Proçedurat Tatimore - Sa janë dënimet dhe gjobat për çdo shkelje

Proçedurat Tatimore – Sa janë dënimet dhe gjobat për çdo shkelje


Ndryshimet kryesore të Ligjit 99/2015 “Për disa ndryshime në Ligjin për Proçedurat Tatimore”, i botuar në Fletoren Zyrtare nr. 187, datë 28 Tetor, 2015, që ka hyrë në fuqi më 12 Nëntor, 2015.

1. Mos-deklarimi i një adrese biznesi apo mos përditësimi i të dhënave lidhur me adresat e biznesit dënohet me 500.000 lekë gjobë.

2. Ndalohet mbajtja apo përdorimi i pajisjeve fiskale dhe sistemeve të monitorimit të qarkullimit, të ndryshme nga ato të përcaktuara në ligjin për Proçedurat Tatimore apo aktet nënligjore në zbatim të tij. Tatimpaguesi që mban ose përdor pajisje fiskale apo sisteme të monitorimit të qarkullimit, të cilat nuk janë në përputhje me këto dispozita, dënohet me konfiskim të mallrave gjendje. Gjithashtu, administrata tatimore ushtron të drejtën për ta kallëzuar penalisht tatimpaguesin.

3. E drejta e blerësit për të mos paguar për mallin apo shërbimin nëse nuk i jepet fatura dhe/ose kuponi tatimor sipas Ligjit. Çdo blerësi, person fizik, juridik ose individ, i lind e drejta të mos kryejë transaksionin për vlerën e mallit ose shërbimit të ofruar, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor, në përputhje me ligjin. Për këtë qëllim, tatimpaguesi detyrohet të afishojë në një vend të dukshëm, në adresën ku kryen veprimtarinë, një njoftim për blerësin në përputhje me këtë nen. Tatimpaguesi që nuk vendos një poster që tregon të drejtën e blerësit për të mos paguar për mallrat dhe shërbimet e blera, dënohet me gjobë në masën 500.000 lekë. Njoftimi i afishuar për klientët për marrjen e kuponit tatimor duhet përmirësuar bazuar në këtë dispozitë. Psh. “Të nderuar klientë merrni kuponin tatimor. Ju keni të drejtë të mos-paguani për mallin apo shërbimin e marrë nëse nuk ju jepet kuponi tatimor.”

4. Mbledhja me forcë e detyrimeve tatimore. Në funksion të mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vendin e bisnesit/njësinë tregtare të tatimpaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50 për qind të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor, për të cilin ka filluar proçedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore. Tatimpaguesi, për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij apo të shesëtë transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur, nëpërmjet shitjestransferimit të aktiveve, synohet shlyerja në masën 100 për qind e detyrimit tatimor të papaguar.

5. E drejta e organit tatimor ndaj palëve të treta. Në funksion të mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, gjithashtu administrata tatimore mund t’i kërkojë palës së tretë të kryejë pagesën e drejtpërdrejtë të çdo shume, që kjo palë i detyrohet tatimpaguesit, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e dërgimit të njoftimit palës së tretë.

6. Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, sipas nenit 30, të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, dënohet me gjobë në masën 15 për qind të shumës së këstit për t’u paguar.

7. Kufizimi i shitjeve me kupon tatimor për bizneset e shumicës. Tatimpaguesit që kryejnë shitje me shumicë të mallrave, por bëjnë edhe shitje me kupon tatimor për individë, deri në datën 31.3.2016 lejohen të shesin me kupon tatimor për individë deri në 10 për qind të vlerës së tatueshme (pa përfshirë TVSH-në) të mallrave të shitura në të njëjtën periudhë tatimore (muaj) të vitit të kaluar. Nga data 1 prill 2016, tatimpaguesit, që kryejnë shitje me shumicë të mallrave, nuk lejohen të shesin me kupon tatimor tek blerës, joushtrues të një veprimtarie tregtare (individë). Qëllimi i dispozitës është të minimizohen dhe eleminohen (për tatimpaguesit e shumicës) “shkarkimet me kasë” dhe shitjet me kasë në “tregjet e shumicës” ku nuk mund të ndahen blerësit biznesorë nga ata individë. Mendoj që në udhëzimin e Ministrit të Financave do të sqarohet që ky kufizim nuk aplikohet për ata shitësa me shumicë që gjithashtu kanë dyqane apo rrjet të shitjes me pakicë, të deklaruar konform Ligjit. Nëse kufizimet e mësipërme nuk respektohen, llogariten detyrime tatimore sikur malli të tregëtohej me pakicë për konsumatorin final dhe, përveç detyrimeve shtesë, aplikohet gjobë në masën 100 për qind të vlerës së TVSH-së së llogaritur që i përket vlerës së shitjeve që tejkalojnë kufirin e lejuar për shitjet me kupon tatimor, siç përcaktohet më lart.

8. Mos-deklarimi i punonjësve të paktën një ditë kalendarike para fillimit të punës, përveç pagesës së detyrimeve tatimore të papaguara për ditët e punës të pa-deklaruara, përfshirë gjobat dhe kamatë-vonesat për pagesë të vonuar, dënohet edhe me një gjobë fikse prej 500.000 lekë. Shkeljet e përsëritura mund të kallëzohen për ndjekje penale.

9. Mos-deklarimi i pagës reale, përveç pagesës së detyrimeve tatimore të papaguara për pjesën e padeklaruar të pagës, përfshirë gjobat dhe kamatë-vonesat për pagesë të vonuar, dënohet me një gjobë fikse prej 500.000 lekë. Shkeljet e përsëritura mund të kallëzohen për ndjekje penale.

10. Dënimet për transportimin dhe mbajtjen e mallrave pa dokumenta të rregullta.

(a) Tatimpaguesi, që mban në ruajtje, përdor ose transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall.

(b) Tatimpaguesi, që shet mallra me shumicë, që mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me:
i) gjobë në masën 10.000.000 lekë, dhe
ii) konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej i pashoqëruar me dokumente tatimore. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobë, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall, dhe
iii) rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore.
Kur konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mbajë në ruajtje, të përdorë apo të transportojë mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, administrata tatimore ushtron të drejtën për ta kallëzuar penalisht tatimpaguesin.
(c) Përjashtimit, për të gjithë tatimpaguesit, të cilët me vullnetin e tyre, brenda datës 31.12.2015, bëjnë vetë-deklarimin e mallit që kanë gjendje pa dokumente tatimore, me anë të një fature të përgatitur nga blerësi, sipas nenit 53 të ligjit për Proçedurat Tatimore, nuk do të zbatohen penalitetet e mësipërme. Proçedurat e vetëdeklarimit të mallrave gjendje nga tatimpaguesi do të përcaktohen me Udhëzim të Ministrit të Financave. Tatimpaguesit nuk përfitojnë nga kjo dispozitë, nëse shkelja, është konstatuar paraprakisht nga administrata tatimore. Kjo do të thotë që formalizimi i mallit gjendje pa dokumenta duhet të bëhet sa më parë (duke lëshuar një faturë tatimore për vete sikur blerja të ishte bërë nga individë të paregjistruar në tatime). Pra duhet të inventarizohet/ evidentohet çdo lloj malli gjendje në ambjentet e biznesit dhe të sistemohen diferencat. Për mallrat e marra pa fatura tatimore të lëshohet fatura e përgatitur nga blerësi. Të mos bëhen më blerje mallrash për biznesin pa faturë tatimore.

11. Dënimet lidhur me mos-instalimin e pajisjeve fiskale dhe mos-lëshimin e kuponit tatimor.

(a) Tatimpaguesi që bën shitje me para në dorë dhe nuk ka instaluar pajisjen fiskale dënohet me 100.000 lekë gjobë dhe duhet të instalojë pajisjen brenda 10 ditëve punë. Herën e dytë të konstatimit, dënohet me gjobë në masën 500.000 lekë, dhe i jepen përsëri 10 ditë afat. Nëse edhe pas rastit të dytë nuk instalohet pajisja fiskale, tatimpaguesi mund të dënohet me pezullim të veprimtarisë deri në 6 muaj, dhe nëse përsëri nuk instalohet pajisja fiskale, tatimpaguesi dënohet me mbyllje të plotë të aktivitetit.

(b) Tatimpaguesi që nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar shitjet me para në dorë të mallrave ose shërbimeve, për çdo konstatim (verifikim) të kryer, dënohet me një gjobë fikse prej 500.000 lekë. Përveç detyrimit të papaguar dhe kamatë vonesave, dënohet me 100% gjobë të detyrimit tatimor të padeklaruar apo të papaguar si dhe i bëhet një vlerësim tatimor për të ardhurat për 6 muajt e fundit. Rastet e përsëritura mund të kallëzohen penalisht.
(c) Tatimpaguesi që lëshon një kupon tatimor/dëftesë tatimore/biletë, me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në dispozitat përkatëse për këto dokumenta, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.

(dh) Moslëshimi i biletave të shërbimit me vlerë të parashtypur, të prodhuara nga institucionet e autorizuara, të përdorura në sektorë të ndryshëm, dënohet me gjobë, në masën 10.000 lekë për çdo biletë.

12. Dënimet për mos lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve sipas ligjit.

(a) Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH nga tatimpaguesi që shet mallra me shumicë dënohet me:
i) gjobë të barabartë me 100 për qind të detyrimit tatimor të padeklaruar ose të papaguar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç detyrimeve tatimore e interesave, dhe
ii) me gjobë në masën 10.000.000 lekë, dhe
iii) rivlerësim të të ardhurave për një periudhë 6-mujore.
(b) Për çdo konstatim (verifikim) tjetër të përsëritur administrata tatimore ushtron të drejtën për të kallëzuar penalisht tatimpaguesin.

13. Dënimet për çertifikimin e pasqyrave financiare nga audituesit. Në rast se nga kontrolli i bërë nga administrata tatimore tek tatimpaguesit, pasqyrat financiare të të cilëve janë çertifikuar nga kompanitë audituese se janë në përputhje me legjislacionin fiskal, rezulton detyrim tatimor, masa e detyrimit tatimor i ngarkohet e plotë tatimpaguesit, ndërsa kompania çertifikuese dënohet me një gjobë me masën e detyrimit tatimor që i ngarkohet tatim-paguesit.

14. Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë 500.000 lekë.

15. Heqja e gjobave të sistemit të tatimeve për përgjegjësi tatimore që nuk kanë ekzistuar në momentin e aplikimit të sistemit të ri. Tatimpaguesve, të cilët me fillimin e sistemit të ri te deklarimit tatimor, edhe pse nuk kanë pasur përgjegjësinë tatimore për një tatim apo taksë të caktuar, janë ngarkuar me këtë përgjegjësi dhe, për pasojë, janë evidentuar si debitorë pranë administratës tatimore, deri në datën 31.8.2015, u shfuqizohen gjobat dhe interesat e përllogaritura.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0