Era bëhet maxhorene, por çfarë fshihet pas biznesit që bëri të famshëm punonjësit e tij me rastin e 18 vjetorit
Intervistë me Altin Bamllarin, sipërmarrës në fushën e shërbimeve
/Artikulli u publikua më parë në faqen 19 të numrit 15 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 15 të saj.
BM: Së fundi keni lançuar një fushatë interesante në Tiranë. Si ju lindi idea? Nga e morët nxitjen dhe a realizuat objektivat që kishit për këtë fushatë marketingu?
A: Ndoshta kjo pyetje i takon departamentit tonë të Marketingut dhe konkretisht, znj. Olisa Porodini, që e drejton atë. Megjithatë, do thoja që fushata reflekton frymën që mbizotëron në biznesin tonë e që na bën të jemi të suksesshëm: modestinë dhe besimin tek njerëzit.
Që nga fillimi, atëherë kur “Era” ishte vetëm nje restorant i vogël në Bllok e deri sot, kur shoqëria jonë ka 15 njësi shërbimi në kryeqytet, me rreth 300 të punësuar, në jemi kujdesur gjithmonë të tregohemi modestë në çdo lloj fushate marketingu. U jemi shmangur shprehjeve të tilla butaforike si “ne jemi më të mirët”, “kemi produktin apo shërbimin më cilësor, më të sigurt” etj. Madje, në të gjitha mesazhet tona nuk ekziston asnjë nga epitetet që shohim apo dëgjojmë rëndom nëpër reklama të ndryshme si “speciale”, “i shkëlqyer”, “i mrekullueshëm”, “i garantuar”, “i çertifikuar” etj. etj. Përkundrazi, kemi kuptuar qysh herët, se vetëmburrja është mënyra më e keqe e një fushate marketingu. Ndoshta ajo ka funksionuar dikur, kur konsumatori ishte më pak i informuar mbi tregun, por jo sot, në kushtet kur informacioni merret në kohë reale dhe nga shumë burime. Aq me tepër që kjo metodë nuk është në natyrën tonë të të bërit biznes.
Pra, ne vendosëm në plan të parë njerëzit, kuzhinierët, picierët, shpërndarësit, kamarierët, pjatalarësit, të gjithë ata pa të cilët nuk do merrte jetë asnjë ide dhe asnjë projekt. Donim që, nëpermjet kësaj fushate, t’iu tregonim klientëve tanë, por jo vetëm, se pas çdo kënaqësie që marrin tek “Era”, qëndrojnë pikërisht këta njerëz të thjeshtë, që u japin jo vetëm shije, por edhe dashuri pjatave të tyre. Dhe mendoj se ia arritëm.
BM: Era bëri 18 vjet dhe ju tashmë e keni “një vajzë” të rritur. A ka ajo më shumë apo më pak nevojë për ju?
A: Është e vërtetë, “Era” s’ka shumë që i kaloi të 18-at dhe po ta shohim si një “vajzë të re”, ashtu siç dhe qe ndërtuar pyetja, tashmë do konsiderohej e rritur, e pjekur dhe e aftë për të përballuar e vetme sfidat që do hasë përpara. Po nga ky këndvështrim, do të thoja që “Era” është me fat sepse përveç “tre prindërve biologjikë” (tre ortakëve të shoqërisë, ku unë jam njëri prej tyre), ka tashmë një familje të madhe e të konsoliduar, e cila, edhe sikur “prindërit” të lajthisin apo të dalin në pension një ditë, ajo do të jetë gjithmonë aty për ta mbështetur “Erën” drejt sukseseve të reja.
BM: Cili është vizioni dhe misioni i sipërmarrjes suaj dhe sa ju kanë ndihmuar apo penguar rrethanat?
A: Vizioni ynë ka qenë dhe mbetet të jemi në pararojën e bizneseve në fushën e shërbimit të ushqimit. T’iu zbulojmë dhe ofrojmë njerëzve kënaqësinë e shijimit të gatimeve tradicionale, duke dhënë kështu edhe një kontribut të vyer për kulturën tonë të gatimit, sidomos karshi atyre qindra e mijërave turistëve të huaj që vizitojnë vendin tonë. Misioni ynë është që “Era” të ngelet gjithmonë një shoqëri e standarteve të larta, ideve të reja dhe, pse jo, një model i mirë dhe frymëzues për biznesin shqiptar. Nuk harrojmë asnjëherë të jemi të ndjeshëm edhe ndaj çdo problematike sociale, duke kontribuar, shpeshherë, materialisht dhe moralisht në mbështetje të grupeve dhe shtresave të ndryshme shoqërore në nevojë.
Sa për rrethanat dhe kushtet e zhvillimit të aktivitetit të biznesit, mund të them se jo gjithmonë ato kanë qenë të favorshme. Kam kuptuar herët se një biznesmen duhet të përballet me sfidat e tregut e të mos dorëzohet para kapriçove të tij, por kam kuptuar, gjithashtu, se në Shqipëri tregun e deformon shteti. Qeveria e para, që nuk garantoi asnjëherë rregulla për të gjithë, që rrallë na pa si partner e më shumë si një lopë për të mjelë. Gjykatat, këto kompani me monopol të drejtën, që e vodhën dhe masakruan biznesin si të ishin ca gjobavënëse të pashpirt. Mediat, ky pushtet i katërt, që në vend ta vinte shtetin me shpatulla pas muri shkoi e bëri biznes me të.
Por, sido që të ketë qenë, ne përsëri ia kemi dalë. Mund të bënim shumë më shumë, por mund të krenohemi edhe me kaq sepse, tek e fundit, edhe këtu jemi në majë, aty ku asnjë lum s’na merr dot me vete.
BM: Çfarë do të sygjeronit për sipërmarrjet e reja, në veçanti, në fushën e shërbimit?
A: Kjo është pyetja më e vështirë. Para shumë viteve çfarë nuk do t’iu sugjeroja. Do t’iu përcillja gjithë optimizmin tim, ambicien time, vullnetin dhe besimin që, nëse dëshiron të bësh diçka të mirë, do t’ia dalësh se s’bën. Pikë!
Sot i shoh gjërat pak më ndryshe. Njerëzit po ikin të gjithë. Shumë miq të mi biznesmenë u larguan të zhgënjyer, duke varrosur me lot në sy bizneset e tyre të dikurshme. Sot po ikte një tjetër. Nesër mund të iki edhe unë. Është shumë e trishtë kjo që po them, por s’më pëlqen të gënjej. Në këtë vend ka rënë hija e pesimizmit. Megjithatë, thuhet që diçka po lëviz dhe unë si biznesmen i mbaj sytë dhe veshët mprehur. Akoma s’kam parë gjë, megjithatë po e bind veten që kështu duhet të jetë. Pse të mos jetë?! Ne kemi një vend të mrekullueshëm, njerëz inteligjentë, pasionantë, bujarë dhe, mbi të gjitha, që e duan punën. Më vjen mirë që edhe në këto kushte ka akoma njerëz që rrezikojnë, që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në atdheun e vet. Admiroj gjithë ata sipërmarrës në fushën shërbimeve që përpiqen të bëjnë më të mirën në një boshllëk të madh me njerëz të kualifikuar dhe në një terren me mungesa elementare në infrastrukturë.
Kam vetëm një sugjerim për ta: Mos u dorrëzoni kurrë! Përshtatjuni tregut, mbani në pëllëmbë të dorës klientin dhe mos bëni kompromis me hajdutët me kollare.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 19 të numrit 15 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 15 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.