Reald Bibën dhe Gentian Suçin i kemi parë si konkurentë dhe finalistë të emisionit televiziv “Do you have an idea?”, me idenë e tyre të quajtur “Epoka e Skënderbeut”. Falë përvojës së tyre në fushën e argëtimit të fëmijëve, ata po sjellin inovacion nëpërmjet krijimit të lojrave të dedikuara, si për fëmijë ashtu edhe për më të rritur.
Për t’u njohur më shumë me lojën e tyre strategjike “Epoka e Skënderbeut”, Business Magazine ka realizuar një intervistë ekskluzive.
BM: Përshëndetje djema! Përpara se të na tregoni për projektin tuaj, për të gjithë ata që nuk ju kanë
ndjekur te “Do you have an idea?”, kush janë Realdi dhe Gentiani?
Ne njihemi me njëri-tjetrin që nga gjimnazi dhe kemi punuar bashkë prej shumë vitesh. Kemi një kompani eventesh që quhet “Alegria” dhe organizojmë kryesisht evente për fëmijë në qendra të ndryshme tregtare si TEG, QTU, ETC, RING dhe CityPark. Kombinimi i talenteve dhe pikave te forta të secilit prej nesh na ka ndihmuar të gjejmë një ekuilibër pune që na ka shërbyer mjaft mirë.
BM: Si lindi ideja për këtë lojë strategjike të quajtur “Skënderbeu”?
Mungesa e lojrave dhe aktiviteteve argëtuese për fëmijë dhe adoleshentë është mjaft e dukshme në situatën aktuale dhe kjo jo për faj të tyre. Ne kujtojmë me nostalgji fëmijërinë tonë ku na mungonin lojërat elektronike, por jo imagjinata. Loja Strategjike “Skënderbeu” ka qenë një ëndërr e vogël prej shumë vitesh, por për shkak të angazhimeve të punës, na u desh të prisnim deri më sot.
Duke qenë se ne mundohemi gjithmonë të sjellim diçka të re në eventet tona, lindi edhe nevoja të krijojmë lojëra të reja, si argëtuese ashtu edhe edukative për audiencën tonë. Pasi pamë interesin e madh nga prindërit dhe fëmijët për këto lojëra, menduam se ishte momenti i duhur për të sjellë në jetë lojën e parë strategjike në shqip dhe me tematikë shqiptare. Kjo do jetë gjithashtu një lojë e prodhuar në Shqipëri. Në këtë moment, ka mbaruar pothuajse i tërë proçesi i printimit dhe së shpejti loja strategjike “Skënderbeu” do të gjendet në të gjitha dyqanet e lodrave dhe libraritë.
BM: Si është e ndërtuar loja dhe si funksionon? Kush mund ta luajë atë? Cili është çmimi i saj?
Loja fillon në nëntor të vitit 1443, atëherë kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu në krye të 300 luftëtarëve, e lë ushtrinë otomane në mëshirë të fatit gjatë betejës së Nishit. Ky do të ishte fillimi i një epoke çerek shekullore ku principata e Arbërit i bëhet mburojë kontinentit të vjetër.
Fokusi i kësaj loje është kjo periudhë e historisë, e mbushur me përpjekjet e Principatës së Arbërit, perandorisë Otomane, mbretërisë së Hungarisë dhe republikës së Venecias për të mbijetuar dhe përparuar politikisht.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 33 të numrit 14 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 14 të saj.
Loja jonë historiko-strategjike, bazohet në epokën e artë, madhështia e së cilës jehoi ndër shekuj:
Epoka e Skënderbeut!
Lojtarët komandojnë ekonominë dhe forcat ushtarake të një vendi dhe shpalosin vlerat e tyre si strategë duke planifikuar lëvizjet dhe konfliktet në territore të ndryshme. Ata mund të zotërojnë me diplomaci ose me forcë kështjella, që do të sigurojnë fitoren kundër rivalëve.
Loja Strategjike “Skënderbeu” është menduar të luhet nga 2 deri në 4 lojtarë dhe nga mosha 10 vjeç e sipër. Çmimi do të jetë 2,999 Lekë.
BM: Pse menduat të sillnit për tregun shqiptar një lojë tavoline, duke qenë se tregu po orientohet drejt lojërave virtuale?
Në treg mungon konkurrenca dhe diversiteti i këtyre produkteve.
Për shembull, Monopoly ka shitur rreth 300,000,000 kopje në botë dhe është loja e vetme e tillë në Shqipëri. Aktualisht, kjo lojë vazhdon të shitet sukseshëm në ditët e sotme, duke përfshirë dhe Shqipërinë edhe pse ajo shitet në anglisht dhe me çmim më të lartë se sa do jetë loja jonë.
Ne duam të nxjerrim në treg 5,000 kopje si fillim duke kërkuar të replikojmë vetëm 0.001% të suksesit të Monopoly-t. Ndërkohë popullata shqiptare është 0.1% e 7 miliardë njerëzve në botë.
BM: Duke qenë se Skënderbeu është heroi jonë kombëtar dhe njihet ndërkombëtarisht, a po mendoni ta përhapni lojën strategjike “Skënderbeu” jashtë trojeve shqiptare?
Është dëshira dhe plani ynë që shumë shpejt pas daljes në tregun shqiptar të lojës strategjike “Skënderbeu”, të jemi të pranishëm jo vetëm në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, por edhe duke e ofruar atë për shitje në Amazon dhe Ebay. Gjithashtu kjo lojë do ketë edhe versionin e saj në Anglisht në fillim të vitit 2018.
BM: A keni planifikuar të realizoni projekte të tjera në vazhdim? Nëse po, cilat janë ato?
Kemi shumë projekte, disa prej tyre “TOP SECRET”. Nëse do jua thoshim, do të na duhej t’ju… bëjmë shaka.
Ne kemi disa lojra të tjera në konceptim e sipër, për grupmosha të ndryshme. Gjithashtu shpresojmë që jo shumë larg të kemi versionin elektronik të lojës strategjike “Skënderbeu”.
BM: Si ka qenë eksperienca në “Do you have an idea?” dhe cilët kanë qenë partnerët që ju kanë mbështetur?
Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme për ne. Shumë më mirë se çfarë ne vetë menduam. Stafi i programit ishte mjaft pozitiv dhe inkurajues ndaj idesë tonë.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 33 të numrit 14 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 14 të saj.
Vetë programi ishte një reklamë për ne dhe idenë e lojës. Por përveç kësaj, ne morëm mbështetjen e z. Ilir Xhani nga IXHEM Parafabrikat, i cili mori përsipër financimin e 1000 kopjeve të para të lojës me kushtin e vetëm që 10% e fitimit nga kjo sasi të shkojë si donacion për një qendër fëmijësh.
Gjithashtu z. Artan Dulaku u bë partner duke blerë 30% të të drejtave të Lojës Strategjike “Skënderbeu”. Gjithashtu morëm edhe nje premtim nga z. Samir Mane për ta pasur produktin në dyqanet e JUMBO-s në TEG dhe QTU.
BM: Së fundmi a mund të na jepni një këshillë për të gjithë lexuesit e Business Magazine, të cilët duan të realizojnë idetë e tyre.
Këshilla jonë bazohet në eksperiencën që ne vetë patëm në “Do You Have an Idea?”:
Beso te vetvetja!!
Dallimi më i madh midis njerëzve të suksesshëm dhe njerëzve që mund të dështojnë nuk është inteligjenca, mundësitë apo burimet financiare. Është besimi se ata mund ta arrijnë qëllimin që i kanë vënë vetes, se ëndrra e tyre
nuk është e pavlefshme dhe e pamundur.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 33 të numrit 14 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 14 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.