Risitë e energjive të rinovueshme dhe mundësitë për tregun shqiptar - Business Magazine Albania

Risitë e energjive të rinovueshme dhe mundësitë për tregun shqiptar

Kristian Sevdari, Doktorant në Energji pranë Universitetit Teknik të Danimarkës-Qendrës kërkimore për Elektricitet dhe Energji (DTU-CEE)

Zhvillimi ekonomik i një shoqërie lidhet ngushtë me nevojat e saj për energji. Burimet energjitike si elektriciteti, hidrokarburet dhe mineralet djegëse kanë luajtur një rol thelbësor në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, si dhe shoqërisë në tërësi. Por si pasojë e përdorimit masiv të tyre janë rritur edhe emetimet e karbonit dhe gazrat serrë, duke shkaktuar kështu ngrohjen globale. Prandaj, nevoja për energji ka bërë që njerëzimi të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në ndryshimet klimatike të planetit. Për këtë arsye, Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një sërë nismash ligjore për të promovuar energjinë e pastër dhe po diskuton taksimin për ndotjen energjitike, kryesisht ndaj elektricitetit të prodhuar me lëndë djegëse ndotëse, me qëllim shkëputjen nga varësia e konsumit të burimeve energjitike ndotëse.

Në Danimarkë, enti furnizues i energjisë “Energinet” ka vendosur të taksojë përdoruesit në varësi të intesitetit të CO2 në elektricitet. Në këtë mënyrë do të taksohet më shumë energjia e prodhuar nga njësitë ndotëse, duke synuar kështu zëvendësimin e tyre. Ky objektiv i konsumit të energjisë së pastër është revolucioni që po përjeton shoqëria njerëzore, i quajtur ”elektifikim”. Elektrifikimi është shfrytëzimi i burimeve të rinovueshme (diell, erë, ujë, bio-masa, bio-gazra, gjeotermale) për prodhimin e elektricitetit dhe përdorimin e tyre për kryerjen e çdo aktiviteti social, industrial apo komercial të shoqërisë njerëzore. Energjitë e rinovueshme do të jenë produkti më i kërkuar në ekonominë globale. Ky transformim rrënjësor po shtyn shtetet që të konkurrojnë për krijimin e teknologjive inovatore për të maksimizuar elektricitetin nga burimet e rinovueshme, siç janë panelet fotovoltaike, turbinat e erës, etj. dhe për t’i përdorur ato në mënyrë efiçente, si në rastin e pompave të ngrohjes, automjeteve elektrike, etj. Teknologjia e paneleve voltaike ka benefite të mëdha në gjenerimin e elektricitetit dhe kostot e ulëta që ofron. Por kjo teknologji nuk mund të mbulojë të gjithë periudhën ditore. Për këtë arsye teknologjia e erës shihet si zgjidhje më optimale për të plotësuar kapacitetet gjeneruese. Energjia e erës në detëra konsiderohet teknologjia më premtuese e së ardhmes dhe ku konkurrenca mes kompanive është më e madhe. Henrik Stiesdal (danez, shpikës dhe pioner i turbinave eolike) me shpikjen e tij “TetraSpar” premton një turbinë eolike pluskuese që ul kostot dhe e bën më të lehtë procesin e asemblimit. Projekti më i madh danez i energjisë eolike quhet ”Denmark’s Energy Islands” dhe është një ishull artifical i ndërtuar në mes të detit për të mbledhur energjinë e prodhuar nga turbinat eolike në det me një synim që deri në vitin 2050 të zgjidhen nevojat për energji elektrike për 10 milion shtëpi europiane. Ky projekt do t’i hapë rrugën krijimit të një hub-i gjigand në Detin e Veriut midis Danimarkës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Norvegjisë dhe Hollandës.

Lexo: Po vjen një krizë globale dhe nuk ka zgjidhje të lehta

Në Shqipëri, shfrytëzimi i energjive të rinovueshme po ecën me hapa të ngadaltë. Sipas raportit të 2019 të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Shqipëria ka një kapacitet gjenerues prej 2401 MW dhe ka një konsum vjetor 7612 GWh. Në 12 vitet e fundit, Shqipëria ka arritur të prodhojë elektricitet më shumë se nevojat vetjake vetëm në 3 raste dhe çdo vit regjistrohet mesatarisht një defiçit prej 2000 GWh. Zhvillimi ekonomik i vendit është gjithashtu një tregues i qartë që nevojat për energji do të rriten, prandaj kërkohet jo vetëm të përmbushet ky defiçit, por dhe të punohet për të kompesuar kërkesat për energji me rritje vjetore 1-2%. Për vendet si Shqipëria, eksperienca perëndimore e Danimarkës, Suedisë dhe Gjermanisë tregon se mungesa e tregut energjitik bllokon përmirësimin e sektorit, duke larguar investitorë potencialë dhe shton kostot e operimit të sistemit, duke sjellë një rritje artificiale të çmimit të elektricitetit. Gjithashtu, mungesa e matësve elektrikë “të zgjuar”, e personelit të kualifikuar dhe politikave largpamëse janë një tjetër pengesë e konsiderueshme.

Ndryshimet klimatike dhe ciklet e rreshjeve janë një tjetër problem që kërcënojnë sigurinë e alokimit të kapaciteteve të mjaftueshme energjitike në Shqipëri. Kur temperaturat shkojnë drejt ekstremeve në muajt e verës dhe sidomos në ato të dimrit kërkesa për energji kap kulmin. Në këtë pikë, importi apo black-out rajonale do të ishin pasoja të shpeshta për sistemin shqiptar.

Lexo: Rritja e emigracionit dhe plakja e popullsisë ulin numrin e familjeve në vend

Për zgjidhjen e këtyre sfidave dhe për të siguruar energji të mjaftueshme do të duhet të kryhen investime të mëtejshme në rrjetin transmetues dhe shpërndarës të elektricitetit por dhe në projekte madhore prodhuese, siç janë HEC Skavica, Karavasta PV Park etj. dhe në projekte të vogla por me numër të madh, siç janë instalimet e paneleve fotovoltaike në godina private, komerciale apo në industri. Por edhe integrimi i energjive të rinovueshme vjen me sfidën e mbarëvajtjes së sistemit elektroenergjitik. Gjenerimi i elektricitetit duhet të jetë në balancë me sasinë e konsumit të tij. Për të ruajtur këtë balancë nevojiten njësi gjeneruese të parashikueshme dhe të kontrollueshme, që zakonisht janë hidrocentralet dhe termocentralet. Me nevojën për të reduktuar emëtimet e CO2, termocentralet nuk janë një alternativë për të ardhmen. Përvec kësaj, energjitë e rinovueshme variable (fotovoltaikët dhe era) kanë efekte anësore, siç janë vështirësitë për të parashikuar gjenerimin apo mungesën e masës rrotulluese, që ndihmon në stabilititetin e sistemit elektroenergjitik. Prandaj, shërbimi balancues për sistemin shihet si një ndër modelet e biznesit më përfituese për kompanitë energjitike që kanë në pronësi asete gjeneruese të kontrollueshme, në kontekste kombëtare apo rajonale.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0