Peticioni ia arriti qëllimit, Apple vendos Kosovën në hartë - Business Magazine Albania

Peticioni ia arriti qëllimit, Apple vendos Kosovën në hartë

197 mijë e 175 persona të cilët e kanë nënshkruar peticionin “Put Kosovo on Apple Maps”, ia kanë arritur qëllimit. Apple ka bërë disa ndryshime në hartën e Ballkanit dhe ka shtuar edhe Kosovën në të. Më parë në hartë, kufiri i Kosovës ishte i bashkuar me atë të Serbisë ndërsa tani është qartësisht i ndarë. Nismës për vendosjen e Kosovës në hartat e Apple, përveç qytetarëve, i ishin bashkuar edhe shumë kosovarë suksesshëm nëpër botë. Ndër emrat e njohur që kishin kërkuar vendosjen e Kosovës në hartat e Apple ishin edhe këngëtaret Rita Ora, Dua Lipa e Bebe Rexha.

Fushatës për vendosjen e Kosovës në hartat e Apple i ishin bashkuar edhe politikanët kosovarë. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se aplikacionet e Apple janë zhvilluar në Kosovë, prandaj qartazi Kosova është pjesë e botës së Apple. “Shumë nga aplikacionet tuaja në App Store janë zhvilluar në Kosovë, me shumë tjera që do të zhvillohen pasi ju i bëtë shërbimet tuaja të qasshme këtu. Apple, Kosova është qartazi pjesë e botës tuaj, të sigurohemi që të kemi mundësi ta shohim atë edhe në hartën tuaj”, kishte shkruar Osmani.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, bashkë me homologun e saj në Shqipëri, Gent Cakajn, i kishin dërguar një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, z. Tim Cook, për t’i kërkuar marrjen e masave për të vendosur kufijtë e Kosovës në shërbimin e Apple Maps. “Në bashkërendim të plotë me Ministren e Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, sot i kam dërguar një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, z. Tim Cook, për t’i kërkuar marrjen e masave të nevojshme për të paraqitur kufijtë e saktë të Republikës së Kosovës në shërbimin e Apple Maps. Republika e Kosovës është njohur prej shumicës së shteteve të botës demokratike dhe, ashtu siç ka vendosur vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ndaj, presim që Apple Inc. të marrë vendimin e drejtë duke vendosur kufijtë e Republikës së Kosovës në hartat e shërbimeve të saj”, kishte shkruar Cakaj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0