Puno fort dhe me pasion. Mesazhi i Suzana Numanit për të rinjtë - Business Magazine Albania

Puno fort dhe me pasion. Mesazhi i Suzana Numanit për të rinjtë

Suzana Numani

Suzana Numani është sipërmarrëse në fushën e edukimit. Me institucionet arsimore “Numani” në Fier, znj, Numani nxjerr qindra nxënës në vit. Aftësitë e buta janë prioritet i kësaj shkolle. Zon ja Numani tregon se për sipërmarrjen i ka mjaftuar pasioni dhe puna e vazhdueshme, edhe pse ajo nuk pati një formim në fushën e menaxhimit dhe administrimit të biznesit.

Pandemia është gati prej një viti mes nesh. Cilat kanë qenë sfidat tuaja si sipërmarrëse në këtë periudhë? Çfarë keni mësuar nga kjo kohë e pazakontë dhe çfarë keni ndryshuar në strategjinë e punës, për t’iu përshtatur një situate të jashtëzakonshme apo edhe për të siguruar rritje?

Pandemia tashmë është prezente prej 1 viti në Shqipëri. Situatë e jashtëzakonshme! Nuk e kishim menduar asnjëherë. Kisha vite në punën dhe biznesin tim, gjatë gjithë kohës biznesi ka vështirësitë e veta, por të jep dhe kënaqësi, kur sheh që puna ecën mirë. Krenohesh me nxënësit që mbarojnë shkollën në institucionet “Numani” dhe studiojnë në universitetet më të mira brenda dhe jashtë vendit, apo pasi mbarojnë univeritetet punësohen në të gjitha fushat e ekonomisë dhe institucione të rëndësishme shtetërore dhe private. Por me fillimin e pandemisë mu duk se gjithçka u ndal. Që ditën që u mbyll gjithçka dhe institucioni ynë arsimor, pas urdhërit të Ministrisë së Arsimit më duhej të mblidhja veten, të mendoja që duhej të kalonim menjëherë online që ditën e parë të mbylljes. Menjëherë u krijuan grupet e komunikimit me nxënësit si dhe me personelin me të cilët isha në kontakt vazhdimisht. Çdo klasë krijoi klasën e vet në platformën zoom për të zhvilluar në mënyrë të pandërprerë dhe rigoroze mësimin. Përgjegjësi shumë e madhe, nga një anë menazhimi i mësimdhënies dhe nga ana tjetër detyrimet financiare ndaj punonjësve, sepse dhe lëvizja e prindërve që duhet të bënin pagesat ishte e vështirë. Por sa filloi një hapje e lehtë, prindërit të gjithë mirëkuptues filluan të shlyenin detyrimet, sigurisht duke qënē dhe ne fleksibël. Në atë periudhë filluam të vlerësonim më shumë punën. Tek kolegët dhe nxënësit vihej re më shumë solidaritet, saqë më emociononte shumë. Sa fillonte ora e mësimit, nxënësit nuk harronin të nisnin urime, vlerësime dhe falenderime, gjë që vihej re më shumë nga mësimi fizik kur ishim në shkollë. Filluam dhe ne t’i kushtonim shumë rëndësi anës psikologjike, urimeve, fjalëve të bukura dhe vlerësuese për nxënësit.

Lexo: Si të mbështesni dhe fuqizoni sipërmarrësit e rinj 

A keni ndërmarrë angazhime të reja ndërkohë?

Për momentin duke qenë se pandemia na vuri shumë kufizime në lëvizje, kam qenë vetëm e përqëndruar në punën time në shkollë. Si çdo  nënë, grua si dhe drejtuese e biznesit tim, kam mbledhur forcat dhe jam përpjekur të jem një mbështetje e madhe për familjen time të vogël, por dhe një forcë e madhe për të gjithë nxënësit e mi. Jam përkushtuar me gjithë energjin time për t’iu gjendur sa më pranë tyre.

 Cilat janë shërbimet që ofroni dhe cila është qasja juaj me klientin?

Insitucionet arsimore private “NUMANI” përfshijnë kopësht, shkollë 9- vjeçare si dhe gjimnaz. Duhet të theksoj diçka. nuk më pëlqen t’i quaj klient, ata janë bashkëudhëtarët e mi në gjithë këtë rrugëtim. Fal besimit që më kanë dhënë duke më besuar fëmijet e tyre kemi mundur të jemi të suksesshëm për gjithë këto vite.

Sfidat mes të qenurit grua dhe sipërmarrëse kërkojnë një menaxhim e filozofi specifike. Si i keni menaxhuar këto dy anë të medaljes tuaj. Ju ka penguar apo ndihmuar fakti i të qenurit grua?

Për të gjithë ne ky vit ka qënë shumë i vështirë. Kthimi i maturanë në maj në shkollë dhe fillimi në shtator na gëzoi, pavarësisht me merak dhe duke shtuar masat anti Covid sipas protokolleve, sepse klasat online nuk mund të zëvendësojnë mësimin prezantues asnjëherë. Fëmijët kanë nevojë për prekjen, zërin, komunikimin me sy, të ndiejnë nga afër ngrohtësinë e mësuesit, shokun, sepse na u dukën sikur u kthyen në robotë. Krahas punës sime, unë jam nënë e dy fëmijëve Albjonit dhe Besjanës, të cilët studiojnë në USA. Albi u diplomua në Dhjetor në ekonomi-financë ndërsa Besa vazhdon studimet për psikologji. Kështu që përveçse grua në biznes, jam nënë, bashkëshorte, vajzë e dy prindërve, me të cilët jetojmë së bashku. Mundohem të jem e kujdesshme dhe kjo falë kujdesit dhe një balance që mundohem të ruaj midis punës dhe familjes. Një ndihmë shumë të madhe në punën dhe biznesin tonë kam bashkëshortin. Prindërit i kam pasur ndihmë, babain konsulent shumë të mirë, pasi dhe ai ka qenë mësues dhe nëna ime më ka ndihmuar shumë nē rritjen e fëmijëve. Të qënurit grua më ka ndihmuar në punën time. Sipas meje, arsimin e bëjnë mirë gratë, mbase duke qenë nëna dhe nga vetë natyra janë pranë fëmijëve. Shkollimi im është për mësuesi dhe nuk është se kisha studiuar për ekonomi. Por, duke qenë se e njihja arsimin, përkushtimi, pasioni bëri që të kisha sukses që në fillim. Më vonë bëra disa kualifikime në fushën e ekonomisë dhe biznesit. Unë kam bindjen se gratë janë shumë të afta, jo vetëm profesioniste të zonja, por dhe sipërmarëse të suksesshme. Gjithmonë mundohem të mbështes të rinj dhe gra që kanë dëshirë për biznes. Dikur në kurrikulat shkollore nuk ka pasur fare njohuri të edukimit për sipërmarjen, ndryshe nga kurikulat ne shumë vende të botës. Këto vitet e fundit janë vendosur mësime për ekonominë dhe sipërmarjen në klasat e gjimnazit, por unë gjithmonë kam këmbëngulur që njohuritë për sipërmarjen nxënësit të marrin që në klasat e ulta, nëpërmjet disa orëve të kurikulës me zgjedhje. Shpesh nxënësve u flas vetë në orët e këshillimit të kareierës dhe i nxis që të bëhen profesionistë të zotë dhe  sipërmarës të suksesshëm. Unë e them gjithmonë, se puna ime nuk është thjeshtë biznes, por shumë më shumë, sepse ke të bësh me edukimin dhe arsimimin e brezave, që janë e ardhmja e këtij kombi.  Kjo është një përgjegjësi e madhe, që me punën dhe pasionin ia kam dalë. Nxënësit që mbarojnë shkollën Numani, janë jo vetë të përgatitur shkencërisht, por me vlera të larta njerëzore. I mbështes dhe i ndihmoj të perfeksionohen punonjësit, ose siç i quaj ndryshe kolegët dhe koleget e mia dhe sigurisht i mbaj fort ata që punojnë me pasion dhe përkushtim.

Çfarë do t’u sugjeronit të rinjve që duan të nisin një biznes, apo të kenë një karrierë të suksesshme?

Bota e biznesit është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Ju them vetëm diçka: Jepni shpirtin në punën që bëni, sepse vetëm kështu do të jeni të suksesshëm çdo ditë dhe do të arrini atje ku doni.

Çfarë do t’u sugjeronit punonjësve që kërkojnë të bëjnë karrierë dhe të rrisin të ardhurat e tyre mujore?

Dikush që do të ecë në botën e biznesit apo të bëjë karrierë, duhet të punojë shumë fort për këtë. Duhet të bëjë kërkime në fushën që do, në mënyrë të tillë që të kuptojë se çfarë kërkon dhe çfarë ofron tregu.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0