Përpara nisjes së proceseve të ristrukturimit dhe liberalizimit të industrisë së energjisë elektrike (pra 2003), aktiviteti që aktualisht po cilësohet si “tregu me pakicë” apo “furnizimi” dhe nganjëherë “komercializimi” e “derregullim i shitjes”, ishin pjesë e zinxhirit të aktiviteteve të kryera si shërbime te integruara vertikalisht nga KESH-i, njëherësh shërbim publik dhe monopol i rregulluar natyror dhe ligjor.
Natyrisht tregtimi me pakicë i energjisë elektrike është një aktivitet konkurrues i mundshëm vetëm në vendet ku tregu i energjisë është ristrukturuar. Megjithatë ristrukturimi nuk sjell domosdoshmërisht liberalizimin edhe të shitjes me pakicë. Kështu, strategjia e re e sektorit të energjisë, prezantuar për publikun me 26 Mars 2018, edhe pse akoma për t’u aprovuar, parashikon liberalizimin e plotë brenda vitit 2025.
Pra, një vendim që duket i largët për t’u vënë në praktikë dhe pyetja lind a duhet bërë liberalizimi apo jo? Siç dihet, ai është tashmë në proces në nivele të ndryshme në mbarë botën dhe plotësimi i tij për vendin tonë është një detyrim në kuadër të integrimit europian. Duke qenë kështu, sa më sipër nuk është një opsion pavarësisht sfidave të ndryshme që paraqet. Natyrisht këtu nuk do të merremi me të gjitha, por do të përqendrohemi duke ilustruar vetëm disa prej tyre, të konsideruar më të rëndësishme.
E para ka të bëjë me ndërhyrjen në tarifat e rregulluara. Siç dihet, liberalizimi i shitjes me pakicë mund të zbatohet në dy mënyra: kualifikimi i konsumatorëve (eligibility), që në thelb do të thotë se konsumatorët janë të lirë të zgjedhin një furnizues alternativ, por ato gjithashtu mund të mbesin nën mbrojtjen e tarifave të rregulluara; ose liberalizimi i plotë, ku tarifat eleminohen plotësisht.
Në rastin e parë, çështja që duhet të trajtohet me kujdes është që tarifat e rregulluara (default) të mos përbëjnë konkurrencë të pandershme kundrejt furnizuesve alternativë. Kjo do të thotë që konsumatorët të paguajnë kostot reale. Edhe pse kjo është e qartë në parim, një vështrim i shpejtë në përvojat praktike pasqyron se realiteti nuk është kështu të paktën në vendet e rajonit. Në shumë raste, rregullatorët apo dhe autoritetet publike hezitojnë të mbështesin çmimet në treg. Në një rast të tillë, derregullimi i shitjes me pakicë ka gjasa të dështojë.
Nga ana tjetër, ka çështje strukturore dhe shumë debate rreth nevojës për ndarje apo shthurje (unbundling) të kompanive publike. Ndarje, që në thelb nënkupton se duhet të ekzistojë një nivel minimal i ndarjes midis aktiviteteve, veçanërisht ndërmjet atyre të rregulluara (transmetimit dhe shpërndarjes) dhe ato konkurruese.
Çështja më e diskutueshme e ndarjes ka të bëjë me nivelin e ndarjes midis shpërndarjes dhe shitjes me pakicë. Në këtë rast, frika është se kompania e shpërndarjes mund të vendosë shumë pengesa që në thelb synojnë mbajtjen e klientëve ekzistues, për shembull duke ndikuar në cilësinë e shërbimit që furnizuesit alternativë ofrojnë për klientët që preferojnë të fitojnë nga shërbimet konkurrente.
Natyrisht, kjo është një çështje jo e qartë dhe jo e lehtë për të faktuar. Ka nga ata që argumentojnë se nuk është e nevojshme dhe është shumë e paefektshme dhe se këto raste janë të izoluara dhe mund të monitorohen lehtësisht nga enti rregullatorë. Për ketë shpesh e rekomanduar është një ndarja e rëndësishme apo e plotë e pronësisë, ose vendosja e barrierave të qarta midis dy veprimtarive të kompanisë publike.
Një çështje tjetër që është duke fituar rëndësi në kontekstin e sistemeve të energjisë elektrike është ndarja midis gjenerimit dhe shitjes me pakicë. Në këtë rast, edhe se po flasim për dy aktivitete konkurruese, të cilat nuk janë aq kritike, ka zëra që po fillojnë të argumentojnë (për shembull, rasti i rregullatorit me zë, Ofgem në një treg shumë të zhvilluar si ai i UK) se diçka e tillë nevojitet për të garantuar hyrjen e lirë të furnizuesve të rinj në sistem. Siç ka shumë çështje rreth ndarjes, të verifikuar së fundmi lidhur edhe me balancimin e energjisë për OST-në, të cilat me sa duket do kërkojnë trajtim të mëtejshëm në vijim.
Së fundi ka shumë çështje të tjera, më operative, ku nevojiten garanci për të siguruar që procedurat të kryhen në mënyrën e duhur. Njëra prej tyre është switching, e cila nuk është diçka e veçantë për biznesin e energjisë elektrike, por gjithashtu ekziston edhe në fusha të tjera si telefonia, interneti, etj. Kjo garanton që procesi i ndryshimit nga një furnizues në tjetrin të jetë efikas, i shpejtë dhe jo shumë i kushtueshëm, sepse në të kundër konsumatorët nuk do të lëvizin dhe tregu nuk do të arrijë kurrë të funksionojë.
Çështje të tjera kanë të bëjnë me matjen, ku natyrshëm pikëpyetje ngrihen në lidhje me kush duhet të ketë përgjegjësinë për to, kush duhet ta zotërojë njëhsorin e energjisë, a duhet të jetë shitës me pakicë apo duhet të jetë distributori, e cilët lloj matësish duhet të vendosen dhe a duhet të jenë të njëjtë për të gjithë konsumatorët? Çështje këto të fundit që duket se po marrin një trajtim në sektorin e tregtimit të karburanteve.
Pra këto dhe të tjera janë shumë çështje të hapura dhe shumë të rëndësishme nëse duam të vemë në praktikë procesin e liberalizimit dhe të bëjmë që efektet e tij të ndihen për bizneset, por mbi të gjitha edhe tek konsumatori final.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.