“Pranë shkollës i pa nxënë”. Mallkimi i varfërisë pranë shkollave të kryeqytetit

“Pranë shkollës i pa nxënë”. Mallkimi i varfërisë pranë shkollave të kryeqytetit


Mrika sot i ka rritur fëmijët dhe burri i sëmurë i vdiq pak vite më parë.  Por, varfëria ka qëndruar “besnike” në shtëpinë e saj burg, pas shkollës “Besnik Sykja” në Tiranë.

Është një lagje e tërë, me rreth 25 familje, që bashkëjetojnë me mjerimin dhe sëmundjet, ndërsa gjysmëdritaret e tyre shohin pikërisht në oborrin e shkollës.

Prej 17 vitesh Mrika është vendosur këtu me familjen e saj. Familje të ardhura nga Mirdita, por edhe zona të tjera, kanë të përbashkëta hallet e tyre.

“Një shoqatë italiane më ka ndihmuar shumë”, thotë Mrika. “I dërgoja fëmijët në mëngjes dhe i merrja në darkë. Aty ushqeheshin dhe mësonin, por me të mbushur 18 vjeç nuk kisha më të drejtë”.

Shkolla afër, nuk është “shfrytëzuar” sot prej saj. “Dy djemtë i kam me 9-vjeçare, vetëm vajzës arrita t’i jap shkollën e mesme”. Njërin djalë e ka të sëmurë, ndërsa djali tjetër e vajza punojnë për pak lekë. Por ndërsa flet për shqetësimet e saj, Mrika tregon se shumë më keq është kunata e saj, duke kërkuar të mund të ndihmohet. Në fakt, çdo bisedë me banorët e këtij pallati ish konvikt, përfundon në çështje shëndetësore. Zonja në familjen ngjitur është në punë. Të afërmit na thonë se punon për 6 mijë lekë në muaj si pastruese. Është 30 vjeçe dhe ka probleme me dëgjimin.

Mësuesja e djalit të 30 vjeçares, tregon se djali është dobët me mësime. Një vit është përsëritës, dhe shfaq shpesh shenja agresiviteti e ndjeshmërie të lartë, për shkak të përjetimit të problemeve familjare.

Minioborre të mbërthyera me hekur, me rrjeta apo llamarina, të japin ndjenjën e pasigurisë. Varfëri, sëmundje, pasiguri, hije dyshimesh si nga unë e interesuar për një bisedë, edhe nga dikush që hap derën pak me vonesë. Një grua e trembur del dhe vetëm dëgjon. Ose bën sikur, pasi kërkesës për një bisedë as nuk iu përgjigj. Por nuk u kthye mbrapsh, çka do të tregonte me veprim se nuk donte të fliste. Ai shikim i përhumbur fliste për dëmet e saj psikologjike, por nga se kanë ardhur vështirë të kuptohej.

Në biseda me banorët, përpiqesh të kuptosh, si është e mundur që varfëria është si një pus i thellë me baltë, ku nëse nuk ke një dorë të vendosur për të të nxjerrë me gjithë forcë (siç mund të ishte një institucion me fokus social) kupton se nuk ka rëndësi pse thith ajrin e oborrit të shkollës, ku të ndan një mur më pak se dy metra i lartë.

Historitë e banorëve që janë sistemuar nëpër konvikte nuk janë të reja. Në Universitetin Bujqësor të Tiranës prej dhjetëra vitesh janë pallatet e ashtuquajtura “të familjarëve”. Me korridore, tualete e sahatë të përbashkët të energjisë elektrike. E ndërsa pranë tyre studiojnë të rinj që nesër mund të bëhen dikushi në jetë, për ta mbrëmja është e pa ndriçuar, jo vetëm për shkak të ndërperjes së energjisë së papaguar, por edhe padijes së ulur këmbëkryç dhe që trashëgohet nga prindi te fëmija.

Shifrat zyrtare, por edhe studimet ndërkombëtare tregojnë se urbanizimi nuk ka ndihmuar në uljen e varfërisë në vend.

Në një analizë të Bankës Botërore, për efektet që jep urbanizimi i shpejtë në Europën Juglindore, tregon se ekonomia e Shqipërisë nuk ka përfituar nga urbanizimi. Zonat urbane kanë ndikuar në më pak se 50% në rritjen e PBB-së së vendit më 2016, ndërsa në vendet të tjera të urbanizuara të rajonit, kontributi është mbi 90%.

Shifra të vetëm pak viteve më parë, tregojnë se gati gjysma e popullisë në vendin tonë jeton në kushtet e varfërisë së moderuar. Studimet e institucioneve ndërkombëtare financiare, tregojnë se  rreth 45% e shqiptarëve jetojnë më me pak se 5 dollarë në ditë. Ndërkohë, të dhënat e fundit, që u përkasin dy viteve më parë, tregojnë se rreth 4% e popullsisë është në varfëri ekstreme, pra jeton me më pak se 2.5 dollarë në ditë për frymë/Albana Muçaj, Businessmag.al

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0