Rritja e infektimeve/ Nga Gjermania, Italia tek Holanda Franca, mbyllje të reja në prag të Krishtlindjes - Business Magazine Albania

Rritja e infektimeve/ Nga Gjermania, Italia tek Holanda Franca, mbyllje të reja në prag të Krishtlindjes

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka dhënë urdhër për mbylljen e vendit gjatë Krishtlindjes mes një shtimi alarmues të rasteve të koronavirusit në vend. Sipas masave të reja të emergjencës që do fillojnë nga 16 dhjetori deri me 10 janar, të gjitha shkollat dhe dyqanet jo-të domosdoshme në mbarë Gjermaninë duhet të mbyllen, po ashtu edhe baret dhe restorantet do të qëndrojnë të mbyllura.

Në përpjekje për të parandaluar turmat në ambiente të jashtme gjatë periudhës në fjalë, po ashtu është ndaluar edhe shitja e fishekzjarrëve dhe pirja e alkoolit në publik.

I vetmi lehtësim është se deri në 10 njerëz do të lejohen të mblidhen për festimet e Krishtlindjes brenda një shtëpie ndërsa aktualisht lejohen vetëm 5 njerëz nga dy familje të ndryshme. Kremtimet fetare në kisha, xhami dhe sinagoga mund të lejohen nëse ndiqen rregullat e rrepta të higjienës, por këngët në kor ose në grup nuk lejohen.

“Do të kisha dëshiruar për masa më të lehta. Por si rezultat i blerjeve për Krishtlindje, numri i takimeve fizike është rritur ndjeshëm, “tha zonja Merkel për gazetarët në Berlin pas takimit dhe udhëheqësit federalë dhe të shteteve. “Është një nevojë urgjente për vepruar,” shtoi ajo. Shkalla e infeksionit në Gjermani ka arritur nivele rekord gjatë ditëve të fundit dhe ky vend tani renditet i 12-ti në botë për nga numri i rasteve.

Italia

Në Itali, Kryeministri Giuseppe Conte, i cili u vlerësua për vendosmërinë në luftën me valën e parë të koronavirusit, po akuzohet për ndjekjen e një qasjeje “amatore” këtë radhë.  Sipas të dhënave zyrtare, Italia ka afro 64 mijë të vdekur nga koronavirusi, duke tejkaluar Britaninë, e cila për javë të tëra ka kryesuar me rastet e vdekjeve evropiane. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se Italia po regjistron 1,036 të vdekur për një milion banorë, e dyta pas Perusë.

Zoti Conte u përmbajt nga urdhri për një mbyllje tjetër të vendit ndërsa vala e dytë filloi në shtator, pavarësisht thirrjes nga disa guvernatorë rajonalë. Në muajin mars, ai vendosi një mbyllje të rreptë 10 javore, e cila zbuti valën e parë. Udhëheqësi italian tani ka shtuar kufizimet për periudhën e Krishtlindjeve, por disa epidemiologë thonë se masa ka qene shumë e vonë. Mikrobiologu italian Andrea Crisanti tha se, “Vala e parë në Itali ishte fat i keq, por vala e dytë e pafalshme. Një shenjë e menaxhimit të dobët dhe përgatitjes amatore”. Që nga shtatori, Italia shënoi shifrën rekord me më shumë se 28 mijë vdekje nga COVID-i.

Vlerësimi ndaj Kryeministrit Conte në sondazhe po rrëshqet, ndërsa koalicioni i tij qeverisës goditet nga largimet dhe grindjet për pagesat e fondeve të rimëkëmbjes nga Bashkimi Evropian. Matteo Renxi, ish-kryeministër, kërcënoi me rrëzimin e qeverisë duke e larguar partinë e tij “Italia Viva” nga koalicioni që përfshin edhe lëvizjen populiste Pesë Yje si dhe Partinë Demokrate. Në fillim të muajit, shumë qeveri evropiane dukeshin të gatshme për zbutjen e masave kundër koronavirusit për periudhën e Krishtlindjes, përkundër paralajmërimeve të shkencëtarëve dhe mjekëve.

Qeveritë u vunë nën presion në rritje nga publiku, i cili kërkonte lehtësimin e masave për të shpëtuar frymën e festës. Kjo i vuri qeveritë në pozitë se kur duhej të vendosnin se sa larg do të shkonin në lehtësimin e masave, por duke u frikësuar se një festë e gëzuar Krishtlindjeje do të thotë të vuash vitin tjetër. Tani, shumica po shkojnë në drejtim të kundërt, duke shtrënguar masat.

LEXO: Ashpërsohen masat në Gjermani/ Merkel: Masat aktuale të pamjaftueshme

Franca

Javën që shkoi, kryeministri francez njoftoi se siç kishte paralajmëruar të martën, do të shfuqizohej urdhri për izolim, por disa kufizime të rrepta dhe të reja do të rrinin në fuqi për Krishtlindje për shkak të të dhënave shqetësuese. Jean Castex shpresonte të hiqeshin shumë rregulla të tjera, por tha se virusi nuk po e lejon atë.

Po vendoset një orë e re policore që fillon nga ora 8. “Ende nuk jemi në fund të valës së dytë, dhe nuk do të jemi tek synimi jonë që është 5 mijë raste në ditë. E dimë se grumbullimet gjatë festës përbëjnë rrezik. Duhet të shtojmë kujdesin dhe të jemi vigjilentë”, tha zoti Casex.

Holanda

Holanda do të izolohet për 5 javë nga dita e sotme (e martë). Do të mbyllen të gjitha dyqanet jothelbësore, si dhe shkolla, muze, palestra dhe parukeri. Në një fjalim televiziv të hënën në mbrëmje, kryeministri holandez Mark Rutte tha se vendi do të mbyllet deri të paktën më 18 Janar.

“Ne e kuptojmë se sa intensiv është ky njoftim, sigurisht pak para Krishtlindjeve,” tha Rutte, duke shtuar se “2020 është një vit zi, humbjeje dhe hidhërimi për shumë njerëz.”

Njerëzve u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur dhe të shmangin vizitorët, me jo më shumë se dy të lejuar në ditë përveçse në Krishtlindje, ku mund të takojnë 3 të ftuar maksimumi. “Nevoja për të qenë së bashku rreth pemës së Krishtlindjes, veçanërisht pas këtij viti, është më e madhe se kurrë”, tha Rutte. “Kjo është arsyeja pse unë do të doja t’ju kërkoja të mbani nën vëzhgim njerëzit që po kalojnë një kohë të vështirë.”

Shkollat ​​fillore dhe të mesme, si dhe universitetet do të mbyllen nga e mërkura dhe do të zhvillojnë mësim në internet. Qendrat e kujdesit ditor gjithashtu do të mbyllen, por do të qëndrojnë të hapura për prindërit që punojnë në profesione thelbësore. Bibliotekat, pishinat dhe kopshtet zoologjike gjithashtu duhet të mbyllin dyert, por dentistët dhe profesionistë të tjerë mjekësorë mund të vazhdojnë të punojnë.

Rutte tha se bllokimi i gjerë është i nevojshëm për të frenuar numrin në rritje të rasteve të koronavirusit dhe ndikimin në sektorin e shëndetit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0