Të dhënat e siguruara nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (Shërbimi Kombëtar i Punës) tregojnë se lista e të huajve të punësuar në vend në 2016-n e vijon me shtetasit shqiptarë të Kosovës (7%), por edhe ata kinezë (6%) e grekë (5%). Më të paktë në numër janë ata kanadezë, egjiptianë, maqedonas apo edhe indianë.
Në total, për vitin 2016, u llogaritën 3,326 leje të reja për shtetas të huaj, me një rritje prej 6% në krahasim me një vit më parë.
Pjesa më e madhe e lejeve (rreth 40.5%) janë në rajonin e Tiranës, por ka edhe në Durrës (10% e Totalit), Lezhë (7%), etj. Nga 3.326 shtetasit e huaj të punësuar për 2016, rezulton se 1,825 janë të pajisur me leje pune dhe 1,501 të tjerë me vërtetime deklarimi për punësim.
Sipas ligjit shqiptar, shtetasit e huaj që dëshirojnë të punojnë në Shqipëri para fillimit të punës pajisen me një leje pune, ku të përjashtuar nga ky detyrim janë vetëm shtetasit e Bashkimit Europian, shtetasit e zonës Shengen, shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe shtetasit e Republikës së Kosovës dhe ata të Republikës së Serbisë me përkatësi etnike shqiptare, të cilët para fillimit të punës pajisen me një Vërtetim deklarimi për punësim.
Në rritjen e numrit të të huajve të punësuar në Shqipëri ka ndikuar padyshim ndërtimi i veprave të mëdha në sektorin e energjisë, siç është gazsjellësi TAP, apo edhe HEC-et mbi lumin Devoll.
Sipas këtyre të dhënave, aktiviteti që tërheq më shumë të huaj mbetet ndërtimi (20% të totalit), e më pas shërbimet (18%), industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese me nga 6%, aktivitetet profesionale dhe teknike me nga 9%, telekomunikacioni me 7%. Akomodimi dhe shërbimi ushqimor mbeten më pak të preferuara, pasi të huajt që punojnë në këtë sektor zënë vetëm 1%.
burimi: Monitor