Sejko: stabilizimi i inflacionit, objektiv parësor - Business Magazine Albania

Sejko: stabilizimi i inflacionit, objektiv parësor

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, mori pjesë këtë javë në konferencën e Institutit të Studimeve të larta në Gjenevë me temë “A është rikthyer inflacioni dhe në cilën formë?”.

Pjesë e diskutimeve të kësaj konference ishin: ndryshimi i ecurisë së inflacionit, roli i bankave qendrore në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, ndikimi i konfliktit në Ukrainë në zinxhirët e furnizimit në ekonomi. Konferenca shqyrtoi gjithashtu sfidat me të cilat përballen bankat qendrore në trajtimin e këtyre situatave të reja. Bankat qendrore, deri në vitin 2021, punonin për të mbajtjen e inflacionit në një nivel mesatarisht të lartë. Ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe strukturën e konsumit, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia së bashku me ndikimin e konfliktit në Ukrainë në çmimet e mallrave, kanë çuar në rritjen më të lartë të inflacionit që prej tre dekadash.


Kjo bën që misioni kryesor i bankave qendrore – ruajtja e stabilitetit të çmimeve – të marrë një vëmendje të veçantë dhe në këtë kontekst, ruajtja e besueshmërisë së tyre është e lidhur me aftësinë për të mbajtur inflacionin nën kontroll.

Guvernatori Sejko, i ftuar si folës për temën “Sa global është inflacioni?”, u shpreh se inflacioni i lartë aktualisht është një fenomen global, pasi faktorët, rreziqet dhe sfidat janë të ngjashme në të gjitha vendet.

Sipas tij, globalizimi i avancuar ka rritur ndikimin e ndërprerjeve të furnizimit si ato të vërejtura kohët e fundit, veçanërisht nafta, gazi dhe energjia. Rrjedhojë e globalizimit është dhe ky mjedis me inflacion të lartë, ushqyer gjithashtu nga kursimet e akumuluara gjatë bllokimeve të pandemisë, ndërsa konflikti Rusi – Ukrainë rriti paqëndrueshmërinë, pasigurinë dhe zvogëloi ofertën. Guvernatori Sejko u ndal më tej dhe në zhvillimet e ekonomisë shqiptare. Ekonomia u rikuperua shpejt nga goditjet negative të shkaktuara nga bllokimet dhe kufizimet ekonomike të lidhura me pandeminë, brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa fillimi i konfliktit Rusi-Ukrainë ndryshoi rrënjësisht pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë dhe perspektivën ekonomike, dhe çoi në rritje të inflacionit, nga 0.9% në tremujorin e parë të 2021 në një normë mbi objektivin prej 3.1% në tremujorin e fundit të 2021.

Sejko foli për ndërnyrjet e Bankës së Shqipërisë, duke theksuar se: nëpërmjet politikës monetare rriti normat e interesit 3 herë deri tani nga niveli më i ulët prej 0.5% në shkurt 2022 në 1.75% në gusht 2022, për të drejtuar pritjet inflacioniste dhe për të siguruar konvergimin e inflacionit me objektivin, brenda një perspektive afatmesme.

Lexo:  Kriza e çmimeve dhe furnizimit ka mbërritur

Sipas tij,  politika monetare në Bankën e Shqipërisë ka qenë dhe do të vazhdojë të drejtohet nga tre parime:
1- Banka e Shqipërisë mbetet e përkushtuar për të ndërmarrë çfarëdo veprimi që kërkohet për të ruajtur qëndrueshmërinë e inflacionit.
2- pa cenuar stabilitetin e çmimeve, do të përpiqet të shmangë goditjet e panevojshme monetare të aktivitetit ekonomik, gjë që do të kërkojë një analizë të kujdesshme të prirjeve të çmimeve duke marrë parasysh kohëzgjatjen e gjatë të mekanizmit të transmetimit.
3-Banka e Shqipërisë do të përpiqet të bashkërendojë politikën monetare me politikën fiskale.
Sipas Guvernatorit Sejko, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e kujdesshme për shëndetin e sistemit bankar dhe financiar, duke u fokusuar në mbikëqyrjen bankare dhe në ndërmarrjen e politikave proaktive.

Konferenca e organizuar për të dhjetin vit radhazi në kuadër të programit BCC (Bilateral Assistance & Capacity Building for Central Banks) të shtetit zviceran, ka për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive mes pjesëmarrësve, të cilët përfaqësojnë bankat qendrore të vendeve partnere të këtij programi.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0