Për në Gjermani tani mjafton vetëm vula Apostille - Business Magazine Albania

Për në Gjermani tani mjafton vetëm vula Apostille


Pas Italisë dhe Belgjikës në muajin Dhjetor edhe Gjermania filloi zbatimin e regjimit pa legalizim të dokumenteve sipas Konventës së Hagës. Ky hap u kursen qytetarëve kohë dhe shpenzime.

Nisur prej modernizimit dhe garancive të rregullshmërisë së dokumenteve që lëshohen nga administrata shqiptare, Gjermania vendosi të pranojë zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të dokumenteve, i njohur si regjimi i Apostille-s. Nëpërmjet këtij vendimi përmirësohen ndjeshëm shërbimet ndaj qytetarëve që duhet të paraqesin dokumente në Gjermani ose anasjelltas.

Nga kjo marrëveshje përfitojnë të gjithë personat që u duhet të përdorin dokumente gjermane në Shqipëri, pra jo vetëm shtetasit shqiptarë por edhe ata gjermanë apo të tjerë.

Cili është përfitimi i qytetarëve prej kësaj marrëveshjeje?

Deri tani mes Shqipërisë dhe Gjermanisë përdorej procedura e legalizimit të dokumenteve, pra procedura e njohjes së rregullshmërisë së dokumentit të huaj. Sipas kësaj procedure duhej që dokumentet me parë të certifikoheshin tek autoritetet gjermane e pastaj në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, ku diplomatët konsullorë konfirmojnë funksionarin përgjegjës dhe institucionin, përkatësisht duke vërtetuar nënshkrimin dhe vulën.

Me zbatimin e regjimit pa legalizim të dokumenteve sipas Konventës së Hagës “Për heqjen e detyrimit të legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja” të 5 tetorit 1961 mjafton që dokumentet thjesht të pajisen me vulën Apostille nga autoritetet gjermane dhe mund të përdoren si të tilla edhe në Shqipëri.

Aplikimi i vulës Apostille për dokumentet e huaja u kursen të interesuarve jo vetëm kohë por edhe shpenzime. “Së pari tani e tutje atyre nuk u duhet të paguajnë më tarifën e legalizimit të dokumenteve. Së dyti duke pasur parasysh kohën e gjatë dhe mbingarkesën që mbarte legalizimi i dokumenteve, si dhe shqetësimin për afatet shumë herë të kufizuara të vlefshmërisë së disa dokumenteve, tani është e dukshme se procedura shkurtohet shumë në kohë, gjë që u lehtëson ndjeshëm jetën të gjithë qytetarëve që dërgojnë për arsye të ndryshme dokumente në Shqipëri.” – tha për Deutsche Wellen Belinda Shtylla, konsulle pranë Ambasadës shqiptare në Berlin.

Ana tjetër pozitive është se në zbatim të reciprocitetit, edhe shtetasve shqiptarë që do të përdorin dokumente shqiptare në Gjermani, thjesht do t’u duhet t’i apostilojnë, pra t’i pajisin me vulën Apostille, dokumentet në Ministrinë e Jashtme në Tiranë, pa qenë më e nevojshme të kryejnë legalizime në Ambasadën e RFGj-së në Shqipëri.

Ku merret vula Apostille, që kërkohet tani nga autoritet përkatëse?
Vula Apostille merret në Shqipëri vetëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, ndërsa në Gjermani ato që apostilojnë dokumentet, janë autoritetet kompetente të landeve. Këto autoritete janë të listuara në websitet për informimin e qytetareve: Bezirksregierung, Regierungspräsidium, Landesverwaltungsamt, Bundesverwaltungsamt apo Ministria e Brendshme dhe Landgericht, në rastin e akteve noteriale dhe gjyqësore, sqaron konsullja e Ambasadës shqiptare në Berlin.

Burimi: gazeta-shqip.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0