Pse të marrësh pjesë në një event të Tony Robbins? - Business Magazine Albania

Pse të marrësh pjesë në një event të Tony Robbins?


Shkruar nga Eglent Bici

Eksperienca ime e parë tek një event Live i Tony Robbins, ka qenë në Mars 2016, në West Palm Beach Florida. Ka qenë një nga ato evente dhe momente të jetës time, që më ka ndryshuar në gjithë qenien time dhe e them me bindje të plotë që më ka bërë totalisht njeri më të mirë. Më ka bërë më të mirë për veten time, për familjen time, për biznesin tim, për stafin tim dhe patjetër më ka bërë edhe më të mirë për shoqërinë tonë. Falë atij eventi dhe shumë të tjerëve që erdhën pas tij, unë jam një njeri shumë ndryshe nga sa isha para se të shkoja. Më poshtë po ju them pse:

Impakti i parë i të qenit në një sallë gjigande trajnimi, si një stadium me mbi 10.000 (dhjetë mijë) vetë ishte i pakrahasueshëm, ishte goditës, intrigues, ëndërrues, i pabesueshëm dhe njëkohësisht shumë po shumë emocionues. (E shkruajta me fjalë 10.000 që të mos mendoni se është gabim shkrimi.) Më pas vjen organizimi, i cili për standardet e mia ato kohë, ishte jashtë kësaj bote…. Perfekt! Kishte staf të brand-uar me veshje të eventit dhe të Tony-t kudo, të gjithë të buzëqeshur dhe energjik që të kërkojnë që ti të përplasësh duart me ta dhe të thuash: Yes, Yesssss, Yes, gjithë kohës. Po pastaj?

Dita 1 ose dita e ecjes në zjarr.

E lexuat shumë saktë. Dita e ecjes në Zjarr. Pas një super hapje me muzikë dhe kërcimtarë me një koreografi, që bëri të ngrihen nw kwmbw tw gjithw, futet një burrë i madh dhe i bëshëm mbi 2 metra. Ishte Tony Robbins dhe e gjithë salla shpërthen në duartrokitje, duke kënduar këngën që ishte në sfond, ndërkohë që Tony merr dy shkopa baseball-i dhe i përplas ata fort sikur të kërkonte që të gjithë të duartrokisnin edhe më fort dhe duart e mia u bënë flakë të kuqe dhe eventi sapo kishte filluar. Gjithçka në ditën e parë të eventit lidhet me atë që ne na pengon të bëjmë gjëra që ne duam, që është frika. Gjithë qëllimi i ditës së parë të Tonyt ishte që secili prej nesh të kuptonte thellë brenda nesh, që ne kemi një potencial të fshehur brenda vetes dhe që e ndrydhim duke gjetur 1001 arsye, se pse diçka nuk mund të funksionojë dhe duke mos u përqëndruar fare tek e vetmja arsye, mbase se pse diçka mund dhe duhet të funksionojë. Dhe në një moment pushimi, unë shoh një person që ecën tek korridori para seksionit tim. Vasili është ai? Po pyesja veten time dhe ngrihem mbi karrige dhe thërras: Vasil… Vasil… E kthen kokën, por pa fat… Vrapoj dhe i bie me dorë në shpatull. Ishte Vasil Naçi, personi që kishte kohë që doja t’a takoja në Tiranë dhe nuk e takoja dot dhe e takoj tek Tony Robbins në Florida. Edhe kjo ishte e paparashikueshme dhe një super kënaqësi dhe përmbushje për mua. Wowwww!

Të kalojmë tek dita 1. Qëllimi i kësaj dite që filloi rreth orës 09:30 të mëngjesit dhe përfundoi rreth orës 23:30 me një ngjarje sureale… Të gjithë 10’000 personat e pranishëm në sallë (perveç disave që nuk ua mbante, sepse ka edhe nga ata) nisemi si turmë nga salla e trajnimit, drejt vendit, ku do të ecnin mbi prush duke gërthitur me sa u mbante fyti të gjithëve njëzëri: Yes…. Yes… Yes…

Prush prej druri të djegur që është zjarr i kuq, fiks nga prushi që kemi parë kur shkojmë pranë ndonjë oxhaku me zjarr bubulak. Të gjithë ecën mbi atë prush, kuptohet edhe unë. Një ndjesi e paparë, e papërshkrueshme me fjalë. Një ndjesi që të bënte të ndjehesh që je duke ëndërruar dhe pasi të hedhin ujë tek këmbët që i ke zjarr nga temperatura e prushit, shikon veten, shikon të tjerët, prek sytë dhe thua me vete: “E bëra unë këtë”? Shkojmë veshim këpucët dhe ikim tek shtepia me AIRBNB që kishim marrë, futem në dush. Një thëngjill i vogël më del nga mes gishtave dhe shoh në këmbën e djathtë që mes gishtit tim të madh dhe të dytë kisha një flluckë të madhe, që filloi të më ziente nga uji i nxehtë…

Mësimi: “Nëse unë eci mbi zjarr, unë mund të bëj çdo gjë!

Ecja mbi zjarr dhe përfundimi i saj me gjithçka që e karakterizon, është një eksperiencë unike, që nuk e di ta ofrojë dikush tjetër në ndonjë trajnim dhe patjetër që për mua vetëm dita e parë e eventit ia vlejti pagesa që kisha bërë. Tani po thoja me vete: “po dita e dytë si do të jetë?

Dita 2: “Ktheji ëndërrat në realitet”

Ndërkohë që ditën e parë t’i prëgatitesh dhe trajnohesh se si t’a kthesh frikën në fuqi dhe ti je super i ekzaltuar me energjinë që të shpërthen nga të gjitha anët ku edhe pse rreth orës 01:00 të mëngjesit shkuam në krevat, në 08:30 ishim përsëri në sallë, pasi kuptuam që vendet e mira ziheshin nga ata që vinin të parët dhe ziheshin me vrap. Ishim aq të karikuar nga dita e parë, saqë donim të mos humbisnim asnjë sekondë. Se mos e lë pa përmendur, në ditën e parë nga rreth orës 09:30 deri në 23:30, Tony ka bërë vetëm një pushim 15 minutësh…vetëm një pushim edhe ne u shqepëm duke ngrënë fruta të thata dhe duke pirë ujë, që e kishim marrë me vete pasi atmosfera, energjia dhe vetë Tony, duket sikur të thotë: “Mos u vono…… shpejt…. dhe të gjithë vraponin për të shkuar në tualet, për të marrë ndonjë kafe ose sandëitch dhe vrap në sallë.

Për ditën e dytë isha i organizuar, kisha marrë më tepër fruta të thata dhe sandëitch. Dhe dita filloi. Joseph Mcclendon, një afro-amerikan super fit, rreth 65 vjeç, por që dukej si 30 vjeç na ul me këmbë në tokë dhe na “programon” se si duhet t’i flasim vetes tonë që ta përgatisim atë për sukses, çfarë i themi vetes tonë?

Çfarë bëjmë çdo ditë për të arritur qëllimet tona? Cili është vizioni ynë?

Dita e dytë edhe pse pa Tonyn fizikisht, është një ditë plot me shënime dhe momente interesante për t’u shënuar dhe për t’u fiksuar. Shumë momente ku duhet të reflektosh dhe të marrësh vendime. Nëpërmjet videove, Tony flet për tre hapat që çdokush prej nesh, mund të ndërmarrë për ta çuar veten në një gjendje fantastike, gati për të përballuar çdo sfidë që jeta i sjell përpara.

Më pas Joseph na orientoi, që secili prej nesh të bënte një analizë të vetes, për të kuptuar se çfarë duam realisht në trup, në financa, në marrëdhënie, në karrierë. Është një ditë reflektimi dhe studimi mbi veten tonë, mbi atë ç’ka jemi dhe ç’ka duam të jemi, mbi atë se ku jemi dhe ku duam të jemi dhe më e rëndësishmja, kush jemi dhe kush duam të jemi.

Dita e dytë mbyllet më herët dhe rreth orës 22:00 na lënë të lirë duke na përgatitur që të nesërmen të jemi herët, pasi do të jetë një ditë edhe më intensive me Tonyn.

Dita e tretë: “Breakthrough” për tek jeta jote e re.

Më falni por nuk gjej dot një fjalë ose togfjalësh të saktë për të përkthyer “Breakthrough”.  As zbulim i madh, as shpërthim, as depërtim, as gjetje, as ndryshim, as iluminim.

Dita e tretë është Dita e Transformimit, kalimi nga ky që jam tek ai që dua të jem. Dita fillon përsëri me një super muzikë, kërcim dhe energji dhe me pas del Tony dhe salla shpërthen. Daullet e veshit buçasin dhe që në momentet e para, fillon më shumë përplasje duarsh dhe përqafime dhe e ndjeva që do të kishte përqafime pa fund.

Dita nis shumë shpejt, me pyetje që Tony bën në sallë dhe fillon të dëgjosh njerëz, që kanë probleme nga më të ndryshmet dhe që disi i thonë vetes së tyre, që nuk kanë për t’ia dalë, sepse i ka ndodhur diçka në jetën e tij apo i ka thënë diçka dikush, dikur… dhe fillojnë të qarat, patjetër që lot kishte edhe ditën 1 dhe 2, por në ditën 3 mua më shpërthenin sikur shtypeshin me buton. Tony provon që ajo vetja jonë e vogël, ato probleme apo momente të vështira në jetën tonë nga pengojnë të ecim përpara, na pengojnë që të ndërmarrim veprim për diçka që e duam me gjithë shpirt, për diçka që na bën të ndihemi mirë fizikisht, mendërisht dhe shpirtërisht. Dita 3 është e mbushur plot me momente emocionale të forta, duke na treguar neve që vetëm duke qenë i mbushur emocionalisht, ne mund të arrijmë maksimumin e potencialit tonë, jo thjesht duke menduar, por duke vepruar.

Dhe pastaj vjen dita e katërt: “Fuqia e energjisë së vërtetë”.

Dita e katërt për mua ka qenë dita që më ka ndikuar më shumë.

Vendosa që do të ndryshoj totalisht mënyrën time të të ushqyerit. Duhet të kuptojmë që ne jemi ajo ç’ka hamë dhe ne jemi ajo ç’ka mendojmë. Mendimi trajtohet në tre ditë dhe pjesa e asaj ç’ka hamë trajtohet ditën e fundit. Ne jemi energji dhe qelizat tona ushqehen nga ajo ç’ka ne fusim në stomak. Jeta jonë lidhet në mënyrë të patjetërsueshme me atë ç’ka hamë.

Tek eventi ynë UPW Preview, që do të organizohet tek Plaza, do të bëhet një përmbledhje e katër ditëve, ku do të ketë edhe ushtrime dhe angazhime nga pjesëmarrësit. Do të jetë një nga tre oreshit më të mirë, që dikush mund të shpenzojë dhe një nga investimet më të mira nëse dikush do t’a konsiderojë investim.

Të jesh në një event të Tony Robbins Live, nuk është thjesht një ndikim tek vetë individi që merr pjesë në të, por është një ndikim për mirë, tek i gjithë rrethi i tij shoqëror, tek familja e tij, tek biznesi i tij, tek jeta e tij.

Unë tashmë jam bërë pjesë e stafit mbështetës të Tony-t dhe ndihem i privilegjuar për këtë gjë, por një nga kënaqësitë më të mëdha të marrëdhënies time me trajnimet, ishte eventi UPW në Londër këtë vit, ku ishin më tepër se 40 shqiptarë pjesëmarrës, shumica prej të cilëve nga Shqipëria dhe mesazhet e marra nga këta persona janë mbresëlënëse dhe vlera që ata kanë ndjerë, që kanë marrë nga ky event, ka qenë e mrekullueshme. Dhe ketu kemi folur vetëm për UPW dhe jo për “Date with Destiny”, “Business Mastery” apo “Health dhe Wealth Mastery”.

Nëse do t’i përgjigjesha pyetjes time në fillim të artikullit: “Pse të marr pjese tek një event i Tony Robbins” do të thoja thjeshtë: Tony Robbins nuk është thjesht një trajner apo një mësues, një showman apo një performues, një biznesmen i sukseshëm. Eventet e tij janë një shfaqje, janë një superleksion, eksperiencë, energji, pasion, emocion, lumturi, dashuri, janë një super universitet për jetën, i përmbledhur dhe i ngjeshur brenda 4, 5 apo 6 ditëve. Nëse dikush shkon tek Tony, unë mendoj që e çon veten në një nivel krejt tjetër dhe ndyshon për mirë.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0