraci dhe se dy te rinj të thjeshtë që e nisën nga 0 mund të ndërtojnë një të ardhme premtuese për familjen e tyre”.
Umut nga Turqia emigron në Shqipëri, por për tranzit
Umut Çomak është larguar nga Turqia, vendi i tij për t’ u vendosur në Shqipëri, në qytetin e Elbasanit. Është 19 vjeç dhe thotë se situata ekonomike, nisur nga zhvelësimi i lirës (monedha turke) në Turqi e nxitën të merrte vendimin e emigrimit për ndërtimin e një të ardhme më të mirë.
“Arsyeja përse lashë Turqinë, vendlindjen time për Shqipërinë është punësimi”,- tregon ai, duke shtuar se ndonëse ka vetëm dy muaj që jeton në Elbasan nuk mendon të qëndrojë gjatë në vendin tonë. “Erdha këtu pasi punoj me punëtorë turq, vendi juaj në pëlqen madje dua të nis dhe universitetin këtu, por nuk dua të qëndroj gjatë”,- vazhdon më tej Çomak duke u shprehur se destinacioni i tij i vërtetë është Europa Perëndimore.
Nisja e luftës në Ukrainë ishte ngjarja që ngjalli dyshimet e Umut nëse largimi nga vendlindja ishte apo jo vendimi i duhur. “Kur nisi lufta pata pak frikë, por me anë të rrjeteve sociale arrita të krijoja kontakte me miq nga Shqipëria dhe më siguruan se këtu çdo gjë ishte në normalitet”,- përfundon ai duke u shprehur se Shqipëria është një vend shumë i bukur me njerëz miqësor, por jo vendi ku çdo i ri mund të gjejë veten.”
Largimet, shifrat zyrtare
Është thuajse e pashmangshme të jesh në Shqipëri dhe të mos e kesh dëgjuar së paku një herë shprehjen: “ky vend nuk bëhet”, “ jashtë funksionon më mirë”. E po aq të mos kesh rënë në diskutime mbi avantazhet e më së shumti disavantazhet e një shteti që endet më përpjekje disa vjeçare për zhvillim e modernizim.
Foto nga Emiliano Abedini (Udhëtarë në Aeroportin e Tiranës, Shqipëri)
Por, mesa duket asgjë prej tyre nuk ka qenë e mjaftueshme. Shifrat flasin për largime në masë të të rinjve, e mbi të gjitha profesionistëve, në fusha të shëndetit, e jo vetëm.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT deri në dhjetor të vitit 2021, mbi 42 mijë persona janë larguar në mënyrë ligjore jashtë atdheut, 22% më shumë krahasuar me numrin e banorëve të larguar në vitin 2020. Ndërkohë Komiteti Europian më anë të Eurostat raportoi se në vitin 2022, vetëm gjatë përiudhës Janar-Gusht mbi 5 mijë shqiptarë janë kanë kërkuar azil në vendet e BE. Dhe po sipas vlerësimeve të Eurostat, në vitin 2019 vendet që regjistronin numrin më të lartë të shtetasve shqiptarë rezidentë ishin Greqia, Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe.
“Numri i emigrantëve shqiptarë në Gjermani ka ndryshuar me ritme të tjera nga ato të Italisë, Greqisë dhe ShBA-ve”,- thuhet në raportin e publikuar ku përcaktohet se 56% e këtyre rezidentëve shqiptarë janë meshkuj. Në Britaninë e Madhe në vitin 2011 numri i rezidentëve shqiptarë arrinte në 5 785 persona, ndërsa në vitin 2019 sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare në këtë shtet numri i shqiptarëve rezidentë arrinte deri në 47 000. Ndërkohë që ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar vlerësoi për “The Sun” se numri i shqiptarëve në Britani për vitin 2022 shkonte në 150 000, pra gati trefish më shumë se në 2019-n.
Të huajt në Shqipëri
Nga ana tjetër, ka shënuar rritje dhe numri i shtetasve të huaj, të cilët kanë leje qendrimi në Shqipëri. Sipas INSTAT, 14.921 banorë kanë nisur të jetojnë në mënyrë ligjore në vendin tonë gjatë vitit 2021, thënë ndryshe, numri i tyre është rritur me 9% krahasuar me vitin 2020.
“Në vitin 2021 janë evidentuar 10.062 të huaj të parregullt në territorin e vendit ku pjesën më të madhe të tyre, e zënë të huajt me origjinë nga Siria dhe Afganistani me 67,0 %”,- thuhet në raportin e publikuar nga INSTAT.
Foto nga Emiliano Abedini (Pamje nga rrugët e Tiranës, Shqipëri)
Emigrimi i shqiptarëve, shqetësim në parlament ndërkombëtarë
Thonë se bëhet fjalë për emigrimin e jashtëligjshëm, ai për të cilin dy shtetet, Anglia dhe Shqipëria kanë rënë në një ujdi për të frenuar fenomenin. Marrëveshja parashikon krijimin e një Task Force të Përbashkët në nivelin e ministrive të brendshme të të dy vendeve. Britania angazhohet të ofrojë mbështetje shtesë për qevërinë shqiptare dhe organizatat në lidhje me shërbimet e mbrojtjes dhe riintegrimit të të riatdhersuarve. Për këtë, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se është ide e hershme, por vetëm tani po gjen zbatim.
Më pak nxënës në shkolla
Përveç largimit të profesionistëve, rënia e lindshmërive dhe emigrimi i moshave të reja është shoqëruar me uljen numrit të nxënësve të regjistruar në shkollat e vendit.
“Në vitin shkollor 2021-2022, u regjistruan në arsimin zyrtar 577.869 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 2,0 %, krahasuar me vitin shkollor 2020-21”,- sipas INSTAT.
Në kohën kur popujt e politikat vijojnë me përpjeket për të siguruar mirëqënie, duket se kufijtë mes vendeve nuk shihen më si pengesa, por aspirata, për të shkuar përtej gardhit e për të provuar mundësitë, me synimin që një botë më e drejtë do t’iu shërbejë njerëzve, pa pasur rëndësi nësë është ambienti ku lindën e u rritën, rëndësi ka të jetë shtëpia.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.