Pse Europa duhet të ndërtojë platformën e saj për mediat - Business Magazine Albania

Pse Europa duhet të ndërtojë platformën e saj për mediat


Nga Hossein Derakhshan, studiues i medias në MIT Media Lab.

 

George W Bush në mënyrë të famshme por gabimisht e pluralizoi fjalën “internet” në fushatën e tij të vitit 2004. Pesëmbëdhjetë vjet më pas, duket se ka tre lloje të interneteve: ai Amerikan, Kinez dhe një internet ‘ngurrues’ Europian.

Interneti kinez është ndërprerë teknikisht nga pjesa tjetër e botës për një kohë të gjatë. Ndërkohë, me valë të reja të rregullave shtetërore dhe të BE-së mbi mbrojtjen e të dhënave, privatësinë, gjuhën e urrejtjes dhe të drejtën e autorit, interneti europian po shndërrohet praktikisht në një sferë ligjore të veçantë nga ajo amerikane. Megjithatë, ende dominohet nga super-platformat amerikane (Google, Amazon, Facebook, Apple dhe Microsoft), të cilat në mënyrë eksponenciale po i imponojnë interesat e tyre private mbi vlerat publike europiane, si diversiteti, solidariteti dhe liria. Tani është koha që Europa të përvetësojë një strategji të re.

Super-platformat po e kontrollojnë sferën publike nëpërmjet mënyrës se si i shpërndajnë produktet kulturore. Mediat asnjëherë nuk kanë humbur aq shumë kontroll mbi shpërndarjen e përmbajtjes së tyre.

Algoritmet e këtyre platformave tani vendosin se çfarë shohin njerëzit dhe kur. Ato i personalizojnë realitetet në të cilat njerëzit jetojnë, duke krijuar një grumbull ngushëllimi për secilin prej nesh bazuar në sasinë masive të të dhënave që kanë mbledhur (ose blerë) për sjelljet, zakonet dhe shijet tona.

Ato po e shkatërrojnë vetë nocionin e shoqërisë duke shndërruar çdo gjë që ishte publike në private dhe të personalizuar. Transmetimet publike, shëndeti publik, edukimi publik, intelektualët publikë, transporti publik, bibliotekat publike dhe madje edhe hapësirat publike (përmes kufjeve) po shkojnë drejt zhdukjes, në shumë pjesë të botës.

Europa është përpjekur të rezistojë nëpërmjet një game të gjerë masash rregulluese. Megjithatë, dështimi i platformave për të qenë plotësisht në përputhje me to dhe gjithashtu mënyra se si Huawei po bie viktimë e rivalitetit të vazhdueshëm mes SHBA-së dhe Kinës, duhet ta zgjojë Europën: Europa ka nevojë për platformat e veta bazuar në vlerat e saj.

Për shumë njerëz që pajtohen me këtë argument, mund të duket ende si një qëllim jorealist. Por unë kam një strategji të qëndrueshme për të sugjeruar: mediat publike në Britani të Madhe dhe në Europë, si BBC dhe Channel 4, France Télévisions, ARD dhe DW-TV në Gjermani, duhet të bashkojnë forcat dhe burimet për të krijuar një platformë minimale publike të mediave sociale për prodhimin e tyre medial, qeverisur dhe financuar kolektivisht dhe në dispozicion vetëm në Europë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Avantazhi i kësaj platforme mbi Facebook-un, për shembull, është se algoritmet e saj do të ishin jo vetëm transparente, por të dizajnuara për të përshtatur vlerat që kanë shumica e vendeve evropiane, si diversiteti, solidariteti dhe privatësia, ndërsa mjaft fleksibile për t’i dhënë privilegj gjuhëve, kulturave dhe mediave lokale.

Platforma mund të zgjerohet për të përfshirë organizata të tjera të medias dhe për të ofruar shërbime të tjera. Për shembull, gazetat kombëtare mund të bashkohen me platformën për të shpërndarë përmbajtjen e tyre dhe për të marrë pjesë në qeverisjen e saj.

Platforma gjithashtu mund të përgatisë infrastrukturën teknike (të tilla si shërbimet cloud ose rrjetin e shpërndarjes së përmbajtjeve), për të inkurajuar dhe lehtësuar sipërmarrësit europianë që të ofrojnë shërbime konkurruese me super-platformat amerikane.

Si studiues i medias, José van Dijck dhe bashkë autorët, në librin e tyre të fundit “The Platform Society” rreth dy ekosistemeve të internetit, të Kinës dhe SHBA-ve, kanë shkruar se është “vendimtare për Europën që të zhvillojë një strategji gjithëpërfshirëse në lidhje me platformat online- si në kushtet e tregut ekonomik ashtu edhe në terma politikë”.

Ky propozim mund të dukej si idealist disa vjet më parë. Por iniciativa të tilla si BritBox (rivali i BBC dhe ITV-së ndaj Netflix) e bëjnë këtë ide edhe më të realizueshme. Europa pa dyshim që e meriton një strategji për platformën dhe ekosistemin e saj.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Ndonjëherë nuk e sheh veten tënde qartë, deri kur e sheh me sytë e të tjerëve.”
— Ellen DeGeneres
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0