Gjatë vitit 2016 ka arritur të identifikojë një numër të madh problemesh sigurie në disa programe dhe sisteme kritike, ku përfshihet antivirusi Avira, i cili përdoret nga 500 milionë përdorues në botë. Ky problem sigurie është pranuar zyrtarisht nga kjo kompani. Ai ka zbuluar edhe një problem tjetër për kompaninë e mirënjohur “Samsung”, i cili nuk është bërë publik, megjithatë Rio është shpërblyer për raportimin. Gjithashtu ka arritur të identifikojë një dobësi kritike sigurie në Symantec Messaging Gateway, i cili është një sistem për mbrojtjen e sulmeve me anë të email-it. Rio është një person aktiv në komunitetin e sigurisë në Shqipëri.
Business Magazine vjen me një intervistë ekskluzive me fituesin e “Eksperti në sigurinë kibernetike” në ICT Awards.
BM: Përgëzime për çmimin e fituar “Eksperti në sigurinë kibernetike”. Si e vlerësoni pjesëmarrjen në ICT Awards dhe a do të jetë çmimi që fituat një motivim për ju?
R: Faleminderit. Pjesëmarrja në ICT Awards ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe mendoj se është një nga evenimentet më të rëndësishëm që bëhet në fushën e ICT në Shqipëri.
BM: Kush është Rio Sherri? Na trego pak për veten tënde, shkollimin dhe disa nga eksperiencat e punës.
R: Rio është një person i apasionuar pas sigurisë dhe punës. Sapo kam mbaruar Bachelorin për Informatikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe jam duke vazhduar Masterin Shkencor. Punët e mia të mëparshme kanë qenë Administrator Sistemesh , IT dhe tani Inxhinier Sigurie.
BM: Sa kohë ke që merresh me fushën e sigurisë dhe cili ka qenë problemi i parë i sigurisë që keni identifikuar? Sa e vështirë është të merresh me të tilla problematika?
R: Me sigurinë kam filluar të merrem që kur isha në moshën 13-14 vjeç. Kuptova se sa e thjeshtë ishte të kishe akses në kompjutera të tjerë dhe të bëje çfarë kishe ti dëshirë. Problemin e parë që kam identifikuar nuk e mbaj mend, por ka qenë diçka në lidhje me faqet web.
Të merresh me problemet e sigurisë ka shume problematika. Më e vështira është ndërgjegjësimi i personave për rrezikshmërinë e sulmeve të ndryshme.
BM: Cilat janë angazhimet tuaja profesionale të përditshme? Me çfarë po punoni aktualisht?
R: Aktualisht jam duke punuar si një Inxhinier Sigurie pranë një kompanie ndërkombëtare si dhe në një startup timin. Angazhimet janë të shumta dhe këtu mund të përmend, mirëmbajtjen dhe implementimin e sistemeve të sigurisë, “Penetration Testing” dhe “Incident Response”.
BM: Duke qenë se keni punuar dhe keni gjetur disa probleme për kompani të mirënjohura si Samsung dhe të antivirusit Avira, cilat janë planet e tua për të ardhmen? A do të qëndrosh në Shqipëri apo dëshiron të jesh pjesë e ndonjë kompanie globale?
R: Planet e mia fillimisht janë mbarimi i masterit dhe përfundimi me sukses i një projekti që jam duke punuar. Për momentin dua të qëndroj këtu në Shqipëri, por dhe dëshira për të qenë pjesë e një kompanie globale është tunduese.
BM: Faleminderit për intervistën dhe suksese!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto