Pësojnë rënie yield-et e bonove të thesarit gjatë muajve të verës - Business Magazine Albania

Pësojnë rënie yield-et e bonove të thesarit gjatë muajve të verës

bonove të thesarit

Në ankandet e zhvilluara të martën, yield-et e bonove 12 mujore pësuan rënie, duke konfirmuar natyrën e përkohshme dhe korrigjuese të rritjes së regjistruar mes fundit të qershorit dhe mesit të gushtit. Bonot me maturim 12 mujor u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 1.77%, nga 1.84% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm. Rënia e yield-eve duket e lidhur direkt me shtimin e numrit dhe vlerës së kërkesave të paraqitura në ankande.

Nga rreth 8.9 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, shuma totale e kërkesave në ankand arriti në 11.8 miliardë lekë. Ngushtimi i raportit mes kërkesës dhe ofertës gjatë ankandeve të mëparshme ishte shoqëruar me një rritje të lehtë të yield-eve. Pasi iu afruan niveleve më të ulëta historike në fund të muajit qershor, yield-et shënuan një rritje graduale deri në nivelin 1.84%.

Lexoni: Çfarë i nxit normat e interesit? Pyetja e vjetër është çelësi i ekonomisë së re

Ndërkohë, yield-i mesatar i ponderuar për bonot me maturim 6-mujor shënoi përsëri një rritje të lehtë në 1.34%, nga 1.22% që kishte qenë në ankandin e fundit, në fillim të gushtit. Për bonot me maturim më të vogël se një vit kërkesa e tregut është më e ulët dhe ato financohen kryesisht nga bankat tregtare, si një alternativë e vendosjeve afatshkurtra të likuiditeteve të lira.

Megjithatë, edhe këtu yield-et ngelen në nivele të ulëta dhe relativisht të qëndrueshme. Pas pandemisë, politika monetare nxitëse e Bankës së Shqipërisë dhe gjendja e shëndetshme e tregut financiar ka ndihmuar në uljen e mëtejshme të yield-eve dhe të kostos së huamarrjes për qeverinë shqiptare. Përdorimi i instrumenteve të huamarrjes në tregjet e huaja gjithashtu ndikoi në rritjen e likuiditetit të lirë në tregun financiar vendas, duke shtuar konkurrencën mes blerësve dhe duke ndikuar në rënien e yield-eve. Paralelisht, depozitat bankare kanë ruajtur norma të larta të rritjes edhe në gjysmën e parë të këtij viti, duke rritur disponueshmërinë e fondeve për bankat tregtare, që janë financuesit kryesorë të borxhit të brendshëm të qeverisë.

Yield-i mesatar i portofolit të brendshëm pësoi sërish një rënie të lehtë në tremujorin e dytë të vitit, duke prekur një minimum të ri historik. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar në muajin qershor zbriti në nivelin 3.58%, nga 3.61% që kishte qenë në fund të vitit 2020 dhe 3.75% në mesin e vitit 2020.

Lexoni: 7 teoritë e gabuara mbi Bitcoin

Gjendja likuide e tregut financiar, niveli i qëndrueshëm i huamarrjes nga qeveria dhe orientimet e kursit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë janë të gjithë faktorë që, sipas ekspertëve, do të ndikojnë në ruajtjen e normave të ulëta të interesit në tregun primar të letrave të borxhit të qeverisë edhe për këtë vit. Niveli i yield-eve të bonove dhe obligacioneve të qeverisë ka një domethënie që shkon përtej kostos së huamarrjes së qeverisë. Duke qenë treguesi benchmark i investimit në monedhën vendase, ai përcakton, në mënyrë të përgjithshme, edhe kostot e huave afatgjata në lekë, që zakonisht kuotohen mbi yield-et dhe rivlerësohen periodikisht mbështetur në lëvizjet e tyre.

*yield – norma e interesit e shprehur në bazë vjetore

/monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0