Roli i medias në formësimin e perceptimeve për Bashkimin Evropian - Business Magazine Albania

Roli i medias në formësimin e perceptimeve për Bashkimin Evropian

Roli i medias në formësimin e perceptimeve për Bashkimin Evropian
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Media ka luajtur prej kohësh një rol kyç në formësimin e diskursit politik. Si rrjedhojë, perceptimet e publikut për projektin europian dhe mënyra se si qytetarët reagojnë ndaj integrimit europian ndikohen drejtpërdrejt nga mënyra se si Bashkimi Europian paraqitet në median moderne.

Një numër gjithnjë e në rritje studimesh tregojnë se ndikimi i medias mbi diskursin politik pasqyron edhe një ndryshim më të thellë kulturor në politikë. Mbulimi mediatik po bëhet gjithnjë e më i politizuar, ndërsa raportimi për politikën shpesh merr tone cinike, çka kontribuon në largimin dhe zhgënjimin e publikut nga proceset politike. “Sipas studiuesve, vitet e fundit në Europë dhe më gjerë po zhvillohet ajo që quhet ‘demokraci e mediatizuar’, ku performanca individuale e politikanëve, e përshtatur për median, bëhet më e rëndësishme sesa vetë procesi politik,” shpjegon Tetyana Lokot, profesore e asociuar e Medias Digjitale dhe Shoqërisë në Dublin City University, Irlandë.

Trekëndëshi elitë–media–publik

Në kuadër të projektit MEDIATIZED EU, studiues nga shtatë institucione akademike europiane analizuan rolin e elitave politike dhe mediatike, ligjvënës, politikëbërës, redaktorë dhe gazetarë të nivelit të lartë, si dhe vetë mediat, në formësimin e perceptimeve publike për BE-në.

Përmes intervistave dhe analizës së mbulimit mediatik, projekti evidentoi se perceptimet për Bashkimin Europian formësohen në mënyrë dinamike nga ndërveprimi i tre faktorëve kryesorë: elitave politike, medias dhe publikut. Elitat politike komunikojnë qëndrimet e tyre për BE-në – optimiste, skeptike apo kritike, të cilat më pas filtrohen dhe kornizohen nga media për t’u përcjellë te publiku.

Nga ana tjetër, opinioni publik ndikon sërish në debatet politike të elitave, duke krijuar një cikël reagimesh që ndikon drejtpërdrejt në vizionet aktuale dhe të ardhshme për Bashkimin Europian. Në Irlandë, për shembull, studiuesit konstatuan një diskurs dominues që e përshkruan marrëdhënien Irlandë–BE si një partneritet me përfitime të ndërsjella dhe vlera të përbashkëta.

“Kjo tregon qartë se secila palë në këtë trekëndësh luan një rol të rëndësishëm në formësimin e narrativës për projektin europian,” shton Lokot. “Kjo qasje na ndihmon gjithashtu të kuptojmë se si aktorë të ndryshëm, që synojnë të dëmtojnë projektin europian, mund të ndërhyjnë përmes dezinformimit apo narrativave manipuluese.”

Lexo edhe:Inflacioni “godet xhepat”, si u rritën qiratë, bulmeti dhe energjia gjatë festave

Projekti MEDIATIZED EU e shqyrtoi këtë trekëndësh përmes një qasjeje të shumëanshme: analizës së literaturës ekzistuese, të dhënave nga sondazhe dhe dokumenteve të politikave publike; studimit të thelluar të mbulimit mediatik për BE-në; si dhe qindra intervistave me elita politike dhe mediatike. Studimi përfshiu një gamë të gjerë kontekstesh kombëtare, duke analizuar vende anëtare “të vjetra” të BE-së (Belgjikë, Spanjë, Portugali, Irlandë), vende anëtare “të reja” (Estoni, Hungari), si dhe vende të Partneritetit Lindor (Gjeorgji). Gjithashtu, në secilin vend u zhvilluan sondazhe përfaqësuese për të kuptuar se si e percepton publiku BE-në dhe cilët faktorë ndikojnë në këto perceptime. Rezultatet e studimeve u ndanë me publikun dhe aktorët kyç përmes punëtorive deliberative.

Gjetjet kryesore mbi rolin e medias

Një nga përfundimet kryesore të projektit është se ndjenja pro-europiane shpesh bashkëjeton me një nivel të ulët njohurish mbi funksionimin e Bashkimit Europian. Kjo situatë mund të shfrytëzohet lehtësisht nga aktorë pro ose kundër BE-së përmes përhapjes së keqinformimit. Studiuesit theksojnë nevojën urgjente për rritjen e asaj që quhet “literaci mbi BE-në”, në mënyrë që një publik më i informuar dhe media e lirë të mund të mbrojnë demokracinë dhe të drejtat themelore në Europë. “Gjëja më e rëndësishme që publiku mund të bëjë është të informohet më shumë për mënyrën se si funksionon BE-ja, për vlerat e saj themelore dhe për mënyrat se si mund të marrë pjesë në debate të informuara dhe konsultime mbi politikat europiane,” nënvizon Lokot.

Në një kontekst krizash të mbivendosura, nga agresioni rus në Ukrainë te dobësimi i standardeve demokratike në Perëndim – projekti europian po përballet me sfida të mëdha. Gjetjet e MEDIATIZED EU ofrojnë një kuptim të thelluar mbi mënyrën se si këto zhvillime ndikojnë perceptimet për europianizimin dhe shërbejnë si bazë për politika që adresojnë euroskepticizmin, populizmin, kapjen e mediave dhe narrativat anti-BE. Ekipi i projektit ka përgatitur një policy brief me rekomandime konkrete, si dhe versione më të zgjeruara për politikëbërësit në nivel europian dhe kombëtar.

“Edhe pse çështjet e evidentuara janë komplekse, adresimi i tyre përmes politikave të duhura dhe debatit të informuar është thelbësor për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe forcimin e institucioneve dhe solidaritetit europian,” përfundon Lokot.

EC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Vazhdo të ecësh. Mund të pengohesh, por mos qëndro ulur.”
— Charles Kettering
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0