Shqipëria në krizë ekonomike dhe sociale - Business Magazine Albania

Shqipëria në krizë ekonomike dhe sociale

Shqipëria

Nga: Armela Toska, kontributore

Me përfundimin e pandemisë Covid-19, vala e emigrimit nga Shqipëria është rritur ndjeshëm, veçanërisht në vitin 2022, ku një kanal i ri emigracioni drejt Britanisë së Madhe, me gomone nga Franca po zbraz me shpejtësi vendin.

Shqipëria ka një nivel shumë të ulët të punësimi të të rinjve (15-29 vjeç), rreth 20.9% për vitin 2021. Të rinjtë në Shqipëri përballen me vështirësi për të gjetur punë të kualifikuara dhe të paguara mirë, duke mos garantuar një të ardhme të sigurt për ta, kjo bën që të rinjtë, veçanërisht ata nga zonat periferike të Shqipërisë, të emigrojnë.

Sipas të dhënave nga Britania e Madhe dhe Eurostat, mbi 21 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil politik në një hark kohor prej 9 muajsh në vitin 2022, ku mbi 80% e tyre janë të rinj në moshë.

Tendencat e larta të emigrimit nga Shqipëria po krijojnë mungesa shqetësuese të fuqisë punëtore në të gjithë sektorët e ekonomisë për të gjitha llojet e profesioneve.
Bizneset, pa përjashtim në të gjithë sektorët, e konsideruan mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit si sfidën më të madhe të aktivitetit në vitin 2022. Shqipëria vuan nga një mungesë e lartë e fuqisë punëtore të kualifikuar, për shkak të emigrimit. Ata që kanë mbetur janë të pakualifikuar.

Marrja e punonjësve nga jashtë ka dështuar, pasi të huajt pas disa muajsh largohen drejt Europës. Shumë sipërmarrës, në vështirësi për të gjetur burime njerëzore, po eksperimentojnë me punonjës nga Azia, por me kosto shumë të larta dhe rrezik edhe më të lartë.

Numri i atyre që janë larguar është kaq i madh këtë vit, saqë konsumi ka pësuar një rënie të madhe në shumë artikuj. Rënia e fuqisë blerëse po rrezikon falimentimin e shumë fabrikave në vend dhe ka çuar industrinë drejt eksportit, por tregjet për to janë inekzistente.

Reduktohet numri i të rinjve dhe rritet numri i pensionistëve, të parët prodhojnë vlerë të shtuar dhe të dytët konsumojnë vlerë (pensione dhe shërbim sanitar). Nga viti në vit skema e pensioneve po përkeqësohet.

Largimi i të rinjve, veçanërisht nga zonat rurale, po ndikon negativisht në strukturën demografike të popullsisë dhe kostot e punës po rriten ndjeshëm në sektorët joprodhues si bujqësia dhe blegtoria.

Shqipëria gjithashtu shquhet për përqindjen e lartë të të rinjve që nuk janë as në punë e as në shkollë dhe ka një përqindje mjaft të ulët të të rinjve që angazhohen si në studime ashtu edhe në punë.

Lexo: Ku po rriten më shpejt punët në distancë

Të dhënat nga Anketa e Fuqisë Punëtore të kryer nga INSTAT tregojnë se vetëm rreth 4% e të rinjve të grupmoshës 15-29 vjeç punojnë dhe studiojnë.

Përsa i përket blerjeve të apartamenteve, çmimet e larta të pronave dhe të ardhurat e ulëta të shqiptarëve vazhdojnë ta renditin Tiranën ndër qytetet më të shtrenjta në Europë për përballueshmërinë e blerjes së një apartamenti. Një familje shqiptare i duhen rreth 18.7 vite të ardhura për të blerë një pronë. Për shkak të të ardhurave të ulëta, një familje shqiptare i duhen më shumë vite për t’u bërë pronare e një shtëpie, krahasuar me qytetet e tjera të rajonit.

Pavarësisht se ndërtimet janë shtuar dhe kërkesa është ulur, çmimet e apartamenteve në shumë zona të kryeqytetit nuk kanë ndryshuar. Ndërtesat e reja, veçanërisht në Tiranë, janë luksoze dhe synojnë blerës me të ardhura shumë të larta. Këto të ardhura, të cilat përdoren për blerjen e pronave, shpesh nuk justifikohen nga burime zyrtare.

Niveli më i ulët i të ardhurave për frymë në Evropë është reflektuar në mënyrën se si familjet shqiptare shpenzojnë paratë që kanë në dispozicion për të kaluar muajin.

Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se pjesa më e madhe e buxhetit të një familjeje shqiptare shkon për ushqime, që është shpenzimi minimal i domosdoshëm për të jetuar. Më pas pjesa tjetër është për arsim, mjekim, transport dhe energji dhe vetëm 18% e buxhetit të tyre është për argëtim, veshje dhe nevoja të tjera që kanë.

Megjithëse stilet e jetesës kanë filluar t’i ngjajnë jetës perëndimore – popullsia urbane, martesat më të vjetra, familjet e vogla – standardet ekonomike janë ende larg vendeve perëndimore për sa kohë që problemet ekonomike janë të lidhura aq ngushtë me ato sociale.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0