Shqipëria kthehet në një "parajsë" pune për të huajt - Business Magazine Albania

Shqipëria kthehet në një “parajsë” pune për të huajt


Shqipëria duket se është kthyer në një vend të preferuar për të punuar për turqit dhe italianët. Të dhënat zyrtare për vitin 2016, tregojnë se shtetasit me origjinë turke zunë 28% të të huajve që kanë zgjedhur të punojnë në vendin tonë vitin e kaluar, ndërsa italianët rreth 23%. Kjo lidhet kryesisht me aktivitetin e shërbimeve apo edhe të ndërtimit, që përbëjnë edhe fushat më të pëlqyera nga të huajt.

Të dhënat e siguruara nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (Shërbimi Kombëtar i Punës) tregojnë se lista e të huajve të punësuar në vend në 2016-n e vijon me shtetasit shqiptarë të Kosovës (7%), por edhe ata kinezë (6%) e grekë  (5%). Më të paktë në numër janë ata kanadezë, egjiptianë, maqedonas apo edhe indianë.

Në total, për vitin 2016, u llogaritën 3,326 leje të reja për shtetas të huaj, me një rritje prej 6% në krahasim me një vit më parë.

Pjesa më e madhe e lejeve (rreth 40.5%) janë në rajonin e Tiranës, por ka edhe në Durrës (10% e Totalit), Lezhë (7%), etj. Nga 3.326 shtetasit e huaj të punësuar për 2016, rezulton se 1,825 janë të pajisur me leje  pune dhe 1,501 të tjerë me vërtetime deklarimi për punësim.

Sipas ligjit shqiptar, shtetasit e huaj që dëshirojnë të punojnë në Shqipëri para fillimit të punës pajisen me një leje pune, ku të përjashtuar nga ky detyrim janë vetëm shtetasit e Bashkimit Europian,  shtetasit e zonës Shengen, shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe shtetasit e Republikës së Kosovës dhe ata të Republikës së Serbisë me përkatësi etnike shqiptare, të cilët para fillimit të punës pajisen me një Vërtetim deklarimi për punësim.

Në rritjen e numrit të të huajve të punësuar në Shqipëri ka ndikuar padyshim ndërtimi i veprave të mëdha në sektorin e energjisë, siç është gazsjellësi TAP, apo edhe HEC-et mbi lumin Devoll.

Sipas këtyre të dhënave, aktiviteti që tërheq më shumë të huaj mbetet ndërtimi (20% të totalit), e më pas shërbimet (18%),  industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese me nga 6%, aktivitetet profesionale dhe teknike me nga 9%, telekomunikacioni me 7%. Akomodimi dhe shërbimi ushqimor mbeten më pak të preferuara, pasi të huajt që punojnë në këtë sektor zënë vetëm 1%.

burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0