Rifillimi i Evropës: Strategjitë për të përballuar krizën e ndërlidhur - Business Magazine Albania

Rifillimi i Evropës: Strategjitë për të përballuar krizën e ndërlidhur

Thomas_Buberl

Nga Thomas Buberl 

Çdo periudhë historike përcaktohet nga sfidat e veta. Pas Luftës së Dytë Botërore, Evropa duhej të gjente një mënyrë për t’i dhënë fund krizave të përsëritura dhe relativisht të pavarura, të lidhura me ciklet e tregut, politikën e brendshme dhe konkurrencën e fuqive të mëdha që e kishin copëtuar për dekada me radhë. Ajo iu përgjigj kësaj sfide duke ndërtuar shtete-komb të qëndrueshme dhe sisteme të efektshme mirëqenieje, në një kontekst të kornizave të forta evropiane dhe ndërkombëtare.

Që nga fillimi i shekullit, Evropa po përballet me një sfidë të re: përgjigjja ndaj një poli-krize tepër komplekse, që përbëhet nga një grup i gjerë krizash të ndërlidhura. Shumë nga këto kriza mund të jenë katastrofike më vete, për shkak të proceseve vetë-fuqizuese dhe kumulative, si pikat e kthesës së ndryshimeve klimatike dhe efekti i borxhit publik që rritet si “top bore”.

Por, asnjëra nuk po zhvillohet në izolim. Përkundrazi, krizat e ndërlidhura të sotme ndërlikojnë dhe fuqizojnë njëra-tjetrën. Për shembull, një krizë demografike destabilizon shtetin e mirëqenies, duke minuar mirëqenien ekonomike, gjë që nga ana tjetër nxit trazira sociale dhe politike. Një rënie e ndjeshme dhe e vazhdueshme në kohezionin shoqëror dhe politik mund të kontribuojë në lloje të tjera krizash, si kriza aktuale e demokracisë liberale, duke penguar aftësinë e shteteve për t’iu përgjigjur kërcënimeve të tjera, si ndryshimi klimatik.

Dështimi i përgjithshëm për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive poli-krizës në rritje ka kontribuar në një ndjenjë të një katastrofe të pashmangshme midis publikut evropian, i cili ndihet gjithnjë e më i pafuqishëm. Por, kërcënimet ekzistenciale me të cilat përballemi, nga konflikti i armatosur te ndryshimi klimatik katastrofik, mund të kapërcehen, jo duke “marrë kontrollin,” siç premtojnë liderët politikë populistë, por duke mësuar të kontrollojmë atë që ende nuk është nën kontroll.

Institucionet tona politike, financiare dhe ndërkombëtare kanë tendencë të jenë të ndërtuara për menaxhimin e krizave ciklike të së kaluarës, duke i bërë ato të papërshtatshme për t’iu përgjigjur poli-krizës aktuale, e cila kërkon si qëndrueshmëri ashtu edhe fleksibilitet. Evropa përballet me një sfidë shtesë këtu: institucionet e saj, të cilat varen nga konsensusi, qëndrueshmëria dhe kompromisi, hasin vështirësi për të përballuar interesa të ngushta, komplekse dhe të larmishme.

Por, ashtu siç Evropa ka nevojën më të madhe për transformim institucional për t’iu përgjigjur sfidave ekzistenciale të sotme, ajo gjithashtu është veçanërisht e pajisur mirë për ta arritur atë, falë përvojës së saj të konsiderueshme në evoluimin përmes krizave dhe balancimin e solidaritetit me lirinë. Çelësi do të jetë zhvillimi i një vizioni të qartë për të ardhmen, thellimi i bashkëpunimit në fusha kyçe dhe hartimi i një kornize të re organizative.

Të fillojmë me vizionin. Evropa ka nevojë për një strategji të qartë për përballimin e poli-krizës që sinkronizon horizontet e kohës për të përmirësuar menaxhimin e krizave afatshkurtra (thelbësore për të thyer mekanizmat vetë-fuqizues të krizës) dhe për të vendosur objektiva të përbashkëta afatgjata (thelbësore për të ruajtur vrullin).

Njësi më të vogla, më autonome dhe më fleksibile duhet të jenë përgjegjëse për zbatimin e këtij vizioni, në bashkëpunim me aktorë të pavarur, shpesh nga shoqëria civile, që specializohen në ndërtimin e konsensusit, zhvillimin e strategjive afatgjata dhe monitorimin e zbatimit dhe efekteve të tyre. Një kulturë e vendimmarrjes dhe përgjegjshmërisë është thelbësore.

Komponenti afatgjatë i vizionit duhet të pasqyrojë ambicien e gjeneratave. India ka një hartë rrugore për t’u bërë një ekonomi e zhvilluar deri në vitin 2047, një shekull pas pavarësisë. Kina planifikon të arrijë “ringjalljen kombëtare” deri në vitin 2049, në 100-vjetorin e Republikës Popullore. Evropa duhet të ankorojë strategjinë e saj në vitin 2045, 100 vjet pas fillimit të ri pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore. Në hartimin e këtij vizioni të ri, Evropa duhet të mësojë nga pikat e forta të të tjerëve; për shembull, kapaciteti i Amerikës për të menduar strategjikisht, i mishëruar nga puna e Agjencisë së Projekteve të Kërkimeve të Avancuara të Mbrojtjes (DARPA) në hulumtimin dhe zhvillimin e teknologjive në zhvillim.

Imperativi i dytë është ndërtimi i kornizave të reja të qëndrueshme që mbulojnë tre elemente kritike të sigurisë evropiane: financat, mbrojtjen dhe mirëqenien sociale. Arkitektura e re financiare duhet të synojë rritjen e investimeve në Evropë për të rritur produktivitetin dhe për të mbështetur inovacionin teknologjik në sektorë kritikë. Duke pasur parasysh bazën më të vogël të investitorëve dhe fragmentimin strukturor, kjo do të kërkojë që Evropa të bëhet më e aftë në alokimin efikas të kapitalit dhe mobilizimin e kursimeve. Plotësimi i bashkimit të tregjeve të kapitalit duhet të jetë detyra kryesore e Komisionit të ri Evropian.

Sa i përket mbrojtjes, lufta në Ukrainë ka zbuluar se arkitektura ekzistuese e Evropës është e brishtë dhe e ngadaltë. Një kornizë e re, e aftë për të përballuar blerjet në të gjithë kontinentin, për të mbështetur ndërveprimin midis forcave të sigurisë dhe për t’i dhënë Evropës një avantazh teknologjik, është shumë e nevojshme.

Po ashtu, dizajni i ri për mirëqenien sociale duhet të jetë koherent, ekonomikisht i qëndrueshëm dhe t’i përgjigjet nevojave të shoqërive moderne. Në dekadat e fundit, Evropa ka lejuar që detyrimet dhe boshllëqet financiare të rriten në një sërë fushash, përfshirë kujdesin shëndetësor, strehimin, arsimin dhe energjinë, për shkak të mungesës së konsensusit për atë që duhet të jetë shteti modern i mirëqenies. Duke qenë se mbrojtja e mënyrës evropiane të jetesës është thelbësore për solidaritetin social afatgjatë, kjo nuk mund të vazhdojë.

Lexo edhe: Tensionet në Lindjen e Mesme rrezikojnë ekonominë globale

Imperativi i tretë kyç për Evropën përballë poli-krizës është hartimi i një modeli të ri organizativ, i bazuar në fleksibilitet, përshtatshmëri dhe decentralizim. Çështjet duhet të trajtohen në nivelin ku ato zhvillohen. Sfida globale, si ndryshimi i klimës, përhapja bërthamore, inteligjenca artificiale dhe stabiliteti financiar, kërkojnë më shumë bashkëpunim ndërkombëtar dhe rregullim.

Sfida që duhet të trajtohen në nivelin e BE-së përfshijnë përditësimin e modelit ekonomik të Evropës, rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë dhe menaxhimin e politikave tregtare. Shtetet-komb, nga ana e tyre, duhet të nxisin solidaritetin dhe, së bashku me komunitetet lokale, të trajtojnë zbatimin konkret të politikave. Bashkëpunimi publik-privat është gjithashtu thelbësor, për të shfrytëzuar përvojën, njohuritë dhe kapacitetin institucional të bizneseve për përshtatjen, menaxhimin e rrezikut dhe përgjigjen ndaj krizave. Modeli i ri organizativ duhet të duket më shumë si një rrjet sesa një zinxhir, sepse forca e një rrjeti është shuma e nyjeve të tij, ndërsa zinxhiri është aq i fortë sa hallka e tij më e dobët.

Evropa nuk mund të vonojë veprimin deri pas goditjes së radhës. Nëse duam t’i mbijetojmë poli-krizës, na nevojitet reflektim strategjik, udhëheqje kolektive dhe të menduarit ndryshe që sot, të udhëhequr nga ambicia e përbashkët e “Rifillimit të Evropës” deri në vitin 2045.

projectsyndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0