Aplikimi për një punë dikur kërkonte vetëm një CV dhe një letër motivimi, por sot gjithnjë e më shumë kompani po shtojnë një kërkesë të re, video prezantuese nga kandidatët. Një studim i LinkedIn zbuloi se 61% e punëkërkuesve besonin se videot mund të bëhen versioni i ri i letrës së motivimit, ndërsa 41% e tyre kishin përdorur tashmë një video si pjesë të aplikimit për një vend pune.
Lexo gjithashtu: Pse ndoshta nuk duhet të jesh gjithmonë vetvetja: 4 arsye pse autenticiteti mbivlerësohet
Ndërsa për disa profesione si rolet në shitje, mediat ose menaxhimin e marrëdhënieve me klientët, kjo kërkesë mund të ketë kuptim, për shumë pozicione të tjera mund të kthehet në një pengesë. Por përse po e përdorin kompanitë këtë metodë dhe cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e saj?
Përfitimet e prezantimeve me video
Sipas Peter Murphy Lewis, Drejtori i Marketingut në Strategic Pete, arsyet kryesore pse kompanitë po kërkojnë video aplikime janë:
- Filtrim i parë i kandidatëve
Videoja është një mënyrë për të parë nëse një aplikant është vërtet i interesuar për punën ose thjesht po aplikon rastësisht. Kërkimi i një videoje shton një pengesë të vogël, por efektive, që ndan kandidatët e motivuar nga ata që aplikojnë masivisht pa ndonjë interes real. - Përshtatja me kulturën e kompanisë
Shumë kompani duan të vlerësojnë jo vetëm aftësitë teknike të kandidatëve, por edhe personalitetin dhe mënyrën e tyre të komunikimit. Videoja u jep punëdhënësve një mundësi për të kuptuar nëse një aplikant përputhet me kulturën e ekipit edhe para intervistës. - Kursimi i kohës në procesin e rekrutimit
Në vend që të kalojnë orë të tëra duke intervistuar dhjetëra kandidatë, rekrutuesit mund të shikojnë videot për të kuptuar cilët aplikantë vlejnë një takim të mëtejshëm.
Si ndihmojnë videot në përzgjedhjen e kandidatëve?
Leëis tregon një shembull të një kandidati që u dallua menjëherë përmes videos së tij prezantuese dhe si përfundim u punësua. Në video, aplikanti diskutoi mbi podcast-et e CEO-së së kompanisë, ndau përvojat e tij personale dhe reflektoi mbi sfidat e ekipit. Sinqeriteti dhe qasja e tij e ndershme i dhanë avantazh ndaj kandidatëve të tjerë dhe ndihmuan rekrutuesin të kuptonte menjëherë se ai ishte një përputhje e mirë për ekipin.
Lexo gjithashtu: Punët e lakmuara në 10 vitet e ardhshme, si po ndryshon tregu, sfidat dhe mundësitë
Megjithatë, Lewis thekson se videoja nuk është gjithçka. Ai ka punësuar edhe aplikantë që nuk kanë dorëzuar një video, sepse CV-ja dhe përvoja e tyre ishin të mjaftueshme për të treguar aftësitë dhe përkushtimin e tyre. “Nuk doja të humbja kandidatë të shkëlqyer vetëm sepse nuk ishin rehat përpara kamerës,” thotë ai.
Disavantazhet e prezantimeve me video
Pavarësisht përfitimeve, kërkesa për video mund të krijojë barriera për disa kandidatë, duke i penalizuar ata padrejtësisht. Disa nga problemet kryesore përfshijnë:
- Sfida teknike
Jo të gjithë kanë qasje në pajisje të mira për regjistrim. Ndriçimi i dobët, mungesa e një mikrofoni cilësor apo vështirësia për të edituar videon mund ta bëjnë kandidatin të duket më pak i aftë sesa është në të vërtetë. - Mungesa e përvojës me kamerën
Shumë njerëz nuk janë mësuar të flasin përpara kamerës dhe mund të ndihen të pasigurt ose të stresuar gjatë regjistrimit. Kjo mund të ndikojë në mënyrën se si ata komunikojnë aftësitë dhe përvojën e tyre, duke dhënë një përshtypje të gabuar. - Lodhja nga aplikimet
Kandidatët tashmë duhet të personalizojnë CV-të dhe letrat motivuese për çdo pozicion. Shtimi i një videoje për çdo aplikim e bën procesin edhe më të lodhshëm. Meqë nuk ka garanci se aplikimi do të merret në konsideratë, shumë kandidatë mund ta shohin këtë si një investim kohe që nuk ia vlen. - Mund të jetë diskriminuese
Disa kandidatë, për shkak të natyrës së tyre të tërhequr ose për arsye të tjera personale, mund të mos jenë rehat duke u filmuar, edhe pse mund të jenë të shkëlqyer në punën që aplikojnë. Kjo mund të krijojë një avantazh të padrejtë për ata që janë më ekstrovertë ose më të mësuar me kamerën.
Lexo gjithashtu: Udhëzues i shpejtë me 7 hapa për të rehabilituar karrierën tuaj
A duhet të dërgoni një video nëse ju kërkohet?
Nëse vërtet dëshironi një pozicion pune dhe kompania e kërkon një video prezantuese, madje edhe si opsionale, ia vlen të dërgoni një. Mosdorëzimi mund t’ju vendosë në disavantazh ndaj kandidatëve të tjerë që kanë bërë një përpjekje shtesë.
Por nëse jeni një punëdhënës dhe po mendoni të kërkoni video prezantuese nga kandidatët, është e rëndësishme të pyesni veten nëse kjo kërkesë sjell vërtet vlerë për procesin e rekrutimit. A do të ndihmojë vërtet në zgjedhjen e kandidatëve më të mirë, apo do të përjashtojë ata që mund të jenë të shkëlqyer por nuk ndihen rehat para kamerës?
Në fund, videot mund të jenë një mjet i dobishëm për të kuptuar më shumë për kandidatët, por nuk duhet të bëhen një pengesë për ata që kanë potencial, por nuk janë të aftë teknikisht ose nuk ndihen rehat duke folur përpara kamerës. Një proces rekrutimi efektiv duhet të balancojë kërkesat inovative me përfshirjen e kandidatëve të ndryshëm dhe të aftë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.