Rruga drejt Suksesit po përshkohet nga mijëra shqiptarë - Business Magazine Albania

Rruga drejt Suksesit po përshkohet nga mijëra shqiptarë


E premtja pasdite kishte një destinacion në një sallë përgatitur posaçërisht për eventin treditor. Mbi 2000 veta do të linin orët e fundit të punës, për t’u nisur tek Rruga drejt Suksesit. Ishin sipërmarrës dhe punonjës të tyre, profesionistë që duan të rriten në karrierë, të rinj që duan të hapin biznes, studentë e nxënës shkollash. Unë zgjodha që rrugëtimin ta bëj me Kristianin. Ai është në klasë të nëntë tashmë. Me çantën e shkollës në shpinë, takohem me të në qendër të Tiranës. “Mund ta kisha lënë orën e fundit. Kisha fiskulturë”, tha. Por, ne ia dolëm të mos i lëmë orët e të mos humbasim as nisjen e eventit.

Si Kristiani kishte dhjetëra nxënës shkolle, që më shumë se edhe ne të rriturit kanë nevojë për motivim, për disa rregulla jete bazë që mund t’i aplikojnë lehtësisht çdo ditë, e ta bëjnë jetën e tyre e të njëjrëzve përreth më të mirë.

Salla plot nuk përbëntë habi, as ditën e fundit kur dukej se ishin shtuar. Unë ndodhesha për herë të tretë aty, ndërsa për Kristianin ishte viti i dytë.

“Kur nxënësi është gati, mësuesi është aty”. Pjesëmarrësit e etur për të mësuar më shumë rreth mundësive të tyre për sukses, furnizuan Vasil Naçin me energjinë e nevojshme për të shkëlqyer për tre ditë rresht në skenë.

A e dini sa e rëndësishme është çfarë na thuhet? Kur ai ishte ende në shkollën 8 vjeçare, shoku i babait të tij e sfidon, duke i thënë që nëse do të dilte me të gjitha 10-a, do ta mbështeste të shkojë në shkollën “Skënderbej”, shkolla më e kërkuar atëherë. Kjo është një nxitje për trurin e adoleshentit. Por, fuqia ushqyese e trurit mendoj se ka lindur nga fjalët spontane të babait të tij, “ky po të dojë, del me të gjitha notat 10-a”. Besimi që na japin të tjerët, e mbi të gjitha vetëbesimi janë mes shtyllave më të rëndësishme të marrëdhënieve me njerëzit, të suksesit tonë. Sa herë na ka ndodhur të marrim një kompliment, e të mendojmë se shoku, miku apo familjari, nuk e ka seriozisht, madje ndoshta po na përqesh?! Po ne vetë si i flasim vetes? Çfarë fjalësh i themi?!

Në një komunitet ende në tranzicion ekonomik, me shumë probleme zhvillimi, vështirë të mund të flasim për një zhvillim shoqëror dhe qëndrim pozitiv injektues. Shumë prej nesh shmangin bisedat ankuese në kafene, për mungesën e rritjes së pagës, për faktin që këtu asgjë e mirë nuk po ndodh dhe diku jashtë është e ardhmja, e mira.

E nëse miqve e njerëze përreth u flasim në këtë mënyrë, shqetësimi është se po ia themi edhe vetës në të njëjtën kohë. Një prej pyetjeve që u shtruar në sallën e madhe në Expo City, ishte: të sillje në mendje 3 miqtë e tu. Unë i shkrova tre emrat, por kisha gabuar. Besoj edhe shumë miq të mi…

Ti kë do të rendisje…A e shkrove emrin tënd mes 3 miqve më të rëndësishëm?!

Fundja nëse nuk duam veten, si mund të duam të tjerët.

Lexo: Punë, disiplinë e këmbëngulje. Këshillat e sipërmarrësit Vasil Naçi për sukses  

Vetja, jeta e shëndetshme (stili i jetës, ushqimi, meditimi, yoga), qëndrimi pozitiv, rrugëtimi për të përmirësuar veten dhe të tjerët, ishin tema që mbajtën mbërthyer për tre ditë në fundjavë mbi 2000 persona të ardhur nga i gjithë rajoni.

Krahas takimit të miqve të vjetër, unë arrita të njoh e të krijoj miqësi të reja. Mes tyre njoha edhe Mimoza Thaqin, sipërmarrësja dhe folësja motivuese nga Maqedonia e Veriut. Ajo është pjesë e ekipit Rruga drejt Suksesit, ashtu si Eglent Bici, sipërmarrës në fushën imobiliare, me një kontribut të madh në rrjetet sociale për motivimin e të rinjve. I gjithë komoditeti dhe trajtimi i çdo pjesëmarrësi si lider është meritë e një pune organizative me ekipin Rruga drejt Suksesit.

Por, çfarë i bëri pjesëmarrësit dhe veçanërisht adoleshentët t’i mbarojnë të gjitha fletët e bardha në fund të librit, me shënime për rregulla që në shkollë pak i prekin, por jetike për mirëqenien?!

Për shumë pjesmarrës të pyetur aty, më e rëndësishme është se kush po flet. Po flet një sipërmarrës i suksesshëm, i përulur, një nxënës i etur për të mësuar më tej dhe një person që do ta ndajë njohurinë dhe mirënjohjen me të tjerë.

Një tjetër pyetje që të lind kur shikon një komunitet kaq të gjerë është se çfarë i bën bashkë sipërmarrës, punonjës, të rinj e të moshuar, studiues. Përgjigjia gjendet po aty. Ka shumë  ngjashmëri mes rregullave të menaxhimit të vetes dhe atyre të menaxhimit të një biznesi, ndaj mesazhet e ndara vlejnë si për individin edhe për kompaninë. Pra, sipërmarrje është të rrisësh e të përmirësosh veten, po aq sa edhe biznesin. Dhe nëse ke bërë të parën, mund të bësh edhe të dytën.

Arjeta Dhima, ventriloquistja e vetme në vend, themeluese dhe drejtuese e iACT, është aty për të mësuar sërish dhe për të ndjekur pikërisht progresin e fjalës, fjalimit të folësit motivues, pas punës së bërë pas skenës me folësin. Edhe mentorët kanë nevojë për mentorë, e mes njerëzve të tillë mentorimi është i ndërsjelltë.

Në një periudhë kur shumë të rinj duan të largohen jashtë vendit dhe nuk gjejnë shpresë në vendin e tyre, sjellja e shembujve të mirë, ndryshimi i këndvështrimit dhe qëndrimi pozitiv ndaj situatave bëhet më edhe më i rëndësishëm. Ndaj mediat sociale kanë “vluar” menjëherë pas përfundimit të eventit, me foto, falenderime e mesazhe mirënjohje.

Prej të djelës pasdite, Kristiani ka shtuar dozën e qëndrimit pozitiv, përkujdesjes për vëllain e tij dhe shokët dhe besoj edhe vlerësimin për veten.

Ja disa prej mesazheve të Rruga drejt Suksesit

Disa gjëra nuk mund të delegohen!

Fokusohu tek pikat e forta për t’i zhvilluar!

Fokusohu tek dobësitë për t’i përmirësuar!

Vetëdisiplinohu!

Ji krenar për punën tënde, për mendësinë tënde të rritjes!

Ki kujdes çfarë i thua vetes!

Nëse nuk gjen burimin e problemit dhe një sistem që të mos përsëritet, nuk ke dhënë zgjidhje!

Universi nuk të jep një sfidë pa të dhënë edhe një zgjidhje!

Duaje trupin tënd!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0