"Rrjeti Safe Journalists" në Shqipëri - Ja çfarë thotë raporti për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve - Business Magazine Albania

“Rrjeti Safe Journalists” në Shqipëri – Ja çfarë thotë raporti për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve

Rrjeti Safe Journalists
~4 minuta lexim

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurtë në Ballkanin Perëndimor publikoi në Tiranë raportin me Treguesit mbi nivelin e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në Shqipëri për vitin 2020. Në raport thuhet se liria e shprehjes, medias dhe informimit, që përmendet në Kushtetutë, nuk zbatohet plotësisht në praktikë, por ka shenja të përkeqësimit të lirisë së shtypit.

“Qeveria shqiptare u përpoq të sjellë ndryshime ligjore, që konsiderohen si shkelje të lirisë së shprehjes dhe të medias”, thotë Blerjana Bino, autore e studimit dhe përfaqësuese e Rrjetit Safe Journalists në Shqipëri.

Në raport theksohet po ashtu se Pandemia Covid-19 u përdor nga autoritetet si një justifikim për mungesën e transparencës, dhe vonesat në informim, duke kufizuar hapësirën e punës së gazetarëve investigativë e kritikë, dhe duke vështirësuar mbulimin e ngjarjeve.

Drejtuesi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa thotë se, krahas shumë vështirësive, “pengesa më e madhe që ndeshin sot gazetarët në Shqipëri është mungesa e transparencës së institucioneve dhe mosgjetja e dokumentacionit”.

Raporti shton që gazetarët në terren pohojnë se ndihen të pambrojtur nga kërcënimet fizike, ndërsa gazetarët investigativë pohojnë se kanë frikë nga proceset gjyqësore, që nisen prej aktorëve të prekur nga puna e tyre.

Shqetësimet për sigurinë e gazetarëve u rritën në vitin 2020, me kërcënime kundër jetës dhe sigurisë fizike e jofizike të tyre, sulme faktike, kërcënime për vrasje dhe sulme ndaj institucioneve të medias, organizatave, mediave dhe shoqatave të gazetarëve.

Në raport theksohet se zyrtarët i dënojnë sulmet ndaj gazetarëve si shkelje e lirisë së shprehjes, por agjencitë e zbatimit të ligjit duhet t’i hetojnë deri në fund këto sulme.

Sipas raportit, në proceset gjyqësore gazetarëve shpesh nuk u sigurohet avokat nga media ku punojnë, gjyqet janë shumë të shtrenjta dhe të stërgjatura, gjë që i pengon në punë, dhe së treti janë proceset e ashpra të tipit slap, një strategji e kompanive nën hetim për të bllokuar gazetarët investigativë.

Safe Journalists thekson se, në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare, në Shqipëri shpifja konsiderohet kundërvajtje penale. Në vitin 2020 janë regjistruar 12 procese gjyqësore kundër gazetarëve, kryesisht për shpifje.

Në disa raste është kërcënuar pavarësia e punës së gazetarëve përmes rritjes së numrit të proceseve gjyqësore kundër tyre, veçanërisht kundër gazetarëve investigativë.

Në raport thuhet se pavarësia editoriale ndikohet nga lidhjet e ngushta mes mediave, politikës dhe bizneseve, ndërsa vetëcensurimi është i pranishëm.

Rrjeti Safe Journalists në Ballkanin Perëndimor nxit autoritetet të rritin transparencën dhe sigurinë e gazetarëve në punë, e nga ana tjetër ftoi mediat shqiptare të forcojnë mekanizmat vetërregullues në komunitetin e tyre, si ngritja e Aleancës Shqiptare për Media Etike.

Rrjeti Safe Journalists e harton sivjet për herë të parë këtë raport për Shqipërinë dhe Kroacinë, ndërsa për disa shtete të tjera në rajon ka 6 vjet që raporton.

Raporti studion mbrojtjen ligjore për gazetarët, pozicionin e tyre në redaksinë e lajmeve dhe sigurinë e gazetarëve.

Liria e medias në Shqipëri pësoi rënie gjatë vitit 2020, kur ajo humbi dy vende dhe u rendit e 84-ta në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.

/VOA

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Karriera jote është një ndërtim, jo një garë.”
— Seth Godin
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0