Për të furnizuar me energji qendrën gjigante të dhënash të Meta-s që po ndërtohet në verilindje të Louisianës, kompania lokale e energjisë ka propozuar ndërtimin e tre termocentraleve të reja me gaz natyror. Një veprim që, sipas senatorit Sheldon Whitehouse, anëtar i lartë i Komisionit të Senatit për Mjedisin dhe Punët Publike, “bie ndesh me zotimet klimatike të Meta-s”. Në një letër dërguar Meta-s dhe ndarë ekskluzivisht me Fast Company, ai njofton se komisioni ka nisur një hetim zyrtar.
Komisioni i Senatit po kërkon shpjegime nga kompania mëmë e Facebook dhe Instagram lidhur me këtë zgjerim të përdorimit të karburanteve fosile, duke kërkuar të kuptojë se si ky vendim përputhet me pretendimet e Meta-s se aktualisht është “net zero” (emetime neto zero) në të gjitha operacionet e saj globale dhe synon të arrijë të njëjtin status edhe përgjatë gjithë zinxhirit të saj të vlerës deri në vitin 2030. “Vendimi i Meta-s për të përdorur lëndë djegëse fosile për të furnizuar qendrat e saj të dhënash, ndërkohë që pretendon të jetë kompani me emetime neto zero, është tejet shqetësues. Kjo nuk është udhëheqje – është greenwashing. Familjet po vuajnë tashmë pasojat e mosveprimit klimatik përmes kostove të larta të sigurimeve,” deklaroi Whitehouse për Fast Company. “Tërheqja e Meta-s nga premtimet e saj klimatike rrezikon të shkaktojë dëme më të gjera ekonomike në një kohë kur kemi nevojë urgjente për përgjegjësi nga kompanitë.”
Qendra gjigante e të dhënave e Meta-s për AI
Qendra e re do të jetë më e madhja ndonjëherë për kompaninë: një investim prej 10 miliardë dollarësh me një hapësirë prej katër milionë metra katrorë në Richland Parish, Louisiana. Meta parashikon ta përfundojë ndërtimin deri në vitin 2030 dhe e konsideron këtë projekt si “rol thelbësor për përparimin tonë në fushën e inteligjencës artificiale”. Për këtë projekt, Meta po bashkëpunon me kompaninë lokale të energjisë Entergy me seli në New Orleans, e cila ka kërkuar miratim të përshpejtuar nga autoritetet për të ndërtuar tre termocentrale me turbina me djegie me gaz, për të prodhuar 2,300 megavat energji elektrike.
Në një deklaratë për Fast Company, Entergy u shpreh se gazi natyror është “zgjidhja më e përballueshme që mund të mbështesë nevojat e vazhdueshme të një qendre të dhënash të madhe si Meta”, duke shtuar se energjia diellore apo ajo nga era nuk mjaftojnë për të ofruar energji të qëndrueshme 24/7. Vendndodhja është gjithashtu afër zonës Haynesville Shale – një nga rezervat më të mëdha të gazit natyror në SHBA.
Premtimet klimatike të Meta-s
Meta ka investuar më herët në projekte për heqjen e karbonit dhe energji të pastër, dhe thotë se do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë edhe me ndërtimin në Louisiana dhe nevojën për centralet e reja me gaz natyror. Termocentralet e propozuara nga Entergy pritet të fillojnë funksionin mes viteve 2028–2029. Sipas Entergy, në të ardhmen këto impiante mund të përmirësohen me teknologji për kapjen e karbonit. Meta ka deklaruar se po shqyrton mundësinë për të aplikuar teknologjinë e kapjes së karbonit në një impiant të Entergy në Lake Charles, Louisiana, dhe po punon gjithashtu për të shtuar 1,500 megavat energji të rinovueshme në rrjet. Në vitin 2024, Meta njoftoi një projekt të përbashkët për një park diellor në Louisiana me kompaninë RWE, i cili do të sigurojë 374 megavat energji. Meta thekson se që nga viti 2020 ka blerë portofolë të energjisë së rinovueshme për të kompensuar konsumin e vet energjetik në mënyrë të barabartë dhe do të ndjekë të njëjtën praktikë për qendrën e re të dhënash.
Shqetësimet e Komitetit të Senatit për Mjedisin
Komisioni për Mjedisin dhe Punët Publike (EPW) vëren se këto angazhime janë të paqarta dhe “ofrojnë pak siguri” për ndikimin e projektit në klimë.
“S’ka asnjë provë që tregon se energjia e prodhuar nga parku diellor i Meta-s do të përputhet me konsumin e qendrës së dhënash dhe se do të zëvendësojë në mënyrë reale prodhimin me lëndë djegëse fosile,” thuhet në letrën e Whitehouse. “As Entergy dhe as Meta nuk kanë dhënë detaje për projektin e kapjes së karbonit apo nivelin e kontributit financiar të Meta-s, duke ngjallur dyshime nëse kjo kompani po kompenson në mënyrë domethënëse emetimet.”
Whitehouse gjithashtu thekson se ndërtimi i impianteve të reja me gaz rrezikon të krijojë varësi afatgjatë ndaj lëndëve fosile. “Një aktor i përgjegjshëm do të tregonte si planifikon të eliminojë apo modifikojë këto impiante me teknologji të qëndrueshme.”
Përmes hetimit të tij, komisioni EPW ka kërkuar nga Meta dokumentacion të detajuar, përfshirë analiza dhe përllogaritje mbi konsumin e energjisë dhe emetimet e pritshme të gazrave serrë; informacion mbi financimin e kapjes së karbonit; se sa karbon planifikon Meta të heqë nga atmosfera; dhe nëse kapja e karbonit do të implementohet në termocentralet e reja me gaz.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto