"Shqipëria mund të bëhet”. Guida për ndërtimin e administratës funksionale

“SHQIPËRIA MUND TË BËHET”. Guida për ndërtimin e administratës funksionale  

Vendit nuk i mungon potenciali human. Megjithatë, administrata publike ka shfaqur në mënyrë të vazhdueshme dobësitë e saj. Prof. Ylli Çabiri, ka publikuar më parë një libër që mund të shërbejë si guidë për ndërtimin e shëndetshëm të saj. Libri quhet “SHQIPËRIA MUND TË BËHET”. Ai vlen në fakt për këdo dhe më shumë për të rinjtë. Janë pikërisht të rinjtë, ku varet shpresa se nuk duhet të bëjnë gabimet e paraardhësve tanë, e madje as edhe të politikanëve të sotëm.   

Intervistë me prof. Ylli Çabirin, autor i “SHQIPËRIA MUND TË BËHET”.

Në librin tuaj “SHQIPËRIA MUND TË BËHET” ju jeni i drejtpërdrejtë dhe shumë i qartë për lexuesin. A prisnit që rekomandimet që jepni për qeverisjen të merren parasysh kur botuat librin?

Faleminderit për vlerësimin dhe për këtë intervistë. Ky libër përmbledh 125 rekomandime për qeverisje të drejtë, të vërtetë e të qëndrueshme, apo, siç thuhet, për qeverisje të mirë. Kam përmbledhur e shkruar rekomandime studimesh të ndërmarra së bashku me kolegë të HDPC (Human Development Promotion Center) dhe të Çertifikuara nga asistentët e huaj, që kanë punuar me ne. Prandaj, janë të drejtpërdrejta e të qarta. Është një program refome tërësore për administratën. 

Doni të përmirësoni rrënjësisht gjendjen? Punoni dhe zbatojini ato!

Pas dy vjetësh nga botimi i parë i librit, monitorimi tregon se 125 rekomandimet mund të ndahen në tri grupe: të përmbushura plotësisht deri tani (19 rekomandime), pjesërisht (34 rekomandime) dhe të papërmbushura (72 rekomandime). Ka rëndësi të theksohet se  monitorimi i rekomandimeve po vazhdohet, pa e ditur në është lexuar libri apo jo. 

ZGJIDHJA E PROBLEMIT, ja çfarë ka rëndësi. Nuk ka rëndësi se kush e dha mendimin i pari për Ministrinë e Integrimit. Ka rëndësi që kjo Ministri nuk ekziston më, çka është në linjë me rekomandimin përkatës të librit.

Nga ana tjetër, kjo ndarje është vetëm orientuese, sepse në grupin e tretë mund të përfshihet një rekomandim me peshë, pengues, sikundër në grupin e parë mund të jetë një rekomandim i “lehte” për t’u përmbushur. Prandaj, është mirë që përmbushja e tyre të shihet duke i kombinuar, sipas problematikës që krijojnë. 

Sipas këtij arsyetimi, rekomandimet nr. 10, 12, 45 dhe 46 mbi koalicionet e partive politike, duhen parë së bashku. Koalicionet duhet të jenë programore, secila Parti duhet të provojë veten e saj dhe këto janë konsideruar që janë pjesërisht të përmbushura, duke u nisur nga diskutimi i Kodit Zgjedhor këtë herë. Por, duke menduar qëndrueshmërinë e zgjidhjes, që është në rastin e përgjithshëm një ligj, vendim qeverie apo udhëzim, ndërsa në rastin konkret duhet të jetë një ligj Kuvendi, sepse nuk ka asnjë kuptim, sipas meje, që rregullat të zbatohen dhe të ndryshohen sapo dikush që nuk i kupton, të vijë në karrige, siç edhe ka ndodhur.

Rekomandimet u formuluan qëllimshëm dhe u vendos që të përfshihen në botim, për t’u konsideruar nga ata që hartojnë programe reforme, pra ekspertët vendas e ndërkombëtarë, sepse, në përgjithësi, siç shpjegohet edhe në libër, ne nuk ishim të kënaqur me dokumentat që prodhonin, apo mënyrën se si i zvarrisnin gjërat.

Ky libër u botua, pra, qëllimshëm për të kontribuar e për  t’u zbatuar.

Si mendoni, sa janë marrë parasysh sot rekomandimet tuaja nga Administrata Publike?

Janë marrë pak. Sepse kjo kërkon vullnet politik dhe kurajë politike. Nuk mjafton që Departamenti i Administratës Publike të transferohet me urgjencë në vendin e tij “natyral” në Kryeministri. Kjo duhet fiksuar me ligj (rekomandimi 13 dhe 14 mbi Departamentin e Adminisratës Publike dhe sistemin e turpshëm që kemi ngritur: parti baraz punësim) në mënyrë që të mos varet nga “Maliqi” nesër, se ku do të jetë, por të jetë vendndodhja më e qëndrueshme.

Unë vë re se Kryeministri i sotëm, duket se e ka këtë vullnet politik, kurajë e dije, por ministrat jo të gjithë. Ka ministra që, sipas meje, janë të papërvojë dhe nuk bëjnë gjënë e duhur. Vetëm marrin mungesat e stafit të Ministrive dhe nuk kuptojnë gjë. Unë do të preferoja të ruhet i njëjti Kryeministër me një qeveri tjetër, që i përgjigjet siç duhet qeverisjes së mirë. Por, kjo do të varet nga votat, sigurisht.

Mes rekomandimeve, a do të mund të zgjidhnit 5 prej tyre, si më të rëndësishmit për një ndryshim bazik?

Po, sigurisht, mund të zgjedh. Por, kam mendimin, se rekomandimet duhet të përmbushen të gjitha, të zbatohen një nga një sipas problematikës, që të japin rezultatin e pritur. Kështu, për forcimin e Administratës Publike këshillohet që gjithçka të ribëhet nga fillimi: kontrolli me korrektesë (Vetting-u) i stafit ekzistues, plotësimi i vendeve bosh me konkurs, përfshirja në Kodin Penal e një neni të veçantë mbi dënimin e çdokujt që zhbën Aministratën Publike (rekomandimet 4, 5, dhe 34); fiksimi i Departamentit të Administratës Publike në Kryeministri dhe në varësi të Kryeministrit (rekomandimet 6, 8 dhe 9); shmangia e “pazareve” politike me koalicionet (rekomandimet 10, 12 dhr 45); si dhe rikthimi në punë me konkurs i disa prej punonjësve të hequr padrejtësisht nga puna dhe ngritja e sistemit të monitorimit dhe vlerësimit të nëpunësve civilë (rekomandimet 6 dhe 28).

Njëlloj si për Administratën Publike, me logjikën e mësipërme, është e mundur të renditen grupe rekomandimesh sipas problemeve dhe të 125 rekomandimet reduktohen në 49 probleme kryesore.

Plagët e një keqadministrimi janë rastësore, apo të qëllimshme?

Nuk mendoj se kjo është më e rëndësishmja. Se dihet se kush e zhbëri Administratën Publike. Dihet edhe që për të diskretituar një sistem, mjafton të fillosh të përçudnosh administratën e tij. Nuk ka qenë qëllimi i këtij libri hetimi dhe argumentimi i dënimit. Libri nuk ka pasur qëllim të pluhurosë punën e askujt për të ngritur punën e dikujt tjetër, sepse është libër teknik – apolitik. Ju lutem, mos e errësoni këtë libër! 

Administrata publike tek ne, u përçudnua në mënyrë të pariparueshme dhe askush nuk u dënua. Kjo ndodhi në një vend ku mbrohen monumentet e kulturës, por jo Admistrata Publike. Me të mund të bësh ç’të duash dhe nuk dënohesh, nuk e përmban Kodi Penal. Bëhet në urgjencë plotësimi për COVID-19, por nuk plotësohet Kodi për këtë çështje të vjetër.

Si mund të krahasojmë Shqipërinë me vende post-komuniste në ndërtimin e shtetit? Çfarë bëmë gabim dhe përse?

Sigurisht, varet se çfarë do krahasojmë. Për Administratën Publike, thuajse gjithçka është bërë gabim. Punësimi i militantëve të paaftë dhe pa arsimin e duhur, pa konkurse; pagat shumë të ulta nga buxheti i shtrënguar i shtetit, aspak motivuese, nxitëse; ekspertët ndërkombëtarë jo të aftë e joefiçientë  etj, e kanë penguar seriozisht këtë Reformë.

Për të tjerat, ne të fundit kemi qenë dhe të fundit jemi, edhe pse janë krijuar shtete të reja, sepse duke punuar, të gjithë ecin më shpejt se ne.

Megjithatë, unë mendoj se, akuza për mungesën e aftësive shtetfomuese të shqiptarëve është e stisur me keqdashje, sepse s’ka argumente të mjaftueshme. Historia e shtetit tonë të ri provon të kundërtën. Në libër jepen disa argumente për këtë rast. Ja, të shohim tani se si do shkojnë bisedimet e pranimit në Bashkimin Europian!

Që në titull të librit jeni optimist. A jeni dhe sot njësoj?

Nuk është puna të jesh, apo jo optimist. Varet se çfarë do që të provosh, kur shkruan. Kështu, në rast se do që të provosh se Shqipëria do të bëhet, duhet të shkruash se si mund të bëhet, i çliruar tërësisht nga pyetje të tilla. 

Unë mbetem optimist se vendi ynë MUND TË BËHET. Jo vetëm nga mundësitë pakufi që ka nga turizmi dhe bujqësia bio, por edhe nga njerëzit e mençur që ka, të cilët janë vitalë dhe mund t’a përmbysin gjendjen.

Si një studiues i vëmendshëm i sistemit, mangësitë vijnë nga ndërtimi i keq i sistemit, apo nga aplikimi i shtrembër i ligjeve dhe normave?

Edhe kjo varet nga çështja që diskutohet, sepse mangësitë mund të jenë me origjinë të ndryshme, si nga ligjet e këqija, ashtu edhe nga moszbatimi i ligjeve.

Ndërtimin e Sistemit të Drejtësisë ne e kemi filluar vetë nga fillimi, sepse në të kaluarën e afërt ai nuk ekzistonte. Dhe njëlloj si në Socializëm, shpikëm. Por këtë radhë jo tufëzat, as “njeriun e ri”, por vetëm “gjyqtarët e plepave”. Dhe e katranosëm. (Interesante, askush nuk flet sot për këta gjyqtarë pa arsimin e duhur. Asnjëra palë dhe as të huajt, e keni vënë re?).

Filloi kështu Vettingu dhe Reforma e Drejtësisë. Por pa strategji të miratuar nga Qeveria, pa data. Sot askush nuk di, as Presidenti ynë, ministri përkatës jo që jo, se kur mund të kemi Gjykatën Kushtetuese, apo kur do të mbarojë vettingu. As të huajt!

Na e kanë thënë e mësuar të gjithë që ligjet i kemi të mira, por zbatimi i tyre çalon. Mbetet shumë e diskutueshme lehtësia me të cilën shkelen ligjet tek ne. Thuhet gati me mburrje se kemi ligje shumë të mira, por çalojmë, vetëm pak, në zbatimin e tyre. Sikur kjo të jetë një gjë e mirë dhe na mungon vetëm një gjë minimale. Është skandaloze, sipas meje, që ne kemi edhe ligj edhe “Maliq” të barazvlefshëm. Aq sa “Maliqët” kanë shkelur edhe ligjet e shkruara nga ata vetë! Kjo është e provuar kollajshëm tashmë.

Nuk ka tek ne asnjë lloj kontrolli, apo siç thuhet sot monitorimi, ndaj burokratëve të Administratës Publike. Nuk ekziston. Jemi më shumë të fiksuar tek oraret e fillimit dhe mbarimit të punës, vetëm ato kontrollohen. Kështu që burokratët kanë dorë të lirë të bëjnë ç’të duan gjatë orarit të punës. Gjithkush, që ka punë me ta, shihet nga “duart”. Sepse shumica e tyre, mendoj unë, prandaj janë aty, për të parë interesat e tyre.

Por, ama, ligjin, strategjinë dhe strukturën antikorrupsion, e kemi të mirëpërkthyer!

Cilat janë pritshmëritë tuaja për brezin e ri atëherë? Ata që kanë studiuar jashtë, a mund të nisin tani të kontribuojnë për vendin?

Kjo është pyetje me rëndësi e delikate. Me rëndësi, sepse brezi i ri do të marrë stafetën gjithandej. Delikate, sepse edhe brezi i ri ka skarcot e veta. Jo gjithkush që ka studiuar jashtë ka mundësi të punojë në sektorin publik, ku kërkohen disa njohuri të veçanta, që jo gjithkush mund t’i zotërojë, kur mbaron shkollën në vend ose jashtë. Puna është se, ata që kanë studiuar jashtë, nuk i kanë shumë nga sëmundjet tona dhe mësojnë shumë shpejt. Madje, ata nuk pranojnë të fillojnë punë pa kaluar në konkurs. Kështu që me shumë pak punë, ata mund të konkurojnë dhe mund të jenë në shërbimin civil. Në Bashkinë e Tiranës punët ecin mirë edhe në sajë të nëpunësve që kanë studiuar jashtë.

Mendoni që përvojën tuaj ta transmetoni, duke shkruar më tej për Administaratën publike?

Për Administratën Publike nuk mendoj se duhet shkruar më tej. Duhet pritur se çfarë do të bëhet me rekomandimet e këtij libri. 

Veçanërisht për strukturat, sepse nuk mund të vazhdohet me eksperimentin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së bashku, kur aty sot bëhet vetëm Financë dhe jo Ekonomi, as pa e ndarë veç Energjetikën nga Ndërtimi i Infrastrukturave dhe Transporti, dhe as me fokus tek bujqësia e centralizuar, kur toka është e privatizuar dhe në fshat s’ka shërbime. 

Duke marrë shkas nga disa gjithologë, që nuk mund të dëgjohen në televizor, ngaqë vetëm kritikojnë gjithkënd e gjithçka, pa argumente, pa lexuar asnjë rresht dhe pa kërkuar një reformë të plotë të medias, fillova të shkruaj një libër të dytë, me ese dhe analiza mbi zgjidhjen e ngërçeve të sotme politike.

I mblodha të gjitha esetë dhe analizat që kisha shkruar më parë dhe i përditësova me ngjarjet që po ndodhnin në politikën e “majtë” e të “djathtë” edhe midis tyre edhe pse në Shqipëri, dihet se nuk ka të djathtë dhe të majtë, me diferenca ideologjike të vërteta. Aq sa thuhet nën zë se “të majtët” janë më djathtas se vetë “të djathtët” dhe anasjelltas.

Tema të tilla si: Reforma e Medias dhe Paketa Antishpifje; Kodi Zgjedhor dhe Konflikti i interesit; Jashtë politikanët e vjetëruar; Gjysmëqeverisja; Kuvendi i Shqipërisë si Kuvendi Popullor; A kemi qenë ndonjëherë komunistë; Demokracia e brishtë shqiptare; globalizmi dhe neosovraniteti; përfitimet e politikës nga COVID – 19 etj.. më duken tema interesante që të grishin për të shkruar dhe për debate, veçanërisht në prag të bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ndërkombëtarët janë pjesë e reformave tona. Por a e dini se Bashkimi Europian nuk ka akoma kritere të shkruara për anëtarësimin në të dhe çdo gjë është fare subjektive? A e dini se ish – Kryeministri i Europës, Kryetari i Bashkimit Europian, ka deklaruar në vitin 2017 se është kundër anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian? Ka thënë kështu dhe askush nuk i është përgjigjur ta kundërshtojë. As ata që paguhen për këtë punë. Përse nuk thuhen këto?

Kam përshtypjen se ndërkombëtarët duket se luajnë “bastunin dhe karrotën” me ne, kështu që edhe ne justifikohemi më lehtë për “detyrat e shtëpisë” që na caktojnë të bëjmë dhe i lëmë përherë përgjysëm.

Faleminderit për pyetjet e menduara që më drejtuat!

Intervistoi: Albana Muçaj

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0