Meta po rikthen në vëmendje planet për zhvillimin e një ore inteligjente, disa vite pasi ndërpreu projektin e saj të mëparshëm në këtë fushë. Pajisja e re, e njohur brenda kompanisë me emrin e koduar “Malibu 2”, pritet të hyjë në konkurrencë direkte me markat kryesore të teknologjisë wearable, si Apple dhe Samsung.
Lexo gjithashtu: Kung fu, salto dhe “drunken boxing”! Si Kina po tregon me robotë sa shpejt po ecën industria e saj e teknologjisë
Sipas burimeve të afërta me projektin, ora inteligjente e Meta-s do të ofrojë funksione të avancuara për monitorimin e shëndetit dhe aktivitetit fizik, si edhe një asistent virtual të mbështetur nga inteligjenca artificiale. Një nga veçoritë kryesore pritet të jetë integrimi i drejtpërdrejtë me syzet inteligjente të Meta-s, duke e kthyer orën në një pajisje qendrore të ekosistemit të kompanisë.
Meta e kishte ndalur zhvillimin e orës së saj të parë inteligjente në vitin 2022, për shkak të ndryshimeve strategjike dhe sfidave teknologjike. Megjithatë, avancimet e fundit në fushën e inteligjencës artificiale dhe realitetit të shtuar (AR) duket se kanë rikthyer interesin e kompanisë për pajisjet që mbahen mbi trup.
Edhe pse ende nuk ka një njoftim zyrtar, burime të brendshme bëjnë me dije se prezantimi i orës mund të ndodhë gjatë vitit 2026. Analistët vlerësojnë se ky rikthim sinjalizon përpjekjen e Meta-s për të zgjeruar ndikimin e saj në jetën e përditshme digjitale të përdoruesve, duke ndërtuar një ekosistem të ndërlidhur mes orës inteligjente, syzeve AR dhe platformave sociale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto